Sali Berisha

Mero Baze: Më në fund SHBA është në dorë të Berishës

27 Shkurt 2023, 17:49| Përditesimi: 27 Shkurt 2023, 17:50

  • Share

Në prag të mocionit për debat në Kuvendin e Shqipërisë rreth çështjes McGonigal, ka një zhvillim të rëndësishëm. Prokuroria e distriktit të Columbias në New York ka nxjerrë një urdhër mbrojtje për çdo informacion apo hetim lidhur me rastin McGonigal, duke theksuar se deri në fund të çështjes asgjë nuk mund të përdoret publikisht. Kjo vlen veçanërisht për Kongresin apo Senatin në SHBA, për t’i kufizuar ato në përdorimin politik të kësaj çështje.

Vendimi vjen dy ditë para mocionit për debat në Kuvendin e Shqipërisë dhe e bën edhe më të rëndësishëm këtë debat, pasi tani i vetmi vend në botë që mund të flitet për këtë çështje, është Shqipëria, ku Berisha po heton paralelisht me FBI dhe CIA për të zezat që Edi Rama ka tentuar t’i bëjë SHBA-së.

Me këtë që ka ndodhur, Berisha ka të drejtë të shtojë akuzat për Ramën, duke shtuar aty se ky nuk ka blerë vetëm ish- agjentin e FBI, por tanimë dhe Prokurorinë e New Yorkut, e cila i ndalon Kongresit dhe Senatit të merren me këtë çështje. Po ashtu dhe shtypit amerikan që të mos ketë akses në hetimin që po zhvillon Prokuroria.

Po ta shikosh nga ky këndvështrim, tani shpresa e vetme e SHBA në botë për të zbardhur këtë skandal është Sali Berisha. Ai është i vetmi aleat i SHBA në hetimin e kësaj çështje, tani që Edi Rama ka bllokuar dhe Prokurorinë e New Yorkut.

Ndaj për këtë shkak merr një rëndësi edhe më të madhe mocioni për debat në datën 2 mars. Shpresoj që kongresmenë dhe senatorë amerikanë të nisen urgjent nga SHBA të vijnë në Kuvendin e Shqipërisë dhe të dëgjojnë fakte që nuk i dëgjojnë dot në SHBA.

Po ashtu shpresohet që dhe shtypi botëror që merret me këtë ngjarje të zhvendoset më datë 2 mars në Tiranë, të dëgjojë të rejat nga goja e Berishës për këtë çështje.

Amerika, e cila e ka shpallur Berishën “non grata” për minim të demokracisë, për korrupsion madhor familjar duke shfrytëzuar pushtetin dhe shantazh mbi drejtësinë, tani është e gjitha në dorë të tij.

Përkushtimi me të cilin Berisha po përpiqet të shpëtojë SHBA nga Edi Rama është në një shkallë të tillë sa SHBA nuk e meriton me atë që i ka bërë. Por ai është i bindur se SHBA një ditë do t'ia vlerësojë këtë kontribut. Së paku të nesërmen e seancës t’i japë vulën në gjyq, që dhe mitingu të mos i shkojë kot. 

Është rasti kur SHBA duhet të mësojë dhe nga historia e Berishës. Sa herë ai ishte në hall dhe Prokuroria niste çështje kundër tij, siç qe 21 janari, ai ngrinte një komision hetimor kundër Prokurorisë për grusht shteti. Tani të nëjtën gjë do ta bëjë në Tiranë kundër Prokurorisë së SHBA.

Ndaj edhe pse duket si ters ky vendimi i Prokurorisë së New Yorkut, e bën më të rëndësishëm Berishën, pasi e bën atë të vetmin hetues transparent në botë për këtë çështje, duke transformuar kështu dhe motivin e revolucionit të tij, nga një revolucion për të mbrojtur Berishën nga SHBA, në një revolucion për të mbrojtur SHBA nga Edi Rama.  

Paç fatin e Berishës në këtë rast .

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?