Sali Berisha

Mero Baze: Betejat e Berishës për 'përfillje' aksidentale

27 Maj 2022, 19:30| Përditesimi: 27 Maj 2022, 19:32

  • Share

Gazmend Bardhi ka të drejtë për atë që ka ndodhur sot në Komisionin e Ligjeve në Parlament, ku socialistët kanë votuar Simon Mirakaj për  anëtar të Autoritetit për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit. 

Kryeministri Edi Rama ka një qëndrim publik ndaj propozimeve që vijnë nga Sali Berisha, duke e konsideruar atë të “vdekur”. Të njëjtën gjë ka përsëritur dhe Taulant Balla, në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar.

Simon Mirakaj mund të jetë anëtar i atij bordi pasi ka qenë dhe më parë, dhe ky nuk është një sulm ndaj tij personalisht. Por ai nuk mund të jetë aty i propozuari i Sali Berishës. Problemi është që socialistët duhet t’i përmbahen standardeve që deklarojnë, në raport me Sali Berishën. 

Në disa raste Sali Berisha është përpjekur javët e fundit të faktorizohet duke bërë propozime që të pranohen nga Kuvendi i Shqipërisë. Në disa raste ka bërë manovra duke deklaruar publikisht kërkesa dhe duke mos i firmosur ato, kur shkojnë në Kuvend.

Ky është një rast, kur ai e ka firmosur këtë kërkesë dhe kjo duhet të kthehej mbrapsht. Meqë Komisioni i Ligjeve nuk e ka bërë, atëherë duhet ta bëjë me votë Kuvendi i Shqipërisë dhe duhet ta rrëzojë.

Distanca ndaj Sali Berishës nuk është persekutim politik, por distancë nga një standard i vendosur nga SHBA, si certifikuesja më e lartë e standardeve të demokracisë në botë, me të cilën ne jemi në aleancë strategjike si komb.

Shqipëria nuk ka luksin të zgjedhë mes Sali Berishës dhe SHBA. Ai po përpiqet me aq fuqi sa ka, të krijojë një Shqipëri anti-amerikane, në krye të së cilës të sundojë këtë vend, por nuk do ta arrijë kurrë.

Çdo përfillje e tij është një cenim i standardeve të demokracisë në vend, pasi respekton një minues të demokracisë, një njeri të përfshirë familjarisht në korrupsion madhor dhe shantazhues të drejtësisë.

Në këtë rast, qoftë dhe një lëshim i vogël si ky i sotmi, qoftë dhe nga pakujdesi proceduriale, duhet të korrigjohet me votë të deklaruar në Parlament, kundër çdo kandidature që ka mbështetjen e tij. 

Sali Berisha është i kujdesshëm dhe nuk lë rast pa sulmuar çdo gjë amerikane në vend, që nga projekte kulturore si Butrinti, projekte energjitike si Skavica, projekte si ai i TEC të Vlorës etj. Madje ai dhe kur “ngushëllon” për viktimat e masakrës së Teksasit, gati sa nuk thotë që i ka vrarë presidenti Biden, i lidhur me Edi Ramën. 

Në një tjetër truk banal, Sali Berisha ka përgatitur një “aktivitet” rreth 15- vjetorit të vizitës së presidentit Bush në Shqipëri, madje ka urdhëruar dhe ambasadoren Yuri Kim të shkojë të mbajë fjalim.

Natyrisht që nuk do t’i shkojë njeri, por ai, me stilin e tij si me atë “rezolutën e Srebrenicës”, do akuzojë pastaj ambasadoren amerikane, që është anti-amerikane, se nuk respekton  vizitën e presidentit Bush.

Por në fakt shpresa e tij e fshehtë është se mos dikush se ka mendjen dhe shkon i jep dorën. Siç kanë bërë socialistët sot.

Mungesa e vëmendjes ndaj trukeve të tij për t’u dukur i përfillur para trushpëlarëve të vet, është gabim i rëndë politik, i cili duhet korrigjuar një orë e më parë, që askujt të mos i shkojë mendja se atij do t’i zgjatet ndonjëherë dora në këtë vend.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?