Berisha dhe Bardh Spahia

Mero Baze: Armiqtë e Berishës tani janë kandidatët e tij

16 Maj 2023, 19:50| Përditesimi: 16 Maj 2023, 19:52

  • Share

Sali Berisha harxhoi disa minuta sot të shpjegonte se kandidati i tij për kryetar bashkie në Vaun e Dejës, Zef Hila, nuk e ka pranuar fitoren e kundërshtarit të tij Kristian Shkreli, edhe pse Hila e ka uruar atë në sytë e gjithë mbështetësve të tij, i filmuar nga televizionet. E shpjegoi aq gjatë që ai nuk ishte urim dhe as pranim fitoreje e tjetrit, sa thua se e kishin thirrur dëshmitar në një skenë krimi dhe po e mohonte atë.

Tërbimi i Berishës me këtë gjest lexohej qartë. Për të, Zef Hila është sot një kandidat “që i ka ngulur thikën pas shpine” atij, por këtë nuk e thotë dot në publik dhe përpiqet të ndryshojë ngjarjen, duke mohuar që ajo ka ndodhur. E ka pas disa herë në histori këtë tërbim.

Kur Edi Rama fitoi për herë të parë ndaj Besnik Mustafaj në vitin 2000 në Tiranë, ky i fundit doli e pranoi humbjen dhe u largua për disa muaj nga Shqipëria, në një program shkrimtarësh që shëtisnin me një tren. Tërbimi i Berishës që Mustafaj pranoi rezultatin ishte i papërmbajtur dhe nxirrte çdo natë nga 50 veta në protestë në sheshin “Skënderbej”, vetëm që të mohonte deklaratën e tij, ndërkohë që vet kandidati kishte ikur. I njëjti tërbim i ndodhi më 2007 me Sokol Olldashin, i cili menjëherë pas shpalljes së rezultatit doli e pranoi atë, duke uruar kundërshtarin dhe duke lënë të kuptojë se problemin e kishte me Partinë Demokratike.

Sot tërbimi i Berishës dukej shumëfish më i madh, pasi sot ka humbur thellë Sali Berisha dhe pranimi i rezultatit nga kandidatët e tij i duket si një goditje ndaj tij. E gjitha ka të bëjë me faktin se ai nuk do ta pranojë atë që ka ndodhur dhe nuk do të tërhiqet nga zaptimi i opozitës dhe marrja peng e saj. Frika e tij e vetme tani janë kandidatët e tij. Deklarata e Belind Këlliçit ishte po ashtu për t’u pasur frikë, pasi pranoi që përgjegjësia e rezultatit duhet analizuar thellë dhe ftohtë, duke parë përgjegjësinë e secilit, përfshi dhe të vetën.

Diferenca mes asaj që pranojnë kandidatët e tij politik si humbje dhe asaj që nuk pranon Berisha, është fakti që ata që humbën tani janë në rrugë, ndërsa Berisha i do ende si badigardë të tij në uzurpimin e opozitës. Zef Hila, Belind Kelliçi dhe Luciano Boçi lanë mandatet e deputetit për t’u futur në garë, dhe ky është një gjest tërësisht politik për t’u lavdëruar, edhe pse ata në një farë mënyre e gjetën këtë si zgjidhje për t’i ikur kënetës politike në Parlament, nën komandën e Berishës.

Deklarata e sotme të Berishës për të shpjeguar që Zef Hila nuk ka pranuar rezultatin dhe nuk ka uruar kundërshtarin, është kushtrimi i tij për të mos pranuar askush humbjen, pasi pranimi nga të gjithë i humbjes, është dezertim i ushtrisë së tij. Ndaj mos u çudisni pse foli aq gjatë për të na mbushur mendjen që ajo video e Zef Hilës nuk është siç duket, por është siç i duhet atij. Dhe atij i duhen kandidatët ende si ushtarë. Para 14 majit si ushtarë që do ta mbanin në fron, tani si mumie për t’u varrosur bashkë me të.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?