Foto gjatë vaksinimit në sheshin

Opinion

Mero Baze: Kostoja e opozitës nga politizimi i vaksinimit

28 Mars 2021, 22:17| Përditesimi: 28 Mars 2021, 22:42

  • Share

Shqipëria arriti të heqë stresin e sigurimit të vaksinave për gjithë popullsinë, duke kaluar nga vaksinimi për kategori të veçanta, tek vaksinimi masiv i popullsisë.

Përkundër mosbesimit që egzistonte tek tregu politik i vaksinave dhe sidomos te “nacionalizimi” i vaksinave nga vendet e mëdha, qeveria shqiptare ia arriti të sigurojë deri tani së paku 4 lloj vaksinash, duke kontraktuar rreth 2.4 milionë copë deri në këtë moment.

Pikërisht në këtë moment, opozita në vend që ta priste këtë si një lajm të mirë, dhe ta sfumonte peshën politike të këtij operacioni,  ka nisur një betejë idiote kundër vaksinave.

Në fillim kur u sigurua “Astra”, u sulmua si vaksinë e pasigurtë që shkaktonte probleme të rënda nga vetë Sali Berisha. Bëhet fjalë për vaksinën e Oksfordit, që analizohet nga Sali Berisha, Tritan Shehu dhe Petrit Vasili.

Pastaj Shqipëria mori 80 mijë vaksina ruse nga Arabia Saudite dhe fokusi i luftës u zhvendos tek vaksina ruse, pasiguria e saj etj. Madje këtu u shtua dhe elementi gjeopolitik.

Së fundmi Shqipëria siguroi rreth 1 milionë vaksina kineze, nga të cilat 192 mijë, mbëërritën menjëherë dhe të tjerat në vazhdim.

Menjëherë sulmi filloi mbi vaksinën kineze.

Përbaltja e tre vaksinave, nga “tre doktorët e vdekjes” që ne kemi në dispozicion, lëvizte sipas interesit politik të tyre, që është mosvaksinimi i popullsisë. Sapo qeveria siguronte një vaksinë, ajo përbaltej prej tyre.

Ky është politizimi më i madh që i është bërë deri më sot procesit të vaksinimit në Shqipëri dhe ndoshta nuk ka ndonjë rast të ngjashëm në botë, duke e kthyer në betejë politike pengimin e vaksinimit përmes panikut.

Sigurimi i vaksinave është interes jetik për qytetarët, qofshin këta opozitarë, apo mbështetës të qeverisë. Vetëm tre “doktorët e vdekjes” në Shqipëri janë të alarmuar nga sigurimi i këtyre vaksinave, dhe helmojnë çdo ditë opinionin publik me lajme fallco për pasigurinë e vaksinave.

Kjo realisht e ka politizuar betejën e vaksinimit në Shqipëri, pasi shumë njerëz nuk pajtohen me asgjë që thonë këta “tre doktorët e vdekjes”, dhe kur ndonjë gjë e kanë të drejt, e jo më përbaltjen e vaksinave.

Duke e politizuar këtë proces, “tre doktorët e vdekjes”, i bëjnë një shërbim të keq opozitës, pasi duket sikur këta që po vaksinohen janë socialistë pasi demokratët nuk duhet të vaksinohen sipas tyre, se rrezikohen.

E vërteta është që demokratët vaksinohen dhe nuk dëgjojnë as Berishën, as Tritanin dhe as Petrit Vasilin dhe kjo është akoma më keq, një goditje për ta.

Dhe çfarë është me e keqja për ta, i gjithë ky politizim i fushatës së vaksinimit shkon në favor të Edi Ramës, i cili ka ngritur një çadër të madhe në Sheshin “Skënderbej” si për t’u kujtuar të gjithëve, se ekziston një Shqipëri që vaksinohet prej tij dhe një Shqipëri tjetër që “indoktrinohet” nga Berisha, Tritani dhe Petrit Vasili, që të mos vaksinohet.

Pastaj thonë pse e fiton Edi Rama këtë garë…! Mund t’i linin në heshtje vaksinimin, madje dhe mund të duartrokisnin qeverinë për t’u dukur si pjesë e suksesit. Nuk kishin pse ja bënin dhuratë me zor Edi Ramës këtë proces, duke e politizuar.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?