Opinion

Mero Baze: Lajm i mirë që opozita po mburret me institucionet e reformës në drejtësi

3 Korrik 2021, 22:13| Përditesimi: 3 Korrik 2021, 22:16

  • Share

Ka disa lajme të mira nga opozita, që nuk po bien në sy. Përshembull Lulzim Basha dje ka postuar një reagim pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ku thotë: “Gjykata foli, tani duhet të flasë SPAK”.

Lajm i mirë është që kryetari i opozitës ka besim të plotë tek dy institucione të rëndësishme të shtetit shqiptar, Gjykatës Kushtetuese dhe SPAK. Ka besim, pasi njërën e lavdëron dhe nga tjetri ka pritshmëri të lartë.

Një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë. Zakonisht kjo opozitë që kemi ne, vazhdimisht ka kontestuar çdo institucion të drejtësisë, pasi nuk i ka konsideruar të vetat.

Tani është ndryshe. Ja që reforma në drejtësi e solli një produkt pozitiv. Sot kemi një kryetar opozite që i ka sytë nga Gjykata Kushtetuese dhe SPAK, dhe shpreson se ato do të bëjnë atë që nuk e bëri dot ai si opozitë.

Po kështu dhe disa militantë të sëmurë të opozitës. Edhe pse flasin marrëzira, thelbi i reagimit të tyre është që besojnë tek drejtësia.

Fjala vjen, i janë vërsulur ambasadorit Soreca, sikur të ishin anëtarë kryesie të LSI të gjithë, dhe i kërkojnë të hetohet se çfarë ka biseduar në Gjykatën Kushtetuese.

Edhe ai, edhe Gjykata, thonë që kanë qenë një takim i zakonshëm pune, nga ato që bëhen me qindra mes ambasadorëve dhe institucioneve tona.

Por interesante është se militantët e opozitës e kërcënojnë Sorecën, se do ta çojnë në Prokurori, pse nuk u tregon atyre çfarë ka folur.

Edhe pse është shumë qesharake kjo historia me Sorecën, është interesante që ata besojnë tek Prokuroria. Ky është një lajm që e gëzon dhe Sorecën më shumë se ata.

Është po ashtu një lajm i mirë që procesi i kontestimit të zgjedhjeve mbaroi dhe opozita nuk la gjë pa kontestuar, dhe institucionet ju përgjigjën çdo ankese.

Tani mandatet e deputetëve janë shpërndarë dhe për të vetmin mandat që ka debat, është ai i Sali Berishës, nëse duhet ta lërë apo ta marrë në shtator. Edhe reforma e KQZ duket se funksionoi.

Së fundmi, Lulzim Basha është zotuar se nuk do ta bojkotojë më kurrë Parlamentin dhe zgjedhjet dhe se do të shkojë të luftojë brenda institucioneve. Dhe kjo është një histori e re në politikë, që e vuanim pas çdo palë zgjedhjesh kur humbiste PD.

Pra kemi një sërë zhvillimesh që na tregojnë se opozita e beson reformën në drejtësi, beson tek Gjykata Kushtetuese, beson tek SPAK, beson tek Prokuroria, beson tek KQZ, dhe po përpiqet t’i përdorë ato si instrument në luftën e saj politike, çka është legjitime.

Një situatë e tillë as që mendohej dy vjet më parë, kur opozita dogji mandatet dhe bojkotoi zgjedhjet lokale vetëm që të dështonte reforma në drejtësi. Tani përmes institucioneve të reformës po kërkon të bëjë politikë. Është një hap i madh përpara, por dhe një keqkuptim i madh për Bashën, nëse vërtet mendon se atë që duhet ta bëjë ai si kryetar opozite, pret ta bëjë drejtësia dhe t’i çojë atij të mundur në tavolinë kundërshtarin.

Institucionet i pranoi dhe bëri mirë. Tani duhet të pranojë që duhet të bëjë dhe ndonjë punë si kryetar opozite.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?