Të gjithë e kemi harruar kur është rithemeluar Partia Socialiste dhe nuk është ndonjë ngjarje që ja vlen të shkruash, sikur sivjet të mos përballeshim me një “rithemelim” tjetër, atë të Partisë Demokratike.
31 vjetë më parë , një brez i ri socialistësh, e morën seriozisht rithemelimin, në një Kuvend dy ditorë, ku Dritëro Agolli, guxoi të denonconte dhe Enver Hoxhën, mes britmave mallkimeve dhe fyerjeve si “Besëprerë”.
Por nuk iku nga salla, as nga partia.
Pas një beteje dy ditore, ish- komunistët shqiptarë dhe Byroja Politike, u tërhoqën tërësisht nga jeta politike shqiptare dhe një brez i ri socialistësh me Fatos Nanon në krye, krijuan një ekip të ri, shumica e të cilëve ishin profesor, pedagogë apo personalitete të Shqipërisë, studiuar pjesërisht edhe jashtë vendit.
Asnjëherë ndonjë parti politike në Shqipëri, nuk ka bërë kujdes t'i besonte fatin e saj, një brezi intelektualësh të rinj, si Partia Socialiste në vitin 1991. Ajo arriti të ruaj kohezionin me brezin e vjetër të komunistëve shqiptarë, përfshi dhe enveristët e zemëruar, në emër të ndryshimit dhe konkurrencës së re.
Gjithë elita politike e vjetër e komunizmit shkoi në shtëpi, dhe Ramiz Alia pas një viti, nuk kishte më asnjë rol në historinë e Shqipërisë dhe aq më pak të socialistëve.
Për 31 vite, socialistët arritën të funksionojnë si një ekip politik dhe ideologjik, duke shënuar rekorde demokracie dhe rekorde elektorale.
Beteja mes Fatos Nanos dhe Pandeli Majkos në vitin 1999, ishte reformim real i asaj partie, ku për herë të parë vota e lirë brenda partisë diktoi lidershipin, ndërsa beteja e dytë, ajo e Fatos Nanos kundër Ilir Metës-kryeministër dëshmoi fuqinë e votës parlamentare në lidershipin e një partie.
Pas 2005, socialistët e ritransformuan partinë, duke afruar një brez tërësisht të ri në krye të saj, të cilët kanë thyer ndërkohë rekorde elektorale në Shqipëri, rekorde të cilat janë ende të hapura për tu thelluar.
Socialistët më shumë se sa vet ata, sot na i kujtoi Sali Berisha, i cili u përpoq të imitonte rithemelimin e socialistëve në Qershor 1991.
Ai shpalli në Dhjetor të këtij viti, Kuvendin e Rithemelimit të PD.
Ndryshe nga Ramiz Alia që shpalli rithemelimin e Partisë së Punës si Parti Socialiste dhe vetë iku në shtëpi bashkë me shokët e vet, Sali Berisha shpalli rithemelimin e PD, dhe u rikthye bashkë me bandën e vet në krye të saj, edhe pse aty ishte de facto.
Pra ndryshe nga socialistët që u rikthyen në skenë me një ekip të ri, të reformuar intelektualësh, PD u rikthye tek burri i parë. Kuvendi i rithemelimit të PD ngjan si këto “martesat e arta”, që bëhen pas moshës 70 vjeç ku çiftet plaka dëshmojnë besnikërinë që kanë pasur ndaj njëri tjetrit dhe rimartohen përsëri. Kështu ngjan ceremonia e martesës së Berishës me PD përsëri.
Në kuvendin e rithemelimit të socialistëve, Dritero Agolli u dëgjua me vërshëllima dhe fyerje, por nuk u përjashtua. Përkundrazi u rizgjodh dhe mbeti deri në fund figura më e respektuar e tyre, babai i tyre ideologjik.
Në Kuvendin e Rithemelimit të PD kishte vetën armiq të brendshëm me në krye “besëprerin” Lulzim Basha. Ata jo vetëm që nuk u përfshinë, por u anatemuan deri në fund.
Në kuvendin e rithemelimit të PS, nuk u përjashtua asnjë grup. Komunistët e vjetër të Byrosë Politike ikën në shtëpi. Ata nuk u kacafytën për vula dhe firma apo poste në parti.
Kuvendi i rithemelimit të PD është një odise vulash, firmash, varesh, qysqish, e dyersh të blinduara, për shkak të vendimit të Sali Berishës, për të mbajtur peng PD për interesa të tij.
Selia e Partisë Demokratike
Mero Baze: Në PD ende nuk ka ardhur 12 Qershori i socialistëve
Të gjithë e kemi harruar kur është rithemeluar Partia Socialiste dhe nuk është ndonjë ngjarje që ja vlen të shkruash, sikur sivjet të mos përballeshim me një “rithemelim” tjetër, atë të Partisë Demokratike.