Për të gjithë ata që kishin ndonjë iluzion se Sali Berisha synonte të merrte PD me revolucion, tani kanë një fakt të pakundërshtueshëm para syve, se qëllimi i gjithë betejës së Sali Berishës pas 9 shtatorit, ishte të krijonte një qoshe të sigurtë për anti-amerikanizmin e vet.
E kam thënë qysh në fillim të konfliktit se Sali Berisha nuk synonte të merrte Partinë Demokratike zyrtare. Jo se nuk mundej, por nuk i duhej.
Nëse dëshironte vërtet të mundte Lulzim Bashën, besoj se mund ta bënte atë duke ju nënshtruar procesit ligjor të mbledhjes së Kuvendit më 18 dhjetor, duke bërë betejë me të në një sallë, me të njëjtin trup delegatësh.
Lulzim Basha pati burrërinë t’ia jepte këtë mundësi, natyrisht duke e njohur mirë qëllimin e Sali Berishës. Dhe qëllimi i Sali Berishës nuk ishte të merrte PD, por të krijonte një parti të re, me një udhëheqje të vendosur anti-perëndimore.
Çdo përpjekje për të marrë PD zyrtare, me lidership laraman, ku shumica besojnë tek Perëndimi dhe pakica nuk kanë qejf të jenë në luftë me SHBA, do t’i çonte dëm përpjekjet e Sali Berishës.
Ndaj dhe strategjia e tij ishte e lexueshme qysh në fillim. Ai donte të mbante sa më shumë anëtarë të PD rrotull vetes, duke i zemëruar ata me Lulzim Bashën, por jo për t’i përdorur kundër tij, por kundër SHBA.
Dhe projekti më i sigurtë i tij kundër SHBA nuk është të marrë PD, pasi PD është partia e parë pro-amerikane në Shqipëri. Projekti i tij më i sigurtë ishte të bashkohej me një tjetër bërthamë anti-perëndimore në vend, që drejtohet nga Ilir Meta.
Sot më në fund e bëri publik projektin e tij. E zyrtarizoi.
Ai zyrtarizoi sot krijimin e partisë së tyre të re, e cila nuk ka të përbashkët vetëm të ardhmen “sovraniste” anti-perëndimore, por dhe të shkuarën e inkriminuar.
Është një koalicion që i bashkon beteja e përbashkët kundër drejtësisë, shantazhimi i saj, si në rastin e Gërdecit e më pas 21 janarit, dhe mbi të gjitha, rreziku i përbashkët për t’u damkosur nga SHBA si persona “non grata”.
E shkuara dhe adhmja e tyre janë e vetmja garanci që Sali Berisha ka për të krijuar një formacion politik për shantazh ndaj Perëndimit në Shqipëri, kryesisht SHBA.
Kjo shpjegon pse ai nuk bëri betejë ligjore për të marrë PD, por gënjente vetëm trushpëlarët e PD, se po bënte betejë me Lulzim Bashën.
Kjo shpjegon dhe pse i duhet një parti “sovraniste” radikale, sado e vogël që të jetë, por që të shërbejë si rezistencë politike ndaj pranisë perëndimore në Shqipëri.
Tani gjithë të zhgënjyerit nga Lulzim Basha, që në emër të këtij zhgënjimi, shkuan pas Sali Berishës, do të jenë një shtojcë e LSI, në një aleancë, që nuk dëshiron dhe nuk mund të fitojnë pushtetin, por të shantazhojnë SHBA në Shqipëri.
Kjo natyrisht do ta bëjë këtë koalicion më të vogël, më të pashpresë, por më agresiv dhe më të sinqertë në objektivat e tij anti-perëndimore. Në një aferë mënyre kjo aleancë e re do ta bëjë skenën politike shqiptare, më të qartë, me një parti të re anti-perëndimore, si e vetmja pasuri që ofron Sali Berisha dhe Ilir Meta në vitin 2022 në Shqipëri.
Është aq e sigurtë që nuk ja vjedh njeri më këtë parti, sa mund t’i lëjë dhe çelësat Ilir Metës.
po pse merreni me kete plak matuf qe historia po tregon ligesine e tij.do e zere mallkimi i ketij populli te vuajtur.
Përgjigju