Nëse do të kuptosh se ku ka përfunduar misioni historik i Partisë Demokratike këto 32 vite të jetës së saj, mjafton të shikosh arsyet përse ajo ka lindur dhe arsyet përse ajo lufton sot. Më 1990 ajo lindi si partia që do përmbyste komunizmin dhe do të shpëtonte shqiptarët duke i bashkuar ata me Perëndimin, kurse sot është një parti që lufton natë e ditë për të shpëtuar udhëheqësin e saj nga perëndimi.
Më 1990 ajo lindi si parti që do përmbyste kultin e Enver Hoxhës si udhëheqës i pazëvendësueshëm, sot pas 32 vitesh, ajo lufton të mbroj Sali Berishën si udhëheqësin e vetëm të saj pas 32 vitesh në krye të saj.
Më 1990 ajo lindi si partia që do çlironte shqiptarët nga varfëria dhe ironizonte për këtë bllokmenët që ishin në shtëpi me qira, sot dy udhëheqësit kryesor të opozitës e drejtojnë Shqipërinë nga vilat e tyre në Gjirin e Lalzit dhe rezidencat luksoze në Tiranë.
Do të mjaftonin këto tri objektiva madhore të saj të kthyera sot kokëposhtë, për të kuptuar se pas 32 vjetësh Partinë Demokratike e mundi komunizmi që nuk luftoi kurrë brenda saj, por bënte sikur e luftonte tek kundërshtarët.
Dështimi i parë tragjik i PD, është ai i kthimit nga partia e parë antikomuniste properëndimore, në një repart talibanësh kundër Perëndimit, ku nga mëngjesi në dark vetëm sulmojnë diplomatët amerikanë britanik dhe evropianë vetëm se kanë izoluar Sali Berishën.
Nëse më 1990 argumentet pro perëndimit mbështeteshin në historinë e Shqipërisë në orientimin e saj perëndimor dhe në faktin që Shqipëria është një shtet i krijuar nga mbështetja perëndimore, më 2022, argumentet kundër Perëndimit janë se SHBA dhe Britania e Madhe kanë fyer “Babin e Zenit”, duke e shpallur hajdut familjarisht dhe minues të demokracisë.
Pra nëse 32 vite më parë për të qenë pro perëndimit kishim argument historinë e Shqipërisë, pas 32 vitesh për të qenë kundër perëndimit kemi parasysh historinë dhe hallet e familjes së Sali Berishës, e cila të vetmin mall perëndimor që nuk e ka shpallur ende armik, janë të brendshmet e dyqanit nuses.
Nëse më 1990 argumentet kundër mbretërimit 40 vjeçar të Enver Hoxhës në krye të PPSh, ishin rreziku i kultit të individit, i cili kishte eliminuar edhe fizikisht gjithë kundërshtarët e tij, sot argumentet për të forcuar kultin e Sali Berishës, janë se atë e ka prere në besë Lulzim Basha, si i shitur tek amerikanët dhe britanikët. Pak a shumë si argumentet false të Enver Hoxhës për Mehmet Shehun, Koco Tashkon apo Todi Lubonjën, por me pamundësinë, për ta vrarë apo futur në burg.
Pra 32 vite më pas, beteja kryesore e PD është si ta forcoj “Enverin” e saj dhe jo si të vazhdoj misionin për të cilën është krijuar.
32 vite më pas, Partia Demokratike e Sali Berishës, nuk ka më asnjë gjë të përbashkët me Partinë Demokratike që u themelua më 12 Dhjetor 1990, përveç Sali Berishës. Ai është i vetmi që ka mbetur si fosil i një partie që e zhduku për të mbijetuar duke eliminuar gjithkënd që e themeli dhe kontribuoi në atë parti për 32 vite.
Ai është i vdekuri dhe i gjalli i vetëm që bashkon PD e vitit 1990 me mbeturinat e saj të sotme. Pjesa tjetër e Partisë Demokratike është sot në shtëpi ose në përpjekje për ti rezistuar këtij fundi të turpshëm të PD, duke u përpjekur të identifikohet me vlerat e PD së vitit 1990.
Të gjithë ata që duan të bëjnë krahasimin se nga ka shkuar më shumë PD, nga ata që ka zbuar Berisha për të mbretëruar i vetëm, apo pas Berishës, është mirë të kujtojnë se edhe më 1991 “Vullnetarët e Enverit” dukej sikur do ti mbysnin socialistët e rinj që distancoheshin nga Enver Hoxha, por disa muaj më vonë ishin qesharak.Këta janë qesharakë qysh tani.
Thjesht, paster, bukur shkrim realist
PërgjigjuJo që jam adhurues i ndonjerit nga politikanët, por Mero B është bërë aq monoton sa edhe i neveritshëm kur kalon qdo kufij
Përgjigju