Raportet e mira të Ibrahim Rugovës me administratën e SHBA dhe fillimi i problemeve të Berishës me SHBA, u bënë një arsye më shumë që të niste një ndarje e heshtur mes tyre.
Një prej këtyre çështjeve ishte dhe kontrabanda e naftës nga Shqipëria në Mal të Zi, pastaj direkt për ushtrinë jugosllave.
Kontrabanda nga Shqipëria u evidentua për herë të parë zyrtarisht në raportin vjetor të Departamentit të Shtetit, të vitit 1994 dhe Berisha filloi të reagojë. Në shtypin e Partisë Demokratike u sulmua Carl Zibentrit, një diplomat i ambasadës së SHBA në Tiranë, të cilin Berisha në rrethin e tij të ngushtë e fajësoi si autor të raporteve kundër tij. Për ta bërë më bindës një armik, Berisha i gjente gjithkujt ose një të dashur, ose një dosje. Zibentritit i gjeti një të dashur shqiptare.
Më pas Zibentrit u largua nga Shqipëria dhe ju bashkëngjit ekipit të Chris Hillit në Maqedoni dhe rajon.
Pëllumb Kulla, ish - ambasadori i Shqipërisë në OKB, ku ky shqetësim kishte mbritur, tregon përpjekjet e Berishes për ta mbuluar kontrabandën e naftës, duke arsyetuar se nuk mund të vrisnin në kufi fshatarët që çonin ushqime dhe naftë andej e këtej kufirit .[1]
Ky ishte versioni i parë i Berishës.
Më pas tha se i kishin kërkuar liderët e Kosovës të lejohej nafta për traktorët e zetorët e Kosovës se bujqësia ishte në krizë. Natyrisht kjo ishte një gënjeshtër e trashë, po të kemi parasysh se në atë kohë Rugova qeveriste vetëm zyrën e tij tridhjet metra katrorë, ndërsa tek dera kishte policin serb. Territorin në Kosovë e kontrollonte Serbia. Aq më tepër që nafta nuk mund shkonte në Kosovë,përmes Malit të Zi.
E gjitha tregon vetëm përpjekjet e Berishës për ta fshehur të vërtetën e hidhur, që trafiku i naftës bëhej nga sasia që importonte zyrtarisht kompania e biznesit “Shqiponja”, pronë e Partisë Demokratike
Gjithçka filloi me vizitën e presidentit të Malit të Zi, Momir Bullatović në Tiranë, në vitin 1993.
Në librin me kujtime “Rregullat e heshtjes”, ish-presidenti malazez Momir Bullatović ka pranuar që ka pasur një marrëveshje verbale mes tij dhe Berishës për thyerjen e embargos së naftës. Skandali që pasoi botimin e kësaj dëshmie zgjati pak.
Në një intervistë në Tv Vijesti, Bulatović pranon se pas dakordësisë me Sali Berishën kanë thyer embargon.[2]
Vetë Berisha, më 30 nëntor 2006, i pyetur drejtpërdrejt për pohimet e Bullatović bëri një nga ato akrobacitë e veta, duke e pranuar në fakt skandalin, shoqëruar me frazën e çuditshme “në total, OKB që mbikëqyrte embargon arriti në përfundimin se vetëm 4 për qind i përkisnin asaj që rridhte nga Shqipëria…” (!).
Vetëm kur kontrabanda nga Shqipëria u evidentua për herë të parë në raportin vjetor të Departamentit të Shtetit, Berisha filloi të reagojë duke sulmuar një prej diplomatëve amerikanë që kishte hartuar raportin nga Tirana Karl Zibentrit.
Raporti i parë serioz për naftën ishte ai i agjencisë së lajmeve amerikane, Associated Press, në Tetor të vitit 1994, përmes një reportazhi me plot detaje, gazetari përshkruan skenën e Liqenit të Shkodrës ku nafta kalonte përmes cisternave artizanale në anën tjetër të Liqenit.
“Gazolina transportohet me anë të varkave të vjetra, lundrave me rrema që ngarkohen me fuçi dhe po ashtu edhe me tubacione të improvizuara nënujore që rrjedhin...
Në stacionin lokal të trenit, vagonët cisterna të boshatisur futen në një tunel për të kaluar kufirin me Shqipërinë që zyrtarisht është i mbyllur. Por disa orë më pas, ata kthehen sërish të mbushur me gazolinë.[3]
Raportimet e mediave të pavarura lokale tregonte se qeveria e Malit të Zi gjeneronte 700 000 dollarë në ditë nga kontrabanda e naftës, duke qenë ky burimi kryesor i të ardhurave për të.
