Sali Berisha

Mero Baze: Ëndrrat e Berishës pas 6 marsit

2 Prill 2022, 20:01| Përditesimi: 2 Prill 2022, 20:05

  • Share

Sali Berisha e ka gjetur formulën se si të duket i fituar. Ka filluar shpik një fabul, sikur ka diçka në dorë dhe pastaj e refuzon, për të treguar se asgjë nuk bëhet pa të dhe në fund i kërcënon armiqtë e vet se nuk do t’i lejojë kurrë të bëjnë pazar me të. Kjo psikozë reflekton thellë atë që në fakt e mundon, mospërfillja nga kundërshtarët dhe të qenit i parëndësishëm për ta. Madje dhe për atë që mendon se e ka mundur, Lulzim Bashën.

Gjithë sjellja e tij në publik reflekton atë që ai do të ëndërronte të kishte në jetë, fjala vjen një çlirim nga epitafi i përjetshëm i SHBA për të dhe familjen e tij, si familje hajdute, një hakmarrje ndaj udhëheqësve amerikanë që ja bënë këtë dhe pastaj në vazhdim një përfillje nga armiku Edi Rama, i cili vazhdon ta konsiderojë “të vdekur”.

Për të shpëtuar nga ky makth, ai ka nisur ndërton në kokën e vet skenarë ku e shikon veten si fitimtar, kurse armiqtë e tij si të mundur.

Ndjesia e tij e parë është se ka fituar kundër SHBA, sekretarit Blinken dhe presidentit Biden. Aq të fortë e ka këtë psikozë dhe aq shumë jeton me të, sa deklaroi se nuk do të shkelë në SHBA nëse ata nuk i kërkojnë ndjesë që e kanë shpallur minues të demokracisë, të përfshirë familjarisht në korrupsion madhor dhe shantazhues të drejtësisë.

Pas 6 marsit ai ndjehet sikur SHBA ja ka hequr ndëshkimin e dhënë për te dhe familjarët e tij. Ai ndjehet sikur  tani ka të drejtë të shkojë në SHBA, por nuk do të shkojë pa i kërkuar ndjesë sekretari Blinken dhe presidenti Biden. Nuk e ka zgjidhur keq me mendje.

Psikoza e dytë e fitores është ajo ndaj ambasadores Yuri Kim. I është mbushur mendja që pas 6 marsit, Yuri Kim po rri tek dera e selisë së PD dhe roja nuk e lejon të hyjë brenda pa i kërkuar falje atij, pse paska thënë se “PD është gati të hajë dhe bar...”.

Në fakt oferta për bar ka qenë para 9 shtatorit. Pas 6 marsit, me Berishën në krye, në oborr të PD nuk mbin më as bari. Por atij i duket sikur mbin ambasadorja tek porta. E ëndërron ta ketë në dorë një ditë momentin për t’i hapur portën.

Psikoza e tretë dhe më e rëndë, është ajo që ka të bëjë me mospërfilljen e Edi Ramës ndaj tij. I është shfaqur në ëndërr presidenti i ri. Meqë pas një muaji fillon procesi i zgjedhjes së presidentit, ai ka deklaruar se nuk do të bëjë asnjë pazar me Edi Ramën, se ai po blen deputetë.

Edi Ramës i duhen 71 deputetë për të zgjedhur presidentin dhe ka 78. Po të llogarisim dhe votat e rrjedhura nga opozita në çdo votim, mund të shkojë dhe 94, por kjo ka pak rëndësi. E rëndësishme është që Edi Ramës nuk i duhet asnjë votë për president, i duhet vetëm të gjejë dikë që do ta bëjë president.

Sali Berisha nuk ka asnjë rol, dhe aktualisht ka grupin më të vogël parlamentar pas Ilir Metës, në Kuvend Është i papërfillshëm dhe i parëndësishëm.

Përpjekja e tij për t’i mbushur mendjen vetes dhe të vetëve se ka në dorë të zgjedhë dhe presidentin dhe nuk do ta lejojë të zgjidhet, tregon thjesht pasojat që i ka lënë 6 marsi, pas të cilit vuan nga psikoza e fitores.

Megjithëse ka humbur thellë, megjithëse ka shkaktuar një bojkot të fortë të demokratëve, që bashkë me votat kundër tij janë shumicë në PD, megjithëse ka një rezultat dëshpërues në raport me socialistët, që e bën atë të mos vijë kurrë në pushtet, ai ia ka mbushur mendjen vetes që ka fituar, ne një kohë që ka marrë gjysmat e votave të Edi Ramës dhe ka humbur po ashtu më shumë se gjysmën e votave të PD, e cila ka refuzuar të dalë të votojë.

Pas kësaj, në trurin e tij, ai ka rikthyer vizën amerikane, ka hequr “non grata” familjarisht, ka gjunjëzuar Biden dhe Blinken, ka ndaluar Yuri Kim të shkojë tek zyra e tij tek SHQUP-i, dhe po ndalon Edi Ramën të zgjedhë dhe presidentin. Kot nuk ndalon dhe Putinin të mos vazhdojë më luftën në Ukrainë. Çka më shumë Putini se ai, në fund të fundit. Ai ka pushtuar Vorën, ndërsa Putini nuk po pushton dot Kievin.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?