Sali Berisha

Mero Baze: Berisha me “fakte të reja” rreth 21 janarit

8 Maj 2022, 19:58| Përditesimi: 8 Maj 2022, 20:03

  • Share

Dje Sali Berisha është kapur në befasi të komentonte rreth katër të vrarëve të 21 Janarit prej tij. Në fillim u hutua dhe i ngatërroi me të vrarët në Gërdec. Nuk ka faj, se ka së paku 30 të vrarë në dy mandate qeverisje vetëm për të mbrojtur djalin e tij dhe partnerin e tij në qeveri. Dhe të vdekurit i ngatërrohen. 

Por më në fund kur e kuptoi se bëhej fjalë për ata që kishte vrarë në bulevard, katër persona, të paarmatosur, të parrezikshëm dhe të pambrojtur kur u vranë, ai u justifikua se ata qëlluan me plumba kundër kryeministrisë dhe janë shenjat në xhamat e dritareve. 

Vrasjet e 21 Janarit janë nga të paktat vrasje politike në botë të regjistruara “live”. Shikohet mirë kush vret, kush vritet dhe çfarë kanë në duar ata që vriten dhe ata që vrasin. 

Ka një ekspertizë të prokurorisë shqiptare për vendin e ngjarjes që dëshmon për gjurmë plumbash nga brenda- jashtë dhe asnjë gjurmë plumbash nga jashtë- brenda. Si për çdo krim të tij edhe për këtë krim, Sali Berisha jep më shumë se pesë variante që të krijohet kakofoni dhe njerëzit të mos merren me të vërtetën. 

Për këtë ngjarje një herë ka thënë që ishte vrasje nga vet Edi Rama dhe opozita, pastaj ka thënë se protestuesit ishin të armatosur me çadra pistoletë dhe thika me helm nga gjarpërinj të Mashkullorës (Nuk di pse e kishte zgjedhur helmin e gjarprit nga Jugu, se dhe në Tropojë nuk janë më të butë gjarpërinjtë), pastaj tha se ata u vranë ngaqë ishin pjesë e një grushti shteti organizuar nga presidenti, kryeopozitiari dhe kryeprokurorja. Versioni tjetër ishte se ata janë vrarë në një moment provokimi të Gardës që ka hapur zjarr mbi ta. Dje tha se ata janë vrarë se kanë qëlluar me armë dhe dinamit mbi gardën dhe xhamat e kryeministrisë. 

Të vërtetën ne e kemi parë “live”. Dhe prokuroria e ka të dokumentuar. Dëshmitari kryesor i këtij krimi është Sali Berisha. Këtë e ka marrë përsipër edhe vetë. 

Tani, pavarësisht shpikjeve procedurale që mund të bëjë prokuroria, e cila ende ka frikë Sali Berishën, kur në një ngjarje vriten katër vetë, kur hetimi i tyre nuk ka përfunduar dhe nuk ka akoma një fajtor për vrasjen e së paku dy prej tyre, është e patolerueshme si profesionalisht, por dhe sa i përket përgjegjësisë publike të hetimit, të mos thirret për të dëshmuar dëshmitari kyç i këtyre vrasjeve Sali Berisha. 

Siç mund ta shikoni, ai deri më sot ka dhënë pesë versione të vrasjes së tyre duke u tallur me shqiptarët dhe të vrarët. 

Prokuroria e ka detyrë ta thërrasë dhe të japë një version zyrtar për prokurorinë. Le të zgjedhë kë të dojë nga këta të pestë që ka dhënë në publik. Në çdo rast, do të shërbente për të kuptuar se cili ishte perceptimi i palës vrasëse në momentin e krimit. Më tej gënjeshtrat e çojnë vetë në qeli.  

Por mos prisni që Sali Berisha të vijë vetë në prokurori. Minimumi duhet një fletëthirrje për të dëshmuar personi kyç në një vrasje, meqë ka nxjerrë dhe versionin e fundit. Prokuroria duhet ta bëjë këtë, qoftë dhe për ta “falënderuar”, meqë e ka frikë ta pyesë si të përfshirë në vrasje. Por nuk mund ta lënë të tallet me shqiptarët dhe sa herë i kujtohet të shpikë nga një version për vrasjen e tyre, duke i poshtëruar dhe të vdekur. 

I ka vrarë, dhe i ka çuar në botën tjetër, nuk i ka hequr nga puna. Siç kanë frikë prokurorët tanë.  

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?