Ilir Meta dhe Sali Berisha

Mero Baze: Ilir Meta po sillet si tutor i 'Foltores'

19 Janar 2022, 18:58| Përditesimi: 19 Janar 2022, 18:59

  • Share

Ilir Meta po përpiqet t’i shijojë deri në fund procedurat e shpalljes së zgjedhjeve të pjesshme lokale, edhe pse ka 2 vjet që refuzon t’i shpallë ato, duke shkelur Kushtetutën. Për dy vite radhazi ka shijuar vendimin e tij për të shkelur Kushtetutën, duke i lënë bashkitë pa kryetarë, pasi nuk donte të shkelte “mbi veten”, që e kishte shpallur 30 Qershorin të paligjshëm.

Tani ka një javë që po shijon faktin që do shpallë datën e zgjedhjeve, me shpresë se kështu mund të rikuperojë imazhin e LSI së 25 prillit e cila u rrënua tërësisht në zgjedhje.

Dhe llogaria e vetme e Ilir Metës është Sali Berisha. Ai po bën gjithçka që Berisha të qendrojë në konfilkt me Bashën, dhe nga ana tejtër të ketë të vetmen mundësi për  të dëmtuar Bashën, rrjedhjen e votave tek LSI.

Ai po sillet në publik si tutor i Sali Berishës, duke përdorur gjuhën e Berishës ndaj Bashës, dhe duke hyrë në mizaskena të konfliktit të tyre, përfshi dhe detaje nga fjalori i Flamur Nokës, që në fakt i shkon shumë.

Është aq shumë i përfshirë për ta mbajtur gjallë betejën mes tyre deri më 6 mars, sa është gati të fusë dhe rojen e Presidencës në polemikë me PD dhe Bashën, që të kuptohet se është njeriu i duhur për votat e Berishës më 6 mars.

Nga ana tjetër, Meta po përpiqet t’i japë zemër dhe sulmeve agresive dhe personale ndaj njerëzve të Bashës, që të mos ketë kthim mbrapa apo pajtim mes tyre dhe Berishës.

Gjithë llogaritë e Ilir Metës janë që Berisha as të mos krijojë një listë të vetën, as të mos vërë kandidatë të pavarur, por të vazhdojë “betejën” me Bashën, as mos të ketë koalicion me LSI, por vetëm votat të kalojnë tek LSI.

Për këtë arsye ai nxitoi t’i bëjë zgjedhjet e pjesshme para 22 marsit, datë kur Berisha ka premtuar se do të zgjedhë kryetarin e ri të “Foltores”, për të cilën do të kandidojë vetë.

Të dyja partitë, nëse mund t’i quajmë kështu, dhe ajo e Metës, dhe e Berishës, nuk kanë vlera të përbashkëta, por kanë probleme të përbashkëta, me refuzimin që ka Perëndimi për lidershipin e tyre.

Kanë të dyja të njëjtin problem. Aktualisht janë i vetmi grupim politik që ka një identitet të qartë në Shqipëri, si anti-perëndimorë.

Dhe derisa ta zgjidhë Berisha çështjen e kryetarit të “Foltores” më 22 mars, Meta shpreson të ketë korrur i pari frytet e ndarjes së PD. Kjo është e vetmja gjë që mund të funksionojë në raport me “Foltoren”, duke i marrë votat në heshtje. Pasi ai e di mirë se bashkimi i tij me Berishën, i bën ata më të vegjël se ç’janë secili më vete. Pasi nxijnë më shumë bashkë.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?