Sali Berisha

Mero Baze: Çelja e negociatave, si një 'nder' edhe prej Sali Berishës

15 Tetor, 20:34| Përditesimi: 15 Tetor, 20:36

  • Share

Nuk e kam fjalën për rëndësinë historike të ditës së sotme. Nuk kemi ndërmend t’i kujtojmë Sali Berishës se historia po shkruhet pa atë. Është dhe më keq. Historia po shkruhet kundër tij, në ditëlindjen false të tij.

Pika më e rëndësishme ku u lavdërua sot Shqipëria, në ditën e çeljes së negociatave, ishin ndëshkimet me burg që ka dhënë drejtësia në betejën kundër korrupsionit, sidomos ndaj njerëzve të paprekshëm të politikës.

Dhe një prej atyre që “shkëlqejnë” në këtë listë”, ku natyrisht ka më shumë socialistë të pushtetit, është Sali Berisha.

Një nga arsyet përse ne sot po na hapen negociatat është dhe fillimi i ndëshkimit ndaj tij. Madje dhe detyra më e rëndësishme që BE i la Shqipërisë ishte thellimi i kësaj lufte të drejtësisë së re kundër njerëzve me pushtet të korruptuar.

E gjithë kjo është një ridënim për Sali Berishën dhe mbështetësit e tij, të cilët sapo kanë nisur një “intifadë” në Shqipëri, me molotovë dhe llastiqe me gurë, për të shpëtuar Sali Berishën dhe të tjerë nga drejtësia. Madje me këtë shpresonin të pengonin dhe hapjen e negociatave.

Në fakt me këtë ata shpejtuan hapjen e negociatave. Futja nën hetim zyrtarisht e Sali Berishës i ka bërë nder dhe jo dëm Shqipërisë. Ne po hyjmë në Evropë edhe për këtë shkak.

Dhe ky është nga nderet e pakta që Berisha i ka bërë Shqipërisë, pa dëshirën e tij.

Por ky nder që i ka bërë Shqipërisë është një ridënim për të dhe kauzën e opozitës, të cilët gjithë investimin e tyre politik e kanë tek lirimi i Sali Berishës dhe mbrojtja e tij nga drejtësia. 

Tani zyrtarisht, opozita më e madhe në Shqipëri, që ende është e vogël, ka objektiv të saj të kundërtën e prioritetit që duhet të ketë Shqipëria për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Ndërsa BE na ka vënë notën 10 për ndëshkueshmërinë e politikanëve, ata kanë objektiv madhor shpëtimin e tyre nga drejtësia. Natyrisht këtu do të fitojë objektivi i Perëndimit dhe jo e çetës plakë të Berishës, dhe ky është ridënimi i ri i tij, tanimë prej objektivit që ka Shqipëria për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian.

Ato që opozita i quan ndëshkime politike, në fakt BE i quan meritat kryesore të Shqipërisë në këtë rrugë, që tani edhe duhet të thellohen.

Dhe kjo nënkupton që Berisha mund të ndryshojë penxheren ku del, por jo të ardhmen e Shqipërisë.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?