Padyshim që dita e djeshme kishte si kryefjalë eliminimin e Spanjës nga 1/8 finale të Kupës së Botës, një ekipi që shihej si pretendent për triumfin në “Russia 2018”. Mediat spanjolle e kanë kryqëzuar kombëtaren e tyre, diku duke bërë ironi, e më pas analiza dhe detaje të dështimit. Gazeta spanjolle “Marca” shkruan me të madhe “Shkojnë në shtëpi”, e ilustruar me foton e futbollistëve spanjollë në mesin e fushës kur u humb penalltia fundit nga Aspas.
Mundo Deportivo hapet me titullin “Ndëshkimi maksimal”, ndërsa prestigjozja AS ka si kryetitull: “Është fundi i një cikli”. Ndërsa gazeta Super akuzon presidentin e Real Madrid, Florentino Perez, i cili i mori trajnerin Spanjës, dy ditë para startit të Botërorit. Kjo gazetë, me foton e Perez, shkruan në faqe të parë: Je i kënaqur?”
Marca rendit edhe 10 arsyet kryesore pse Spanja dështoi në këtë kupë bote. Së pari, është portiere De Gea, vetëm një pritje, gjashtë gola të pësuar dhe asnjë penallti e pritur. Së dyti, shkarkimi i trajnerit dy ditë para startit. Së treti, performanca e dobët e mesfushës.
E katërta, moskombinimi Iniesta-Ramos-Pique. E pesta, mungesa e gjuajtjeve drejt portës. Gjashtë, trajneri i ri Hierro, nuk ndryshoi asgjë dhe nuk solli asgjë. Asnjë ndryshim para minutën 65’. E shtata, asnjë veteran nuk mori rolin e liderit. E teta, mosdëshifrimi i kundërshtarit. E nënta, nuk kishte kurrë plan B. Dhe e fundit, harxhimi i energjive me prekjet e topit shpesh në mesfushën e vet.