Arben Ristani dhe Lulzim Basha

Mero Baze: Diferenca mes Arben Ristanit dhe Lulzim Bashës, para së njëjtës akuzë

18 Qershor 2019, 21:22| Përditesimi: 18 Qershor 2019, 21:23

  • Share

Lulzim Basha dhe Arben Ristani janë marrë të pandehur nga Prokuroria me të njëjtën akuzë, për të njëjtën vepër penale dhe nga indicie të njëjta, të ardhura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Bëhet fjalë për pagesën që një kompani me pronarë rus,  ka bërë për llogari të Partisë Demokratike tek një lobist i saj.

Lulzim Basha refuzoi dje të shkonte në Prokurori, pasi pretendon se nuk është njohur me dosjen dhe me kërkesat e Prokurorisë për të. Në të vërtetë, refuzoi të shkonte, pasi shpreson se zhurma e përgjimeve që ka shitur kunati i tij tek “Bild”, mund të mbulojë jehonën e një lideri opozite nën hetim në tre shtete, Shqipëri, Skoci dhe SHBA.

Por që të jemi të qartë, sot njëri prej të pandehurëve shkoi në Prokurori dhe u njoh me akuzat. Dhe bëhet fjalë për ish- sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, i cili është në karrierë ish- gjyqtar dhe avokat.

Pra Arben Ristani shkoi në Prokurori, u njoh me dosjen e tij dhe doli bëri deklarata politike. Kjo e fundit është punë e tij.

Tani Lulzim Basha, i cili ka të njëjtin status për Prokurorinë, si Arben Ristani, pse refuzon shkuarjen para drejtësisë?

Një shpjegim mund të jetë, pasi Arben Ristani ndjehet njeri i hedhur në rrugë dhe e di mirë që nëse e kap furgoni i policisë dhe e çon në Prokurori, nuk reagon njeri tek PD. Bile ndonjëri dhe mund të gëzohet. Kjo është një shenjë se PD është një grup i gatshëm që kujdeset vetëm për të shpëtuar nga drejtësia Lulzim Bashën.

Një shpjegim tjetër mund të jetë fakti që Arben Ristani ndjehet i tradhtuar nga Basha dhe i keqpërdorur në atë histori, dhe ka shkuar me dëshirë për të bërë diferencën me Bashën dhe për të dëshmuar mungesën  e përgjegjësisë ligjore që ai ka, në këtë skandal financiar.

Por sido që të jetë, është e qartë se mos shkuarja  e Lulzim Bashës në Prokurori është e papërligjur dhe nuk ka arsye për mos paraqitje.

Tek shkuarja e Arben Ristanit mund të vazhdosh e të gjesh dhe arsye të tjera, përse ka shkuar, por s’ka asnjë arsyetim pse Lulzim Basha mund të refuzojë shkuarjen.

Përpjekja e tij pë të heroizuar përballjen me drejtësinë, me shpresë se do të mbrohet politikisht, siç ka bërë dhe dhjetë vjet më parë, me një tjetër akuzë penale të Prokurorisë ndaj tij, thjesht forcojnë biografinë e tij si njeri që i ikën drejtësisë.

Diferenca që Arben Ristani bëri sot me shkuarjen në Prokurori, tregon se imuniteti politik në Shqipëri, vlen vetëm për kreun e partisë, për atë që e ka mandatin e kryetarit si imunitet për të mos u hetuar dhe gjykuar.

Se në PD duket që para ligjit nuk janë të gjithë të barabartë, por Luli është dhe më i pabarabartë se të tjerët.

Komento

Komente

  • Mbarime: 18/06/2019 22:29

    Mbase Ristani eshte trim ,kurse ai Basha eshte frikacak....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?