Pas skandalit të djeshëm të “Fiks Fare”, që demonstroi se si një gazetare plotësoi pa pengesa formularin për të qenë delegate në Kuvendin e PD, një nga zëdhënëset e radhës së “Foltores” u përpoq të mbulojë skandalin, duke shpjeguar se përveç delegatëve, ka plot demokratë që kanë dëshirë të plotësojnë formularin, por ata do të filtrohen për të shkuar në Kuvend.
Si për ta banalizuar deri në fund këtë process, “Fiks Fare” ka vazhduar dje të tallet me këtë histori në Fushë Krujë, ndërkohë që Berisha fliste për legjitimitetin e firmave dhe se si ato “do skaliten në murin e lavdisë së shqiptarëve”.
E njëjta gazetare që ka firmosur në Sarandë, ka firmosur sërish në Fushë Krujë. Si për ta bërë banale deri në fund, bashkë me të ka firmosur dhe një tjetër, me po aq lehtësi, dhe të gjitha këto, të dokumentuara.
Tani do të dalë përsëri kjo zëdhënësja e Foltores dhe të shpjegojë se dhe këta dy formularët do t’i grisin, pasi u mor vesh që nuk janë demokratë por socialist, dhe se jo të gjithë ata që firmosin do shkojnë në Kuvend.
Kjo deklaratë pranon se plotësimi i formularëve është një proces tërësisht i lirë, pa rregulla dhe kritere, pa datë kur thërret Kuvendin dhe pa mandate përfaqësimi. Janë thjesht letra të printuara që paraqiten si mandate.
Deri tani “Foltorja” ka shansin të grisë tri formularë të plotësuar nga ata që tallen me “Foltoren”, por ky proces tregon se ai pirg letrash është tërësisht jolegjitim dhe nuk ka më asnjë vlerë juridike dhe politike.
Ai mund të vlejë vetëm për të formuar një parti të re, por jo për të çertifikuar një rrugë ligjore se si mund të mbledhë Kuvendin e PD.
Po ti shtosh kësaj dhe humbjen e durimit që po shfaq Berisha, duke i bërë thirrje grupit parlamentar të PD të pozicionohet, ose me atë, ose me SHBA, jemi fiks para një situate të tillë.
Prandaj Berisha është mirë t’i ruajë ato firma, të ndryshojë kokën e letrës dhe më 11 dhjetor të formojë Partinë Demokratike të Rindërtuar, një emër që zakonisht e përdornin këto partitë komuniste pro Enver Hoxhës, kur ne u prishëm me Kinën revizioniste.
Kjo nënkuptonte që partia mëmë, ishte revizioniste dhe ishte bërë agjente e SHBA dhe imperializmit, ndaj duhej një parti e rindërtuar. Berisha është fiks në këtë moment. Nuk duhet ta humbasë.