Sali Berisha

Mero Baze: Gjithë bota kërkon distancimin e PD nga Berisha, PD kërkon distancimin nga Basha

20 Korrik 2022, 19:31| Përditesimi: 20 Korrik 2022, 19:34

  • Share

Nga aq sa është publikuar në shtyp nga mbledhja informale e deputetëve të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, duket qartë se shumë deputetë të atij grupi vuajnë nga kompleksi i fajit që nuk kanë shkuar në kohë me Sali Berishën. Shumica e shqetësimit të tyre duket se është dhe shqetësimi i Sali Berishës, se si të distancohen nga Lulzim Basha.

Një parti e cila po shkon drejt shkatërrimit për shkak se i është kërkuar ndërkombëtarisht nga SHBA dhe vendet perëndimore, të distancohet nga Sali Berisha dhe harxhon orë të tëra mbledhjesh për t’u distancuar nga Lulzim Basha, duket se të vetmin hall ka si t’i kërkojnë ndjesë Sali Berishës dhe ta bëjnë më të lehtë shkuarjen tek ai.

Ata duan të justifikohen pse nuk shkuan qysh në fillim me të dhe sillen sikur “rreziku Basha” nuk ka ikur akoma dhe ata po qëndrojnë ta luftojnë.

Ky është një turp që në fakt ilustron gjithë arsyet përse ajo parti është katandisur në këtë ditë.

Lulzim Basha ka pasur qindra mëkate si kryetar i PD. Kryemëkati ishte se e trajtoi deri në fund Sali Berishën si kryetarin real të PD dhe deri në momentin kur ju desh të distancohej, ishte i pasigurtë në atë që po bënte.

Mëkati tjetër i madh duket se është dhe kjo listë deputetësh që ka promovuar. Mund t’i numërojmë dhe të tjera sa të doni. Ose po nuk përtuat, mund të lexoni shkrimet e mija për të, për vite të tëra.

Por pikërisht në kohën që Lulzim Basha bëri një akt politik, u distancua nga Sali Berisha dhe mori përgjegjësinë personale duke u tërhequr dhe nga kreu i PD, këta trimat e fshehur pas ferrës që vazhdojnë ta gjurmojnë me “llastiqe në dorë” derisa “ta vrasin” që të kënaqet Sali Berisha, janë një turp i politikës.

Problemi në PD e ka emrin Sali Berisha. Do do ta ketë të tillë deri në vdekjen e saj dhe të tij bashkë me të.

Kushdo që do të bëjë betejë e të duket luftëtar, aty e ka Sali Berishën, t’i dalë përballë, siç po i dalin disa prej tyre, si Gazmend Bardhi, Jorida Tabaku e disa të tjerë. Aty është problemi, aty është vdekja e PD dhe e karrierës së tyre.

Lulzim Basha ishte problem i PD, pasi ishte maskë e Sali Berishës. Kur u bë vetvetja, në fakt duhet të ishte krenaria e PD, pasi mori gjithë kostot e mundshme për t’u përballur me të.

Kjo burracakëria që tani që ai iku, të bëjnë sikur janë trima që t’i hyjnë në zemër Sali Berishës, tregon pse ai stan me lepuj, nuk ka të ardhme.

I vetmi shans për të bërë politikë në opozitë sot, është antiberishizmi dhe ngritja e një profili të ri të opozitës, që të mos kompleksohet prej tij. Disa prej pjestarëve të Grupit Parlamentarë të PD, për fat të mirë e kanë demonstruar këtë dimension.

Humbja e kohës pas këtyre që duan patjetër t’i hyjnë në zemër Sali Berishës që t’i pranojë kokulur në shtator, është humbje e shanseve për të bërë një opozitë të re. Dhe opozita e re bëhet me kurajo për ta mundur vjetërsirën që po u merr frymën për hallin e tij.

Askush nga këta që janë sot deputetë të PD, nuk e ka më të sigurtë mandatin e deputetit, edhe sikur t’i lajnë këmbët Saliut, Lirisë, Argitës, e Shkëlzenit e ta pijnë ujin në shenjë besnikërie. As sikur gjithë të brendshmet t’i blejnë tek dyqani i Bllokut.

Pas 3 vjetësh ata, ose do jenë deputetë me emrin e tyre, ose do kthehen në anonimatin nga ku kanë dalë. Deri atëherë është mirë të na i kursejnë lotët e vonuara për Sali Berishën. As atij nuk i duhen.

 

S.C/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?