Sali Berisha

Opinion

Mero Baze: Ka një zhgënjim nga reforma,...por për Berishën

4 Nëntor 2021, 20:19| Përditesimi: 4 Nëntor 2021, 20:20

  • Share

Sali Berisha i ngjan sot një fëmije të frikësuar që futet në pyll dhe këndon me zë të lart një këngë që t’i japë zemër vetes. Është duke kënduar i vetëm me zë të lartë “fitore”, “fitore” se shqiptarët janë zhgënjyer nga Reforma në Drejtësi.

Që kënga të bëhet më e plotë, duhet të shënojmë që teksti i saj është shkruar nga zëdhënësja e Berishës, që tani drejton një TV privat. Domethënë, Berisha është njëkohësisht, autor i tekstit, këngëtar i tekstit, dhe duartrokitësi i vetëm i tekstit.

Në fakt është i frikësuari i madh i tij, pasi ai e di të vërtetën. Dhe e vërteta është kundër tij.

Pritshmëria e shqiptarëve për Reformën në Drejtësi është një histori e pashembullt në rajon. 95 për qind e shqiptarëve ishin pro saj në momentin që u miratua dhe për gati katër vjet, shqiptarët po presin me dhëmbë të shtrënguar që ajo të funksionojë.

Për këto katër vite, Sali Berisha ka bërë gjithçka që ajo të dështojë, ka nxitur revolucione, ka nxitur djegie mandatesh, ka nxitur bllokim votimesh dhe rrëmuja. Në fund po shetit në “Foltoren” e tij nga qyteti në qytet.

Kur shqiptarët pyeteshin dhe pyeten përse duhej Reforma në Drejtësi, kur ata ishin shumë entiziastë dhe tani më pak entuziastë, ata kishin parasysh vetëm një njeri; që Reforma në Drejtësi duhej për Sali Berishën.

Kur ata kërkonin të ndryshohej drejtësia, kur kërkonin të merrte fund një kastë gjyqtarësh e prokurorësh që për 30 vite kishin konsoliduar pandëshkueshmërinë , kishin paraysh vetëm Sali Berishën dhe ushtarët e tij në drejtësi.

Kur shqiptarët rritën shpresat tek SPAK dhe institucionet e para të vetingut, kishin parasysh, gjëmat e familjes Berisha; që nga Gërdeci, 21 Janari, historitë koruptive të vajzës, dhëndrit, djalit dhe gruas së Sali Berishës, siç e thotë dhe epitafi i Listës së Zezë së SHBA.

Kur Reforma në Drejtësi, u shndërrua në një “fe” të re për ta, kishin parasysh se më në fund një njeri që përdhunonte e poshtëronte publikisht; prokurorë e gjykatës, president dhe opozitarë , duke kontrolluar drejtësinë, dhe që ishte Sali Berisha, do të merrte fund.

Sot ka plot shqiptarë të zhgënjyer nga Reforma në Drejtësi. Por ata janë të zhgënjyer pikërisht pse ende Sali Berisha dhe familja e tij është e lirë. Ata nuk janë zhgënjyer nga reforma, por nga vonesa e saj, nuk janë zhgënjyer nga mosbesimi për drejtësinë e re, por nga fakti që ajo ende nuk po godet Sali Berishën, simbolin e pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Nuk janë zhgënjyer nga mosbesimi, por nga padurimi.

Dhe Sali Berisha e di këtë. Ai nuk është i gëzuar që shqiptarët janë zhgënjyer nga vonesa e drejtësisë. Ai është i tmerruar, por shpreson, se duke bërë fakt të kryer me propagandë, se drejtësia po dështon, ai mund t’i japë zemër të vetëve dhe ta quajë veten të shpëtuar.

Në fakt, të gjithë janë të mërzitur nga pak pse ai dhe familja e tij kriminale janë të lirë. Është normale që për çḑo shoqëri, e cila përballet me mungesën e drejtësisë për shkak të një njeriu si Sali Berisha, të ketë padurimin e saj, derisa ta shikojë këtë njeri para drejtësisë. Ky është i vetmi zhgënjim.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?