Tre muaj më par Sali Berisha u paraqit për herë të parë në SPAK. Tensioni me të cilin ai u nis drejt godinës së Prokurorisë Speciale, militantët që e shoqëronin të hakërryer, si në ato skenat e vendeve arabe, ku ulërinin e çirrnin faqet për liderin, dhe pastaj grumbullimi para oborrit të SPAK derisa ai doli, tregojnë shumë për makthin që u zgjon SPAK një grushti njerëzish të degraduar, që pretendojnë se janë parti politike në Shqipëri.
Sot ishin po këta njerëz, përsëri para SPAK. Djali i Fahriut, vajza e Saliut, Belindi, Flamuri, dhe 10 fytyra të tjera që rrinë poshtë penxheres së Berishës çdo ditë.
Po sot nuk çirrnin faqet. Sot kishin parkuar makinat e tyre të shtrenjta për t’i zënë rrugën Erion Veliajt, që shkonte në SPAK vetëm me një këshilltar të tij, pa roje dhe popull nga pas. Sot të njëjtët njerëz kërkonin nga SPAK shpagim për Erion Veliajn, burg për të, meqë nuk e mundin dot vetë me votë.
Pra këta njerëz që tre muaj më parë rrethuan SPAK, se mos u merrte Sali Berishën në burg, sot e rrethuan duke u kërkuar që të fusin në burg Erion Veliaj.
Tani duhet të biem dakord që disa gjëra se si e do partia e Berishës, SPAK, që të biem rehat të gjithë.
Duke akuzuar SPAK nga mëngjesi në darkë, se është institucion i politizuar pse ka futur në arrest shtëpie Sali Berishën, të gjithë jemi të qartë që ata e duan SPAK institucion të politizuar, me qëllim që të relativizojnë dënimin e Berishës.
Por kur e doni të politizuar, mos shkoni para SPAK dhe kur thërret Erion Veliajn apo Edi Ramën, të cilët nuk marrin talibanë me vete kur shkojnë para drejtësisë. Dhe aq më tepër, mos jepni pretenca para SPAK se sa duhet të dnëohen, pasi kështu legjitimoni SPAK si institucion serioz, të paanshëm dhe profesional, dhe vulosni burgosjen e mundshme të Berishës.
Nuk mund të shkohet dy herë në të njëjtin vend, me të njëjtit njerëz dhe të njëjtin budallallëk në kokë, një herë duke mallkuar SPAK pse thërret Berishën, dhe një herë duke mallkuar SPAK, pse nuk e mban brenda Erion Veliajn. Zgjidhni një prej tyre.
Së dyti, përqendrimi i betejës politike para Bashkisë së Tiranës, zhvendosja e molotovëve nga Parlamenti në Bashki, dhe mbi të gjitha shpallja e objektivit për dorëheqjen Veliajt nga Bashkia, janë një skemë kapitulluese e opozitës së Berishës.
Ky është një mesazh dëshpërues për mbështetësit e tyre, të cilëve u thonë Edi Ramës nuk kemi çfarë i bëjmë, por të shpresojmë të heqim këtë.
Qytetarët e Tiranës nuk kanë ndonjë betejë me Bashkinë e Tiranës. Tirana është qyteti me më shumë turizëm në Ballkan, me një rritje fantastike të ekonomisë dhe pa diskutim një nga kryeqytetet më të sigurta të Evropës.
Rruga për të rrëzuar Erion Veliajn me molotov, vetëm sa i bën nder Erion Veliajt, e fuqizon politikisht dhe e rikthen atë në origjinë, si politikan rruge dhe agresiv, që nuk është aq i këndshëm për ata që ka përballë, sidomos kur shumicën e tyre i ka pas njohur fillimisht nga ofertat për pazare.
Nuk di kujt i ka shkuar në mendje t’i bëjë këtë nder Erion Veliajt në këto momente të vështira për të dhe Bashkinë e Tiranës, por me sa duket, siç thotë populli, “bylzmezi e gjen vet rrugën e humbjes.”
Përqendrimi i gjithë sulmit opozitar tek Veliaj, e kthen atë në kryeluftëtarin e socialistëve në pushtet dhe ul pritshmërinë politike të opozitës për të ardhmen, duke shpresuar se mos marrin bashkinë më 2027, meqë nuk marrin dot pushtetin më 2025.
Ndaj opozita e Berishës duhet ta ndajë se çfarë prioriteti ka. A ka prioritet mbështetjen e SPAK, apo mbështetjen e viktimave të SPAK, a ka prioritet rrëzimin e qeverisë apo rrëzimin e bashkisë.
Erion Veliaj duket qartë që ka prioritet të bëjë betejë politike me ta, si e vetmja mënyrë për t’u fuqizuar.
Dhe shembulli më i mirë ishte sot. Ndërsa ata hidhnin sot molotov mbi godinën e bashkisë, Këshilli Bashkiak i mbledhur online, po i vendoste një rruge në Tiranë emrin “Remzi Hoxha”.
Për të gjithë ata që nuk e dinë ku bie rruga, po ua sqaroj. Është tek ish- frigoriferi i Tiranës në rrugën “Siri Kodra”, aty ku e ka pas rrëmbyer Sali Berisha në tetor 1995 për ta zhdukur. Për ironi të fatit, rruga kalon mes përmes bllokut rezidencial “Siri”, ndërtuar nga kompania “Kontakt” e klubit të famshëm “Partizani”, për të cilën Berisha është majë penxheres.
Pra Remzi Hoxha do t’i prishë gjumin çdo natë familjes Berisha duke ngjitur emrin e tij në muret e pallateve të tyre. Ata ja arritën të ndërtojnë pallate edhe duke vrarë, por hijen e të vrarit do ta kenë në shpinë gjithë jetën si tabelë rruga “Remzi Hoxha”.
Mjafton kjo simbolikë për të kuptuar në betejën e Berishës me Erion Veliaj, fitimtari dihet. Ajo që nuk dihet është pse Berisha i ka dorëzuar ushtarët e tij tek Veliaj.
Në mëngjes ishin në SPAK, mbasdite para godinës së bashkisë duke hedhur molotov dhe duke sharë Erion Veliajn, pastaj të rraskapitur dhe pa bukë e ujë poshtë penxheres duke thirrur “Berisha, Berisha”.
As Haxhi Qamili nuk i ka pas torturuar fshatarët e Ndroqit në këtë mënyrë gjatë revolucionit “Duam babën”. Edhe pse ai kishte mbi 50 vjet, jo kaq pak sa Berisha./ Tema