Më shumë se një muaj më pare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësuan gjyqtarin Ardian Dvorani, ish- kreun e Emërimeve në Drejtësi, si një nga 12 personalitetet më të shquara në botë, në betejë kundër korrupsionit, në fund të një lufte të hapur politike që presidenti Ilir Meta i kishte shpallur atij, pas një fushatë fyerjesh e kërcënimesh për ta frikësuar.
Vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit, ishte një përgjigje pikërisht ndaj betejës së Ilir Metës kundër reformës në drejtësi, që SHBA e ka konsideruar ndërkohë dhe si një interes strategjik të SHBA.
Pas një heshtje një mujore, Ilir Meta në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, e ka përcaktuar betejën politike kundër Ardian Dvoranit, si objektiv elektoral. Bashkë me të, ai ka përfshirë nën akuzë “disa diplomatë të korruptuar” që mbështesin atë.
“Ardian Dvorani është dhunues i Kushtetutës dhe që në bashkëpunim me disa diplomate të korruptuar bëri atë që beri. Ardian Dvorani do shkojë në burg, nuk ka shpëtim”.
Kjo është deklarata që Ilir Meta bëri në ABC News dhe që shpjegon qartë se objektivi politik i opozitës dhe i atij personalisht, është beteja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe këndvështrimin e tyre për reformën në drejtësi në Shqipëri.
Në kulmin e betejës së tij me Ardian Dvoranin, ai në të vërtetë është paralajmëruar nga diplomatët amerikanë në Tiranë të ndërpresë betejën, se ndryshe do ‘të përballesh me një përgjigje të hidhur’.
Por tani, siç duket qartë, ai e ka shpallur betejën me diplomatët që mbështesin Dvoranin dhe reformën në drejtësi, si jetike për opozitën, duke e marre parasysh edhe këtë rrezik.
Pra Ilir Meta është i vetmi që po kërkon hapur një votë kundër SHBA dhe reformës në drejtësi, duke premtuar se do të arrestojë atë që SHBA e ka shpallur si një nga 12 personalitetet më të shquara në botë, në betejën kundër korrupsionit në drejtësi.
Ky është një objektiv i guximshëm dhe i sinqertë. Ai në të vërtetë nuk ka asnjë perspective, nëse në këtë vend nuk anulohet reforma në drejtësi, nuk zhduket influenca amerikane mbi drejtësinë dhe nëse nuk arrestohen “agjentët e SHBA” në drejtësi, siç e percepton ai zotin Dvorani.
Nga ana tjetër, Ilir Meta është i sigurtë se shqiptarët në shumicë, përfshi dhe plot opozitarë, janë qartazi kundër këtij qëndrimi. Edhe vetë lideri formal i opozitës Lulzim Basha, ka premtuar se do t’i mbajë larg duart nga reforma në drejtësi.
Dalja hapur e Ilir Metës me këtë objektiv, nuk është një kërcënim për SHBA, se ato nuk para mërziten nga kërcënime të tilla. Ata janë të qartë sa e do Ilir Meta Dvoranin, sa e do reformën në drejtësi, dhe sa e do SHBA.
Ilir Meta është duke kërcënuar Lulzim Bashën, për t’i treguar atij, se taksa e aleancës me të, është pikërisht kjo betejë. Dhe Lulzim Basha bën sikur nuk e dëgjon. E vetmja gjë qe e shpëton deri me 25 prill.