Edi Rama

Mero Baze: Ata që 'vigjilojnë' ndaj Edi Ramës, për Kosovën

8 Qershor 2023, 19:45| Përditesimi: 8 Qershor 2023, 19:46

  • Share

Disa deputetë të Vetëvendosjes që kanë reaguar, aq sa dinë ata të reagojnë ata, kundër dorëzimit nga ana e kryeministrit Edi Rama, të një drafti për Asosacionin, i kuptoj. Roli i vetëm që ata kanë në politikën e Vetëvendosjes është të bëjnë zagarin sulmues të Albin Kurtit, kur ai nuk flet dot. E kanë bërë këtë dhe ndaj sekretarit Antony Blinken, ndaj të dërguarit amerikan Escobar, ndaj atij evropian, gjerman etj. Nuk kanë pse mos ta bëjnë ndaj Edi Ramës. Do ta bënin një gjë kundër tij dhe sikur ai të mos bënte asgjë. Në rastin konkret Edi Rama ka paraqitur qëndrimin e Shqipërisë tek aleatët kryesorë të Perëndimit, SHBA dhe Bashkimit Evropian, për krizën në Kosovë.

Këtë gjë realisht duhet ta bënte i pari Albin Kurti, i cili ka kohë që thotë se po bën gati disa drafte, por në fakt deri tani i vetmi draft i qartë është beteja me SHBA. Ajo që nuk kuptoj në këtë histori, është se si një deputet i LDK, A. Gashi, duhet të jetë i shqetësuar që Shqipëria paraqet një projekt për zgjidhjen e situatës në Veri. LDK është partia kryesore e opozitës dhe qëndrimi i kryetarit të Grupit Parlamentar identifikon dhe implikon dhe vet partinë opozitare në një qëndrim që ngjan më shumë i diktuar me telefon nga Sali Berisha në Tiranë, se sa nga kryetari “de jure” i LDK në Prishtinë. LDK si parti kryesore në opozitë, duhet të jetë në pararojë të presionit që qeveria e Kosovës ta paraqesë vetë një draft të Asosacionit dhe të mos presë t'ia bëjnë të tjerët. Kur them të tjerët, kam parasysh serbët dhe ndërkombëtarët.

Pastaj nëse ky deputeti i LDK apo ndonjë tjetër, njësoj si këta të Vetëvendosjes, e duan Edi Ramën të jetë doemos me serbët, le të ushtrojë presion mbi Albin Kurtin, që ta bëjë ai në vend të Edi Ramës propozimin dhe jo ta lënë Albin Kurtin të bëjë lojën e serbëve. Në filozofinë dhe identitetin politik të LDK, ka qenë bashkëpunimi me Perëndimin për të çliruar Kosovën dhe jo bashkëpunimi me Sali Berishën dhe pinjollin e tij të ri në Kosovë, Albin Kurtin. Nëse deputeti në fjalë ka sentimente dhe detyrime familjare ndaj Sali Berishës dhe Ilir Metës, mund të vijë të kontribuojë në Shqipëri për ta, por jo në Kosovë.

Aty ata kanë Albin Kurtin që u del dhe tepëron kundër Perëndimit. Nuk kanë nevojë për dikë dhe nga LDK. Përtej këtyre banaliteteve të disa delirantëve që duan të policojnë Shqipërinë, se çfarë bën për Kosovën, duhet t’u kujtoj se në kthesa të forta historike, Shqipëria gjithmonë ka ofruar planin e saj për Kosovën. Në Konferencën e Londrës në gushtë 1992, kur vendosej për të ardhmen e republikave dhe krahinave të ish- Jugosllavisë, delegacioni i Shqipërisë paraqiti platformën e Tiranës për zgjidhjen e problemit të Kosovës dhe u mbrojt nga disa diplomatë të rinj, që arritën disa suksese të rëndësishme për statusin që kishte Kosova në atë kohë, si një ish- krahinë me status juridik të autonomisë së shuar.

Në Konferencën e Rambujesë, po ashtu roli i shtetit shqiptar ka qenë vendimtar që Kosova të firmoste me Perëndimin dhe të izolonte Serbinë. Në atë kohë vetëm Sali Berisha dhe Albin Kurti me Adem Demaçin ishin kundër, pra që të lehtësonin pozitat e Serbisë me mos firmosje. Ky është momenti i tretë historik për Kosovën kur bashkësia ndërkombëtare është në anën e saj, por qeveria e Kosovës nuk është në anën e Perëndimit. Sërish Sali Berisha e Ilir Meta, jane bashkë me Albin Kurtin, në të njëjtën barrikadë kundër Perëndimit, pro izolimit të Kosovës. Qeveria e Shqipërisë e ka detyrim kushtetues të japë qëndrimin e saj, pavarësisht humorit që ka Albin Kurti dhe të ngjashmit e tij të shpërndarë nëpër parti të tjera, qofshin dhe opozitarë. Kur kjo histori të mbarojë dhe ne të bëjmë bilancin, do të jetë më e lehtë të kuptohet kush ishte në anën e serbëve, dhe kush i ndihmoi Serbisë të shkatërrojë pozitat ndërkombëtare të Kosovës. Ata që bashkëpunuan me Perëndimin për ta shpëtuar, apo ato që bashkuan Perëndimin kundër Kosovës. Njësoj si Milosheviqi 24 vite më parë.

Komento

Komente

  • Mick Jagger: 08/06/2023 21:31

    Albin Kurti eshte ne rregull ai vazhdon rrugën e tij te drejte me mbështetjen kryesore te Britanisë te tjerat o Mero jane shtatë uje e nji kos I themi ne n'Tirone.

    Përgjigju
  • Sbei: 08/06/2023 20:45

    Cfare thu mre mero? I lexon keto artikujt para se ti publikosh?

    Përgjigju
  • WC muhabet: 08/06/2023 19:52

    Ky tha nuk i fut hundët në Kosovë, s'jam babai i kombit. Tash po bën të kundërtën.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?