Foto ilustruese

Me Vetting-un shënohet shembja përfundimtare e praktikave dhe mendësive feudale në Shqipëri

2 Gusht 2018, 07:33| Përditesimi: 2 Gusht 2018, 07:38

  • Share

Pas një interviste të zotit Ulsi Manja, Kryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, publiku u informua se me mbarimin e veting-ut në sistemin e drejtësisë, procesi i pastrimit do vijojë të kryhet më pas për politikanët. Përfshirja e elitës politike nuk do të gjente një të dytë lajm më të mirë e shpresëdhënës, që popullit mund t’i jepej. Dhe kur të jetë kryer kjo, Shqipëria do ja ketë siguruar vetes të ardhmen në paqe sociale e shpresën në mirëqenje, do ta ketë kapërxyer njëherë e mirë praktika e mendësi, që i përkasin shoqërive të sistemit feudal.

Feudalizmi dallon me pronësinë mbi tokën, por dhe me mënyrën se si ushtrohen pushtetet. Në Shqipëri ky rend përfaqësohej me familjet e mëdha feudale, të cilat kryesisht ishin otomane, u kishin shërbyer me devotshmëri turqve dhe ishin shpërblyer për këtë me toka. Vetëm shtatë prej këtyre familjeve zotëronin feude me mbi 5000 hektarë tokë. Monarku ndante e përdorte pushtetet me ta. Këta feudalë, si sistem, u pranua të kishte rënë me reformat në sistemin komunist. U pranua në tekstet shkollore, sepse në të vërtetë ai shfaqej rëndom në shoqëri, ku tërë pushtetet ndodhen në duar të pak njerzve, kupolës komuniste. Përveç të tjerave, që shqiptarët nuk e kaluan sistemin kapitalist, por u hodhën nga feudalizmi në të ashtuquajturin socializëm, duke kapërxyer hallkën më formuese të staturës së shtetit ligjor, kapitalizmin, me tiparin e tij thelbor, sundimin e ligjit, shoh një nga shkaqet që dukuritë feudale të vreheshin edhe më pas. Civilizimi europian, për të mbërritur këtu ku është, e pati domosdoshmëri edhe atë periudhën e kapitalizmit të egër, sepse përmes tij shoqëria mësoi shtypjen, shfrytëzimin dhe revoltën, pozitën dhe opozitën, respektin ndaj ligjit dhe pushteteve, rrugën dhe luftën për demokratizimin e institucioneve.

Patjetër që do t’i vinte një ditë fundi edhe sistemit komunist. U zëvendësua ai me formacionin ekonomiko-shoqëror të kapitalizmit, sistem i instaluar në shumëllojshmëri ngjyrash në Europë, ku ëndërruam dhe deshëm njëzëri të shkojmë. Por kapitalizmi europian është një makineri komplekse. Parasëgjithash, përshkohet nga prodhimi i mallrave, ku administrata e lartë shtetërore drejtohet nga meritokracia, ku pushteti legjislativ ka aty përfaqësuesit më të mirë dhe drejtësia është e jepet, duke i trajtuar shtetasit si të barabartë para ligjit (!?). Tërsia e tyre duhej të vepronte brenda kudrit ligjor demokratik dhe një shoqërie po demokratike. Asgjë nga këto s’ndodhi. Prodhimi i mallrave, pasi u shkatërruan egzistueset si jo rentabël, u zëvendësuan nga fasonet, krijesa këto që i shërbejnë eksportuesve të huaj të teknollogjisë për shfrytëzim të lirë të krahëve të punës; administrata vuajti tërë kohën nga nepotizmi; në parlament erdhën nga të dy krahët pasanikët e “të fortët”, të cilët përfaqësojnë atje vetëm interesat e bizneseve të tyre (tashmë të “kaluara” grave); në sistemin e drejtësisë, katedrat e gjykimit u shndërruan në feude në miniatyrë, ku vendimet merreshin në procesin e instaluar të allishverisheve, avokat-prokuror-gjyqtar. E tërë kjo përbën një sistem të ngjashëm me feudalizmin dhe nga e gjithë kjo, në këto 25 vjet, ka vuajtur veçse ajo pjesë e popullit që është më e dobta, më e varfra, më në nevojë dhe Shqipëria.

Është e pa besueshme se çfarë i kanë bërë këtij vendi?! Prokurori dhe gjykata që u përdorën për hakmarrje politike; palët në një proces, penal apo civil qofshin, u kthyen në gjah, në të cilin morën pjesë hordhi feudale që përfshinin sistemin, sekserët-avokatë, sekretare, bodigardët, madje dhe shoferët. Duke i vënë vetes qëllimin e pasurimit, shumë prej tyre shërbyen si nxitës e përshpejtues të rrënimit të besimit te drejtësia. Deri më tani, organet kanë gjykuar përpos se mbi ato çka subjekti në gjykim ka deklaruar, pa u futur në kontrolle të tjera pasurore. Dhe të mendosh se, “Të heqësh mënjanë”, një porosi kjo e lashtë, që shërbente për mirëqenjen familjare, nuk do të thotë se ushtrohet vetëm përmes veprimeve bankare, pavarësisht përcaktimeve ligjore.

