Sali Berisha

Mero Baze: Disa të mira nga rrëmujat  e së shtunës 

11 Nëntor 2022, 19:56| Përditesimi: 11 Nëntor 2022, 19:59

  • Share

Të gjithë ata që kanë rezerva për Sali Berishën dhe Ilir Metën, që kanë marrë peng opozitën dhe janë të shqetësuar nga dhuna e mundshme në mitingun e së shtunës, duhet të shikojnë dhe anët pozitive të kësaj proteste.

Ndryshe nga çdo protestë, që ka gjithnjë vlerë për ndërgjegjësimin e shoqërisë apo presionin ndaj qeverisë, kjo protestë nuk e ka këtë funksion. Nuk e ka se e ka shpërdoruar qindra herë si Sali Berisha, ashtu dhe Ilir Meta, i cili mitingun e fundit të madh që paralajmëroi e nisi kundër Edi Ramës dhe e përfundoi kundër Berishës tek varrezat e Sharrës.

Por cilat janë të mirat e kësaj marrëzie që do shpaloset nesër në rrugë?

E para, është aspekti financiar i saj. Duke mos qenë një protestë që buron nga revolta popullore, por nga përpjekja katër mujore e opozitës për të bërë mitingun e dytë pas atij të 7 korrikut, është një protestë e financuar prej tyre.

Nuk jam me teorinë e Edi Ramës që financohet nga rublat ruse, se ata kanë hallet e tyre tani. Është më mirë se kaq. Financohet nga lekët që Berisha dhe Meta  u kanë marrë shqiptarëve me historitë e pafundme korruptive në pushtet. Ndonëse Meta dhe i ka harxhuar herë pas here, Berisha nuk e ka futur kurrë dorën në xhep nga buxheti i tij për protesta. Gjithnjë u ka marrë të tjerëve. 

Nuk e përjashtoj mundësinë që dhe sot ka disa biznesmenë, nga ata që marrin 10 nga Rama e japin 2 tek Berisha, qe ai të mos u përmendë emrin. Por ama djali i tij po paguan. Kjo është e qartë.

Bashkë me ortakët e tij që gjenden pas çdo ndërtimi në Tiranë apo bregdet dhe pas çdo koncesioni ende të pambaruar nga koha e Berishës, ai për herë të parë po hedh para nga “sepetja” e babait për mediat dhe protestat. 

Kjo është gjë e mirë. Në mungesë të drejtësisë, në mungesë të një shteti ligjor, në mungesë të një mekanizmi për t’ua marrë lekët që u kanë vjedhur shqiptarëve, këto pagesat për protesta janë një lloj ndëshkimi.

Kur e shikojnë që mbeten vetëm, detyrohen të paguajnë dhe nga ato që kanë hequr mënjanë për ditë të keqe U ka ardhur dita e keqe në derë. Dhe nesër se paku 1 milion euro po i nxjerrin me dhimbje nga xhepat.

E mira e dytë e madhe, është politike. Shqipëria ka nevojë të ndahet politikisht në këtë betejë, me fraksionin anti-perëndimor të Shqipëri, të cilët i fryjnë zjarrit te destabilizimit me shpresë se ndihmojnë sadopak në krijimin e aleateve të rinj, tani që u mungon Perëndimi.

Paralajmërimet për dhunë, për marrje Kryeministrie, e broçkulla të tjera, janë të rëndësishme për të vizatuar portretin e tyre dhe për  të kuptuar talibanizmin shqiptar.

Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë ndihmuar në ketë drejtim dhe kjo është gjë pozitive. Siç e ka pas thënë dhe vet Berisha, sa herë nuk ke gjë në vijë, duhet të ngresh zërin, “të trembësh kë të trembësh”, tani ai më shumë po tremb të vetët, se shqiptarët dhe qeverinë.

E mira e tretë, është Partia Socialiste në pushtet, e përgjumur nga rehatia elektorale dhe e lodhur me beteja të vogla të brendshme për pushtet, ka shansin të zgjohet nga letargjia e pushtetit dhe të pozicionohet politikisht. Atë që s’po ua bën dot Edi Rama me gjimnastikën e tij të tryezave nga Jugu në Veri, ua bën Berisha me Metën me marrëzinë e protestës së dhunshme.

Këto janë tri të mirat që rrëmuja e së shtunës i bën shoqërisë shqiptare. I harxhon ca lekë nga lekët e vjedhura Berishës e Metës, i pozicionon ata më fort kundër Perëndimit dhe rizgjon një ndërgjegjie politike tek partia në pushtet, duke e futur ne llogore.

Të tjerat pastaj i njohim se çfarë janë. Disa xhama të thyer, disa pllaka të shqyera, disa haxhiqamilistë të lodhur me shtiza dhe hunj, dhe në fund rikthimi me furgona e autobusa, pasi paraqiten tek Zeni për të marrë lekët e ditës. Mirupafshim në rrëmujën tjetër.

S.C/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?