Të gjithë bien dakord se zgjedhjet e 6 Marsit janë një përpjekje për të verifikuar në terren atë që Lulzim Basha dhe Sali Berisha nuk e verfikuan dot në një sallë të vetme votimi. Të gjithë bien dakord se Sali Berisha dhe Ilir Meta e kanë betejë për jetë a vdekje, të marrin mandatin e shumicës opozitare në vend në këto zgjedhje. Për këto arsye Ilir Meta harroi dhe përbetimin kundër zgjedhjeve të 30 Qershorit, dhe i dekretoi zgjedhjet sapo kuptoi se mund të kishte një rast që bashkë me Berishën ti merrte shumicën opozitare Lulzim Bashës.
Po ashtu të gjithë e dimë që Edi Ramës nuk i hyjnë në punë fare këto zgjedhje. Madje mund të ketë dëshirë t'i humbas të gjashta, vetëm se nuk ka mundësi, pasi nuk e lë Berisha me Bashën.
Në këto kushte e vetmja gjë që duhet hetuar është aleanca fluide e elementëve “të fort” siç perceptohen faktorët elektoral të pavarur në Shqipëri, që i bashkangjiten herë PS, e herë PD.
Pas shpalljes së Berishës “a non grata” dhe sidomos pas betejës së tij për tiu kundërvënë SHBA dhe politikës së saj në Shqipëri, Berisha dhe Meta po formojnë një pol antiamerikan, që qartazi do konkretizohet me partinë e tyre të re “sovraniste”.
Kjo është parë me simpati nga shumë element të tjerë në politikën shqiptare kryesisht individë apo grupime që shikojnë në prespektivë një fat të njëjtë me Berishën e Metën, për shkak të SHBA dhe këmbnguljes së tyre për Reformën në Drejtësi.
Për këtë arsye ka shumë shanse që këta element, të cilët në shumicë kanë ofruar mbështetje të tyre për pushtetin në Shqipëri, në këto zgjedhje të devijojnë heshturazi votat për grupin Berisha Meta i cili në të vërtet i përfaqëson ata në politikën shqiptare.
Duke qenë zgjedhje të parëndësishme për Partinë Socialiste dhe mbi të gjitha duke qenë zgjedhje ku ata vet nuk kanë ndonjë interes konkret, ka shumë shanse që ata të devijojnë votat drejt Berishës e Metës, në shenjë solidariteti, por dhe si investim për të ardhmen e tyre politike.
Edhe pse është ende herët pasi nuk kanë dal kandidatët nga asnjë parti, është shumë interesante të shikohet se si simpatia e këtyre grupeve, por dhe plot individëve të tjerë brenda së majtës në këto zgjedhje pa interes për socialistët dhe pushtetin e tyre, shkon për dyshen Berisha Meta. Natyrisht në heshtje dhe diskrecion të plot, pasi nuk duan të marrin përsipër telashet e tyre, por kanë një dëshirë për suksesin e tyre. Siç thuhej dikur në Labëri në kohë të luftës, jo pa humor, “Partia të fitojë, por Balli të mos humbas”.