Udhëheqësi i opozitës ruse Aleksei Navalny, raportohet se ka vdekur në një nga burgjet famëkeqe të Rusisë, nën dyshimet e besueshme të një vdekje të shkaktuar nga regjimi i Putinit. Navalny, i cili udhëhoqi dekadën e fundit frymën opozitare në Rusi, përmes karizmës së tij dhe diskretitimit të regjimit të Putnit, u vetëdorëzua në Rusi pasi shkoi për kurim në një klinikë gjermane, pas tentativës për ta helmuar për vdekje, tre vjet më parë.
Ai u arrestua në pikën doganore dhe nuk arriti të dalë më nga burgu, ndërkohë që nga dënimet e njëpasnjëshme ai mori 19 vite burg.
Sali Berisha është mallëngjyer sot nga vdekja e Navalny-it, dhe po përpiqet të krahasojë veten me të.
“Navalny ynë”, nuk vjen nga opozita por vjen nga pushteti, dy herë kryeministër, dy herë president, 19 kulla të ofruara dhuratë për vajzën duke përdorur pushtetin, qindra hektarë tokë në emër të shokëve të djalit në bregdet, vrasje për arsye politike në mes të bulevardit, kapje të shtetit për bizneset e djalit dhe vajzës, dhe dhjetëra krime të tjera të rënda të ngjashme me ato të regjimit të Putinit.
Ashtu si Putini, Berisha ka Navalny-ët e tij. Ai ka burgosur shefin e opozitës Fatos Nano, një vit pasi erdhi në pushtet, vetëm se e sfidoi në zgjedhjet lokale të vitit 1992, katër muaj pas ardhjes në pushtet, duke e mundur. Më pasi ai e përndoqi atë ne procese gjyqësore dhe në burg me metoda poshtëruese, derisa iku nga pushteti në vitin 1997 dhe ai fitoi lirinë.
Kritikë të tjerë të tij kur ishte në pushtet u poshtëruan, duke u rrahur dhe masakruar nga badigardë të tij, apo civilë të vendosur në shërbim të tij, si banditë. Ai dogji redaksi gazetash, rrahu drejtues shtypi dhe kritikë opozitarë si Edi Rama, burgosi gazetarë dhe shantazhoi të tjerë me metoda primitive dhune. Në vitin 1997, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve me qendër në Nju Jork e shpalli atë një nga 10 armiqtë e lirisë së shtypit në botë.
Njerëz që tentuan të investigojnë bizneset e pista të djalit të tij si Kosta Trebicka, nuk u gjendën të vrarë në burgje si Navalny, pro në lëndina të largëta të Shqipërisë.
Madje sot “Navalny ynë” ka hedhur një hap më tej. Ai po përpiqet të krijojë një front politik në mbrojtjen e tij. E ashtuquajtur Federata “non grata” që u shpall sot, ka si objektiv kryesor, pushimin e proceseve gjyqësore ndaj “udhëheqësve të opozitës” që duan t’i burgosin. Dhe këtu bëhet fjalë për Sali Berishën që është nën hetim, Fatmir Mediun që është nën gjykim, dhe ilir Metën apo Monika Kryemadhin, që mund të merren të pandehur, pasi janë të kallëzuar dhe nën hetim.
Pra Navalny ynë ndryshe nga ai rus, po organizon një Federatë “non grata” për të shpëtuar veten, ndërsa Navalny rus po përpiqej të ngrinte një opozitë që do të shpëtonte Rusinë.
Navalny rus shkoi në burg se filloi të frymëzojë opozitën ruse, “Navalny” ynë flet çdo ditë majë penxheres për të përçarë opozitën shqiptare. Armiqtë e tij më të mëdhenj, janë opozitarët që nuk mbështesin kauzën e tij.
Navalny ynë, nuk është opozitar, por një shantazhues i drejtësisë që kërkon të mbrojë miliona te vjedhura nga familja e tij.
Navalny ynë mbi të gjitha, nuk është i persekutuar, por persekutor i vetëm i 32 viteve demokraci, i kundërshtarëve të tij politik, i gazetarëve dhe kritikëve të tij.
Navalny ynë është hajdut, minues i demokracisë dhe shanatazhues i sistemit të drejtësisë.
Me një fjalë, “Navalny ynë”, është Putini ynë!