Fatmir Mediu pas seancës së sotme për procesin e Gërdecit dha një prononcim për mediat. Ai u shpreh mbi refuzimin e GJKKO për një ekspertim të ri ekonomiko-financiar të shpërthimit të Gërdecit. Mediu thotë se nuk ka asnjë provë që aktet e tij si ministër i Mbrojtjes në atë kohë të kenë shkaktuar dëme ekonomike në shpërthimin e Gërdecit.
'Për çfarë akuzohet ministri? Ministri akuzohet për shpërdorim detyre. Shkelja me dashje që kanë sjellë pasoja apo përfitime personale në dëm të interesave të shtetit. Nuk është provuar asnjë përfitim personal. Nuk është provuar asnjë lloj dëmi ekonomik për shkak të veprimit të ministrit të Mbrojtjes. Kam deklaruar 3 ditë pas ngjarjes përpara presidentit, kryeministrit dhe prokurores së përgjithshme që nëse gjeni një kontakt personal timin apo familjarëve të mi me ata që zhvillonin procesin në Gërdec atëherë merrja përgjegjësinë ligjore.'
Sakaq, ai shton se ekspertët e zgjedhur nga KLSH dhe ministria e Financave për të kryer akt-ekspertimin kanë qenë të pakualifikuar.
'Çfarë lidhje ka dëmi ekonomik me shpërthimin e Gërdecit? S’ka asnjë lidhje ligjore dhe shkakësore. Te akti ekspertimit janë thirrur përfaqësues të KLSH dhe ministrisë së financave, e kanë të ndaluar me ligj dhe nuk kanë certifikatë. Kanë bërë kontrolle në ministrinë e mbrojtjes dhe nuk kanë gjetur shkelje. E kanë marrë copy paste nga këto ekspertë të paligjshëm. Është thënë që nuk ka certifikatë konformiteti kur ky ligj është shfuqizuar në vitin 2007. Në një seancë sqaruam atë akuzë prej 16 vjetësh që ministri zgjodhi Gërdecin. Nuk kishte ministri asnjë dije dhe nuk e ka zgjedhur Gërdecin. Pala mbrojtëse, tha se nuk është problem se ministri zgjodhi Gërdeci por kushtet teknike.'
Ndërkohë Mediu hedh akuza ndaj politikës se po kërkojnë ta bëjnë 'kokë turku'.
'Po ju them, se do ju bëj me dije një video ku duket qartë se pas saldimit baruti nuk mund të marr për shkak të nxehtësisë së saldimit. Nuk është salduar. Roja objektit ka thënë se karroca ka hyrë 30 minuta para shpërthimit. Pse nuk pranojnë të bëjnë një akt ekspertimi. Duan një gjyq politik, koka turku. Kjo çështje është gjykuar. Urdhri përgatitet nga stafi civil dhe ushtarak, firmoset dhe zbatohet. Kisha me vete 39 urdhra të ministrave të mbrojtjes para dhe pas meje. Të gjithë shkruajnë në shkresa se transporti bëhet nga FA. Ka në ministrinë e mbrojtës që tregojnë se janë kostot dhe kush i paguan. Ministri i referohet akteve ligjore që janë sipër tij.'
Procesin e demontimit e ka firmosur pasi është kërkuar nga NATO, ndërsa për Gërdecin ai thotë se nuk dinte gjë deri ditën kur ndodhi shpërthimi.
Pyetje: Kush po iu bën gjyq politik?
'Mendoj se gjyqi politik e ka bërë politika. Nëse SPAK dhe Gjykata ka ardhur te ideja e bilanceve e dënimeve politike, nuk është drejtësi më. Kjo që kërkon SPAK në akuzë ndodh vetëm në juntat ushtarake. Shefi i shtabit të përgjithshëm është shefi dhe i kryeministrit dhe presidentit. Unë kam firmosur procesin e demontimin ka qenë kërkesë e NATO. Nuk e kam ditur ku ka qenë Gërdeci e kam marrë vesh kur ndodhi.'
Së fundmi, ai jep edhe një koment në lidhje me akuzat e Zamira Durdës në seancën e sotme.
'E kuptoj dhimbjen deri në një lloj pike, kam ardhur në proces gjyqësor. Nuk mund të pranoj fyerje.'
Lajmi kryesor:
'Gërdeci', tensione në sallën e gjyqit/ Familjarët e viktimave përplasen me Mediun: Kriminel, prokuroria faj që s'ngre akuzën e vrasjes! Ish ministri: Duan të më bëjnë kokë turku!
G.K//ReportTv.al