Rrethanat e kësaj gjendjeje e sjellje feudale ishin dëshpëruese. Askund nuk dukej rrugëzgjidhje, deri kur u bë e mundur të bëheshin organe kushtetuese operacionet e thella të veting-ut. Në gëzimin e pasurimit e shkujdesjen profesionle, hullia e qetë dhe e ëmbël e jetës familjare dhe vetjake të gjyqtarve e prokurorëve të korruptuar, u trondit. Zuri fill një kthesë që askush nuk besoi se do rrënonte e shembte përfundimisht këtë sistem të ndyrë, që përdhosi vëndin e jetën qytetare. Vetingu u pa shtrëmbër, nuk besuan se kryetari “fisit” do ishte i pafuqishëm për t’i shpëtuar. Armiqësinë ndaj këtij organi kurrë nuk e fshehën, pavarësisht nga dukuria e shtirur e mirësjelljes. Në thelb, aleanca e kundërshtarëve me kreun e partive kundërshtuese, e kish humbur autoritetin dhe dinjitetin e opozitës dhe akuzat kishin shterur, deri kur dyfytyrëshave u erdhi në shteg argumenti se organet e larta të drejtësisë kanë pushuar së qeni. Arsyeja e shëndoshë, për këta njerëz të dobët që përtypin mëndjelehtësinë, harrojnë se pallati i shembur i drejtësisë, për më keq akoma, mund t’i kish zënë brenda. Por, sapo ka nisur, asgjë nuk ka përfunduar!? Të presim!

Opozitës, ata që kundërshtuan deri në fund kodifikimn e veting-ut, nuk ja falin vetes që ranë në “grackën” e pastrimit të ushtarëve që kishin në drejtësi. S’u shqitej marazi! Me bllokimin e miratimit të listave të Shkollës së Magjistraturës, çfarë shprese ushqejnë vallë? Papritur e kujtuar, ata u shfaqën me një vendosmëri idiote aq të pazakontë dhe shpalosën një karakter që i la të gjithë (përfshi dhe ndërkombëtarët) gojë hapur. Ske se si të mos habitesh, sepse për këtë e kishin dhënë njëherë votën në parim, me përpunimin e ndryshimin e sjelljes. Shumica e shqiptarëve e ka të qartë arsyen: të pengojë me çdo kusht këtë ligj, ta pengojë nga inati, ndonëse e dinë se ska forcë që pengon rrëmetin që i ka vënë para.

Duket açik që synohet bllokimi i veting-ut, siç po kaq qartazi duket se qëndrimi ska lidhjet me interesat e vendit. Për këtë soj njerëzish atdheu është e mbetet fshati i tyre. Siç u panë të rriten përmasat e besnikërisë ndaj fisit, ashtu u pa se si krahina dhe fshati u bë atdheu i tyre i vogël, zyra e gjykatës u shndërrua në zyrë biznesi, ruajtja pastër e figurës ishte veçse një dokër, përdhosja e funksioneve të larta nuk jua skuqte faqen.

E quaj me vend, lexonjës i ndruar, të kujtoj se caktimi në detyra i zyrtarëve të lartë dhe gjyqtarëve, ka qenë bërë pjesë debati që në lashtësi. Mes filozofëve grekë, është një ndër më të shquarit e tyre, Platoni, që ka shkruar “...se ata duhet të tregonin  hovin e dashurisë së tyre për atdheun, qoftë në të mirë qoftë në të keq dhe të mos e linin veten që t’i kapnin duke e përbuzur këtë parim as në punë, as në rreziqe”. Më tej thotë se “...duhej caktuar si zyrtar i lartë ai që kishte për të dalë  nga këto prova i kulluar si ar i provuar në zjarr”. Virtyte të tjera Platoni u përmend aftësinë për të mësuar, të kenë kujtesë, të jenë të mprehtë, të kenë gjallëri e qendrueshmëri si dhe të jenë shpirtmëdhenj”. Meqënse një bashkim të tillë prirjesh Platoni e quante një gjë të rrallë, këshillonte marrjen në provë të tyre. Filozofi, për virtytet kishte patur edhe një përcaktim tjetër: për t’u kujdesur për t’i patur ato, duhej të kishe të siguruara më parë mjetet e jetesës. Të tillë burra të denjë për shtetin e tyre kërkoheshin e viheshin në funksionet e larta. Këto kërkesa kurrë ndonjëherë nuk u respektuan tek ne. Tani që po përjashtohen nga sistemi, ngushëllimi i të korruptuarve është të akuzojnë se janë viktima të “komisarëve të Edi Ramës”. Le të ngushëllohen, por më e mira do kish qenë të jepnin dorëheqjen vullnetarisht kur ju kërkua! I këshilluan keq dhe i morën më qafë.

Komento

Komente

  • DjemtEnvKrenAtdh: 02/08/2018 17:12

    Je për pulitzer...Je legjendë...shkrim i paparë...Je vetëm i 1879ti brenda javës që i bie të njëjtës vryme...apo e leni fare të krijojë një bindje të veten publiku po vetëm atë që i servir ti e shokët e tu të varfër e jo milionerë...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?