Një raport që përmbysi tërësisht imazhin e Shqipërisë në këtë histori, ishte artikulli i New York Times, i datës 2 prill 1995, me titullin “Serbia furnizohet me karburant kontrabandë nga Shqipëria pavarësisht embargos.” Raporti ishte i detajuar duke dëshmuar për sasinë ditore të furnizimit nga Shqipëria, raportet e OKB për këtë kontrabandë, deklaratat e gënjeshtërta të Berisha dhe pasojat në front. Artikulli theksonte se “ SHBA vazhdimisht i ka shprehur shqetësimin e saj qeverisë shqiptare në lidhje me tregtinë, që sipas monitoruesve të sanksioneve në Evropë ndonjëherë arrin deri në 3.7 milion litra në ditë.
Gjatë një segmenti rrugor plot gropa me gjatësi afro 30 km që përshkon vijën e liqenit, ndodhen afro 20 pika karburanti, cisternat nëntokësore e të cilave mund të mbajnë deri në 2 milionë litra karburant, ndërkohë që po ndërtohen pika të tjera të tilla.”
Artikulli u botua më 3 prill nga e përditshmja "Rilindja" që dilte në Tiranë si botim i gazetës "Rilindja” të Kosovës që botohej në Zvicër. Korrespodenti i kësaj gazete në New York, Sulejman Gashi e kishte përkthyer dhe e kishte botuar si raport të huazuar nga New York Times.
Sali Berisha u tërbua. Përplasja e parë e inatit të tij me gazetën mbërriti tek unë, pasi për gati dy vjet isha bërë si një fare avokati i tyre. Kisha ndikuar në vendimin që "Rilindja" të vinte të botohej në Tiranë, pasi kisha qëndruar disa ditë në zyrën e tyre në Zofingen, në Zvicër, në janar 1993. Përmes një kontrate entuziaste me ATSH, u vendosën fillimisht në zyrat e saj, por pastaj raportet u acaruan pasi drejtori i ATSH në atë kohë kuptoi që Berisha nuk i donte nëpër këmbë. Unë u përpoqa t'i mbroj, duke braktisur dhe punën si drejtor i lajmeve në ATSH, por nuk zgjidha gjë. Ky ishte rasti që Berisha të ma “kujtonte” se me kë kisha të bëja.
Mehmet Gjata, që ishte redaktori përgjegjës, as që e kishte menduar dy herë botimin, ndërsa reagimi i Berishës, krijoi pasoja në mosdhënien e shtetësisë për disa pjesëtarë të familjeve të tyre që ende nuk e kishin marrë.
Pjesë nga libri “Republika e parë”, një histori politike e Kosovës në vitet 1989 1999, I cili është në proces botimi.
[1] “Ai (Berisha), në një gjendje emocionale të përngritur, më porositi që zotërinjve rreth e qark Këshillit të Sigurimit, t’u thosha se ne i kishim dhënë fund asaj epoke kur qëllohej me armë kundër fshatarëve që kapërcenin matanë kufirit. Dhe nuk do të qëllonim më, daç të ishin ata të ngarkuar, daç të ishin pa ngarkesë! E dimë, tha Presidenti, që shkelet kufiri, që përcillet andej dhe naftë e ushqime. Do të bëjmë të gjitha përpjekjet që ta frenojmë këtë evazion”.
I mbaj mend tekstualisht fjalët e tij, pasi në atë kohë besoja kryekëput në ato që thoshte ai. E sidomos, sepse i thoshte me ashk”Pëllumb Kulla. Bisedë me autorin. (M.B)
[2] Momir Bullatović:
"Unë shkova në Shqipëri dhe e luta Berishën t'i mshel sytë, të fillohet kontrabanda, të shkelen sanksionet ndërkombëtare, të përfitojnë njerëzit para. Dhe e bëmë sistemin të funksiononte ashtu. Por shteti ka pas përfitime, të hyra të mëdha nga krejt kjo. Dhe këto përfitime, të hyra janë evidentuar. Unë i kom në arshivën time, dokumentacionin tim… Pra shteti ka pas përfitime, të hyra të mëdha…" https://www.youtube.com/watch?v=eTEzcTjv-UY
[3] Associated Press, oct 29. 1994)./TemA
Dhe e fundit: refuzimi i çmontimit të armëve kimike....
Përgjigju