Sali Berisha

Mero Baze: Armiqtë e përbashkët të Sali Berishës me liderët pro rus që fituan dje

4 Prill 2022, 20:09| Përditesimi: 4 Prill 2022, 20:12

  • Share

Sali Berisha ka përshëndetur me një entuziasëm të papërmbajtur fitoren e kryeministrit hungarez Viktor Orban, jo aq për raportet personale me të, se sa për faktin që ai vlerësoi në fjalimin e fitores se kishte fituar ndaj burokratëve të Perëndimit, Xhorxh Sorosit dhe Vladimir Zelenskit. Nëse Putini do të mbante këtë javë ndonjë fjalim fitoreje, dhe ai do të kishte po këta tre objektiva të shpikura për të shpallur fitoren.

Të gjithë ata që shpikin armiq jo real, i kanë ata të njëjtë. Rasti më ilustrues është shpikja e Xhorxh Sorosit, si armik imagjinar për të krijuar psikozën e një armiku të jashtëm.

Të dy fitimtarët e djeshëm të zgjedhjeve në Serbi dhe Hungari, Aleksandër Vuçiç dhe Viktor Urban, janë dy aleatët kryesorë të Vladimir Putinit në rajonin tonë. Ata fituan zgjedhjet bindshëm në kulmin e një retorike perëndimore kundër Rusisë dhe aleatëve të saj. 

Entuziasmi i Sali Berishës dhe ngazëllimi i “Foltores” për fitoren e Orban, duket që synon të mobilizojë mbështetësit e vet, se mund të fitohet dhe kundër Perëndimit. I zhytur në hallin e vet, me sanksionet e SHBA kundër tij dhe familjes se tij, si dhe izolimin europian, Sali Berisha shpreson se fitore të kryengritësve të tillë anti- perëndimor si Orban, mund të frymëzojnë shqiptarët të shkojnë pas tij. 

Por së pari duhet të biem dakord se megjithëse Sali Berisha bën sikur është aleat me Orban, ai nuk është i njëjtë me të. 

Orban është një lider autoritar, i cili ka shpikur si rrezik të jashtëm për Hungarinë ish- hungarezin Xhorxh Soros dhe presidentin tashmë hero të Ukrainës, Vladimir Zelenski, ndërsa brenda vendit ka arritur të krijojë një shkrirje të interesave të biznesit të madh me pushtetin, duke i lënë një hapësirë të pashpresë opozitës dhe shtypit kritik me të.

Por përkundër kësaj, ndryshe nga Berisha, ai ende nuk është në listën e dhjetë armiqve botërorë të shtypit, ku Sali Berisha qëndron ende prej vitit 1997, bashkë me nëntë diktatorët më të mëdhenj të botës.

Orban po ashtu nuk ka ndonjë akuzë për vrasje politike me pushkatim në mes të bulevardit dhe papërgjegjësi në qeverisjen e vendit, deri në destabilitet politik.

Sali Berisha ka akuza të ngjashme ndaj Edi Ramës me ato që shpesh opozitarët i bëjnë Orbanit. Ky akuzon Edi Ramën se ka aleancë me ish- oligarkët e vet dhe kontrollon interesat e shtypit të lidhur me ta. Pra gjërat që adhuron tek Orban, ai bën sikur i urren tek Edi Rama, çka tregon se ai nuk ka gjë kundër atyre që i quan “vese” të Edi Ramës, por thjesht i do si privilegje të tij.

Nga ana tjetër, gjithë fushat e 25 prillit të vitit të kaluar u mbështet mbi sloganin se nuk mund të lejohet mandati i tretë për një parti në pushtet, ndërsa sot uron Orbanin për mandatin e katërt. Atëherë kur uron Orbanin për mandatin e katërt, çfarë problemi ka të mërzitesh me mandatin e katërt të Edi Ramës, përveç faktit që të gjen në moshën 81 vjeç?!

Dhe së fundmi, solidariteti i Berishës me Orbanin “nga inati i Perëndimit” është fals, pasi Berisha është një politikan i zemëruar me Perëndimin si i ndëshkuar nga Perëndimi, kurse Orbani, madje dhe Vuçiç, nuk janë të zemëruar me Perëndimin, por janë aleatë real me Rusinë. Ata e kanë reale betejën me Perëndimin, si çështje të orientimit të tyre politik.

Orban është një pro rus i deklaruar, i cili ju bashkua sanksioneve të Bashkimit Europian kundër Rusisë, por nuk ndërmori hapa personal kundër Vladimir Putinit. Përkundër kësaj, gjatë fushatës ai sulmoi ashpër presidentin Zelenski, duke e akuzuar atë se po përpiqej të minonte pushtetin e tij.

Edhe Aleksandër Vuçiç ka notuar drejt fitores mbi të tjera ujra. Ai u përpoq që furia e zemërimit serb kundër Perëndimit dhe pro Rusisë, të mos binte mbi kurrizin e tij gjatë zgjedhjeve, duke mos ju bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Putinit, por duke dënuar nga ana tjetër sulmin rus në Ukrainë, një cirk diplomatik, i një udhëheqësi që përpiqet të duket si viktimë, kur në fakt është vet autor i gjithë kësaj politike.

Ai ka përballë tij një opozitë edhe më regresive seç është vet, edhe më nacionaliste, edhe më genocidiste dhe të korruptuar, çka i jep atij shansin të kontrollojë një elektorat i cili nuk ka ndonjë dëshirë të kthehet tek lufta, por ka më shumë qejf të këndojë këngë fitoreje për luftërat e humbura.

Sali Berisha duhet ta ndajë mendjen nëse këta anti-perëndimorët e rajonit i do vetëm si anti-perëndimorë, apo edhe si pro rus. Se ata janë anti-perëndimorë të vërtetë, pikërisht se janë udhëheqësa të shoqërive pro ruse. Nuk e kanë për hipokrizi mbështetjen ndaj Rusisë. E kanë aleancë dhe strategji afatgjate.

Sali Berisha kërkon të fitojë si anti-perëndimor në një shoqëri pro-perëndimore dhe në kombin më pro-amerikan në Ballkan. Kjo nuk bëhet pa mbështetje të madhe të Rusisë, madje dhe pa pushtim të saj. 

Edhe tek beteja kundër Sorosit është jo serioz, pasi Berisha përpiqet të ndajë Sorosin nga Perëndimi.  Vladimir Putini është shpikësi i klubit anti Soros në botë. Të tjerët janë pasues të tij dhe nuk e ndajnë Sorosin nga Perëndimi. Përkundrazi mendojnë se SHBA dhe Evropa nuk janë të mirë, se janë si Sorosi.

Vetëm Berisha përpiqet të hajë bukën e Perëndimit dhe të bëjë duvanë e Putinit. Ndaj do mjaftohet të lëpijë buzët duke shijuar fitoret e pro-rusëve në Ballkan, por nuk do shijojë dot as rënien e Perëndimit në Shqipëri, as fitoren e pro-rusëve. Me peng do iki nga kjo botë.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?