Kreu i partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish kryeministri Sali Berisha

Mero Baze: Dy beteja shqiptare që ngjalli lufta e Ukrainës

24 Shkurt 2023, 19:44| Përditesimi: 24 Shkurt 2023, 19:48

  • Share

Një vit pas agresionit rus  mbi Ukrainën, ka dy zhvillime të rëndësishme në Shqipëri dhe Kosovë që lidhen me të. Agresioni rus ka ri dimensionuar qëndrimin ndaj raporteve Serbi Kosovë , ndërsa në Shqipëri shpartalloi fraksionin opozitar antiperëndimor që po merrte jetë nën drejtimin e Sali Berishës dhe Ilir Meta/j. 

Së pari agresioni ndaj Ukrainës, riktheu vëmendjen tek problemi i papërfunduar i Kosovës, në raport me Serbinë, i cili kishte hyrë në një rrugë plot mëdyshje dhe kishte nisur të krijonte një lodhje në Perëndim.  Ai zgjoi perëndimin për rrezikun e ndikimit rus në Ballkan, duke e parë konkretisht këtë rrezik me provokimet drejt veriut të Kosovës dhe me mëdyshjet e Serbisë për të mbajtur një këmbë në Moskë dhe tjetrën në Bruksel. 

Serbia e cila në vitin 1999 u vu në pozitë të vështirë para botës dhe shkoi drejt bombardimit për shkak të shqiptarëve, po forconte pozitat e saj në perëndim, ngadalë por në rrugë të sigurt.  Agresioni rus në Ukrainë, rivuri në pozitë të vështire Serbinë, e cila nga një anë nuk ju bashkohet sanksioneve kundër Rusisë dhe nga ana tjetër voton rezoluta politike kundër saj, në përpjekje për të mos dobësuar pozitat e saj ën Perëndim. 

Kjo në të vërtet është i vetmi avantazh që Kosova ka sot në botën perëndimore kundrejt Serbisë, nëse nuk do të shpërdoroj mbështetjen e perëndimit.  Por që rikthimi i vëmendjes tek Kosova për shkak të konfliktit në Ukrainë, të përdoret si një shans i ri për Kosovën, duhet që kjo e fundit të jetë në një gjatësi vale me Perëndimin për hapat e mëtejshëm të një procesi të lodhshëm por pa alternativë, të bisedimeve me Serbinë për njohje përfundimtare. 

Konflikti e ka vënë Kosovën në pozita të favorshme përsa i përket vëmendjes perëndimore, por në të njëjtën kohë i ka dënuar gjithë liderët politikë në Kosovë që në këtë histori të jenë ose me perëndimin ose në mëshirë të Rusisë të cilën në fakt e kanë të dera e shtëpisë. 

Në të njëjtën kohë konflikti në Ukrainë për herë të parë ka pasur një rezatim dhe vëmendje dhe në Shqipëri, duke provokuar tema të nxehta të debatit politik që përfunduan në telenovela rreth lidhjeve ruse në politikën shqiptare. 

Konflikti i cili e gjeti Shqipërinë në mesin e një beteje për të krijuar një front opozitar antiperëndimor, si fraksion të opozitës shqiptare, nga Sali Berisha dhe Ilir Meta/j, i vuri në vështirësi fraksionin antiperëndimor të opozitës, pasi i afishoi  ata në shoqërinë shqiptare, si një fraksion me kundërshtarë të njëjtë si Putini, pra si armiq të perëndimit. 
Kjo i kompleksoi, i konfuzoi dhe në fund po i bën qesharak. Mjafton të shikoni se si ata e nisën “revolucionin”, nën moton që “të shpëtonin Shqipërinë nga SHBA” dhe po e vazhdojnë me moton “të shpëtojmë SHBA nga Edi Rama”.  

Është kjo arsyeja që në mitingun e sotëm pro Ukrainës kishte më shumë njerëz, madje disa herë më shumë se sa në protestën e djeshme të revolucionit të Berishës dhe Metës.  Është diferenca që shqiptarët bëjnë mes armiqve të Perëndimit dhe viktimave të Rusisë. Dhe këtë e kemi dhuratë nga beteja e Ukrainës. 

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?