Sali Berisha

Opinion

Mero Baze: Kuvendi nën hijen e fantazmës së Berishës

16 Korrik 2021, 18:58| Përditesimi: 16 Korrik 2021, 19:01

  • Share

Partia Demokratike mbledh nesër Kuvendin e saj pa Sali Berishën. Ai nuk do të jetë as në krye të vendit, as në rreshtin e pare, as në lozhë. Por do të jetë gjithandej, si një fantazmë që kontrollon shpirtrat e vdekur në atë sallë.

Të parin që përndjek fantazma e tij është Lulzim Basha. Ai është më i qetë që nuk do ta ketë fizikisht në sale, që t’i raportojë ambasadores amerikane se filloi reflektimi, pastaj do të trazohet pak nëse dikush ngrihet nga salla e t’i thotë çdo bëjmë me Berishën. Është një pyetje torturuese që ai nuk ka fuqi as ta dëgjojë.

Më tej akoma fantazma ndjek rivalët e tij në atë sallë, ata që i zbukuruan garën false për kryetar dhe që akoma më keq se ky, akuzonin Bashën se ka tradhtuar Doktorin tek amerikanët.

Ata do ta donin që Berisha të ishte në sallë, jo se e duan vërtet më shumë se Basha, por se do donin që Basha të paguante taksën e përballjes me të.

Pas tyre, hija e Doktorit po përndjek kritikët e Bashës, të cilët ai i ka futur në lista për t’u rizgjedhur, dhe ata realisht janë të mërzitur, po kanë aq pak guxim sa dhe nuk i thonë dot ma hiq emrin.

Dhe ata shpresojnë se Berisha po i shikon nga lart dhe do të marrë hak tek Lulzim Basha për këtë që po u bën.

Në fund janë demokratët e thjeshtë, ithtarët e Berishës, ata që nuk mendojnë, por thjesht besojnë tek ai. Ata e duan në sallë, ta pyesin, ta prekin dhe të binden, “ore të tradhtoi ky Basha apo jo?”

As ata nuk do të marrin përgjigje, por do të shpresojnë se Doktori i sheh nga lart dhe do t’i ndihmojë.

Nesër praktikisht nuk ka Kuvend. Ajo është një ceremoni mortore që ngjan si të dyzetat e vdekjes politike të Berishës, ku pjesëmarrësit të gjithë do të donin të ishte në sallë për të vrarë kundërshtarët e tyre me dorë të tij.

Lulit i duhet siç i është dashur, të heqë qafe rivalët, rivalëve iu duhet t’i ankohen se Luli ia ka me hile, kritikëve të Lulit u duhet t’i ankohen se ai nuk është i mirë si Doktori, ndërsa demokratëve të besojnë se ai është gjallë.

Në fakt ai ka vdekur politikisht. Biles më keq. Është një i vdekur i pavarrosur, që do të helmojë çdokënd që do t’i rrijë afër dhe nuk ka guximin ta varrosë.

Në fund do të varrosë dhe Partinë Demokratike nëse dikush nga ajo sallë nuk merr i pari guximin t’i hedhë një grusht baltë përsipër e t’i thotë “udhë e mbarë”.

Ky nuk është një Kuvend që mblidhet nën hijen e fantazmës së tij, por dhe nën rrezikun e dekompozimit të kufomës së tij politike që ka ngelur mbi dhe, edhe që askush nuk guxon ta varrosë, me shpresë se do të kalbet vetë deri në shtator.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?