Kreu i PD-së, Lulzim Basha

Opinion

Mero Baze: Fushata ilegale për kreun e PD

15 Maj 2021, 21:14| Përditesimi: 15 Maj 2021, 21:19

  • Share

Lulzim Basha po udhëton qytet në qytet pas humbjes. Nuk di saktësisht çfarë u shpjegon, por di që po u premton një luftë të re për fitore. Është një torturë e panevojshme e demokratëve, një mërzi e panevojshme e votuesve që nuk ja kanë dalë të fitojnë, dhe mbi të gjitha, një hipokrizi e panevojshme nga vet ai.

Është e qartë që Lulzim Basha nuk po del të qetësojë demokratët, por të sigurojë veten dhe postin e ri në krye të PD, në muajin korrik.

Duke mos hapur garën me mos dhënien e dorëheqjes dhe duke u përpjekur të sulmojë çdo zë kundër tij, ai në të vërtetë ka nisur një fushatë ilegale për mandatin e tretë në krye të PD-së.

Kritikët e tij janë të pa organizuar, por të vendosur ta sulmojnë. Dikush si Kadilli ka vendosur të kandidojë, dikush si Nishani ka vendosur vetëm të sulmojë, dikush si Imami të kërcënojë, por dhe ata të gjithë janë të përfshirë në një fushatë elektorale për të mos u rizgjedhur Lulzim Basha.

Në betejë janë dhe gardianët e vjetër të Bashës. Jemin Gjana ka akuzuar Nishanin si “kapteri 91”, ndërsa Imamin si gjeneral i 97. Në fakt kjo është gjuha më hipokrite në PD, pasi është ligjërimi politik që dëshmon se PD është parti pa karakter.

Një parti që ka kritere morale, nuk ka nevojë të bëjë sulme të tilla, pasi nuk pranon në parti as “kapterë enveristë” të 91 dhe as “gjeneralë” të 97. PD i pranon, bile vetë sulmuesi i stërvitur për këtë çështje i ka pranuar dhe i ka votuar, njërin si president e tjetrin si ministër, pas 91 dhe 97. Kështu që kur përdoret kjo logjikë, e vetmja që poshtërohet është PD, dhe jo personazhet.

Dhe ky lloj sulmi nuk është se krijon puritanizëm në PD. Përkundrazi krijon më shumë ngasje se PD-së mund t’i bësh ç’të duash, por po qe se i duhesh Berishës, mund të rikthehesh kur të duash..

Në këtë aspect, çdokush që ka qenë në PD dhe ka pas një konflikt me lidershipin duke ikur prej andej, nga ky “vlerësimi” i Gjanës më shumë trimërohet, se frikësohet. Pasi gjithkush e kupton se Nishani apo Imami nuk kanë hyrë ilegalisht në PD, por me bujë të madhe, duke i nderuar me postet më të larta. Kështu që Gjana në vend t’i vërë vetulla Lulit, i nxjerr më shumë sytë, se inkurajon dhe ”tradhtarë” të tjerë.

Akoma më të shpifur janë këta që në përpjekje për të zhurmuar fushatën ilegale për mandatin e tretë të Lulit, baltosin mandatin e tretë të Edi Ramës. Ata i kërkojnë KQZ-së t’i gjejë fakte si ua ka vjedhur Edi Rama votat, duke e bërë dhe qesharake fushatën ilegale të Bashës.

Është njësoj sikur rivalët e mëparshëm të Bashës në PD, t’i kërkonin Jemin Gjanës si kryetar KQZ-jë në PD, si votohet 20 herë, apo si dekonspirohet votimi, një tradite kjo e konsoliduar sa herë që Basha merr mandatin për kreun e PD-së.

Në vend të gjithë kësaj turbullire që krijohet vetëm që Basha të rizgjidhet kryetar përsëri në korrik, do ishte më e ndershme që të shpallej një fushatë legale për kryetar të PD.

E dimë që dhe ashtu Basha do jetë përsëri kryetar, po të paktën nuk baltosin njëri- tjetrin për karrigen e tij. Me atë fitojnë të gjithë.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?