Ismail Kadare

Mero Baze: Disa shënime që tregojnë si e mbrojti Kadare novelën 'Nata me Hënë' para studentëve

2 Korrik, 07:54| Përditesimi: 2 Korrik, 08:00

  • Share

I gjeta kohë më parë këto shënime në një bllok të kohës studentore. Ishte Tetor i vitit 1986. Ismail Kadare kishte njoftuar një takim me studentët në Kinemnë e Qytetit “Studenti”, një vit pas ndalimit të novelës “Nata me Hënë”.  

Duke qenë i angazhuar pranë redaksisë së gazetës “Studenti” mu desh të mbaja shënime për gjithë bisedën e tij me studentët. Çerçiz Loloçi që kishte organizuar takimin, më siguroi një qoshe në fund të tribunës ku mund të dëgjoja përgjigjet e tij dhe të kaloja në duar dhe pyetjet që nga salla shumica bëheshin me shkrim pasi nuk donin të identifikoheshin. 

Ishte dhe hera e parë që e shihja aq afër dhe e takoja Ismail Kadarenë. Takimi filloi me pyetje rreth rolit të figurave historike në letërsi duke u sjell rreth figurës së Enver Hoxhës tek “Dimri i Madh”. Ismaili e mbrojti idenë se pasqyrimi i figurave historike në letërsi nuk prodhon kult individi, nëse ka një vështrim realist. Ai argument solli faktin se për figurat më të mëdha të komunizmit në botë nuk kishte një letërsi serioze. Kështu tha se për Marksin  është vetëm një roman “Rinia e Marksit” nga një autor sovjetik që ai e vizatoi si mediokritet. Po ashtu tha se për Leninin që përmbysi botën, ka disa përshkrime romantike mediokre. Njëjtë dhe për Stalinin. 

“Kur vendos atë shkruaj ”Dimrin e Madh” vendosa ti bëj një përshkrim rembrandesk. Po. Dhe e bëra:”.  Më pas erdhi pyetja për novelën “Nata me Hënë, të cilën po e riprodhoj nga blloku si e kam mbajtur shënim. 

“Çfarë mendoni për novelën “Nata me hënë”? 

-Po ju çmendoni(Të qeshura në sallë). 

Për “Nata me hënë” kam lexuar vetëm, një kritikë në shtyp atë të një vajze gjimnaziste.(qesh) Atë nuk e njoh.  

Problemi është se aty nuk u pëlqen një Sekretar partie i keq. Ky është vlerësim skematik. Ka sekretar partie të shkëlqyeshëm gjysmë të shkëlqyeshëm dhe aspak të shkëlqyeshëm, ashtu siç ka dhe punëtorë të tillë. Jo gjithmonë intelektualët janë të këqinj ashtu si jo gjithmonë punëtorët janë të mirë. Vlerësimi shpirtëror i karakterit sipas kastës sociale është skematik dhe antimarksist. Pastaj populli shqiptar do të na dal i ndarë në kasta profesionale.  

Kryesore është shqetësimi që e nxjerr veprën, dhe unë atë shqetësim e kam ndjerë, ndaj e kam shkruar veprën. Aty ndoshta ka diçka që i trazon lexuesit dhe ndoshta ndoshta është dhe ajo që më ka trazuar dhe mua që e kam shkruar.” 

Analiza e tij gjakftohte dhe natyrisht tejet e guximshme për tu thënë në një audotir aq të gjerë por shumë miqësor me të, ishte një dërrmim i skematizimit të realizmit socialist, duke bërë personazh negativ një sekretar partie dhe duke diskretituar amoralitetin e një shteti që përpiqej të shfaqej puritan. 

Teza e tij se nëse do të biem në këtë skemë, do të na duhet të ndajmë popullin shqiptar në kasta profesionale, për ta kuptuar kush është i mirë apo i keq, ishte elektrizuese për studentët të cilët ishin sy e vesh të kapnin çfarë mundin nga fjalët e tij. 

Vështrimi i tij i përhumbur kur pa reagimin pozitiv në sallë, u shoqërua nga një buzëqeshje e pambaruar, pa adresë dhe pa gëzim sikur i vinte keq për ata që nuk ishin në sallë, dhe nuk po dëgjonin se çfarë po ndodhte aty. 

Më poshtë biseda vazhdoi për materialin jetësor tek “Rënia e Ttrojës”, romanin “Gjakftohtësia” , “Dosjen e Homerit”, pikëpamjet e tij mbi disidentët rus, letërsinë amerikane, pastaj ju përgjigj një pedagogu francez që jepte frëngjisht në Filiologji mbi letërsinë franceze, etj.  

Foli dhe për novelën “Krushqit janë të ngrirë” që lidhej me ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë dhe tregoi se personazhi kryesor është gruaja e shkrimtarit Esad Mekuli, mjeke, e cila akuzohej nga TANJUG për ato çfarë shkruhet në novelë. Foli dhe për Ivo Andriç dhe romanin e tij “Ura mbi Dri”, ku tha se flet mirë për shqiptarët edhe pse është ngatërruar në një histori politike kundër shqiptarëve. Është fjala për memorandumin e Ivo Andric rreth çështjes shqiptare në ish Jugosllavi. Në fund foli dhe për “Përbindëshin” por pa dhënë shumë shpjegime. 

Pas disa ditësh çdo student i interesuar për letërsinë apo politikën dinte përmendësh çfarë kishte thënë ai në atë sallë. Unë për fat i kam mbajtur shënim, por dhe pa e gjetur këtë bllok i mbaja mend të gjitha.

Dhe kaq mjafton si përgjigje për të gjithë ata që nuk duan ta pranojnë se Ismail Kadareja ishte ushqimi i vetëm shpirtëror për shoqërinë shqiptare dhe veçanërisht rininë shqiptare që kërkonte përtej asaj çfarë ofronin shijet e regjimit në Shqipëri./TemA

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?