Ismail Kadare

Mero Baze: Ndarja e Shqipërisë me Ismail Kadarenë

2 Korrik, 19:40| Përditesimi: 2 Korrik, 19:43

  • Share

Debati mbi vendvarrimin e Ismail Kadaresë ngjan si i nxjerr nga letërsia e tij. Aty shfaqen disa prej personazheve të tij nga historia, varrmihësi, ditarshkruesi, nëpunësi i pallatit të ëndrrave, Sekretari i Partisë, dhe të tjerë personazhe episodik, që në ditët e para të mungesës së tij duket sikur janë ngjallur,  duke marrë kontrollin mbi jetën e dytë jo tokësore të Ismail Kadaresë. 

Të gjithë ata personazhe që ai i krijoi për ta na treguar ne anën e pështirë dhe tragjike të diktaturës tani duken si të dal nga faqet e librave për të marrë nën kontroll vdekjen e tij. Dikush e do në Prishtinë bashkë me Adem Jasharin, të tjerë e duan në katundin e tyre, të tjerë projektojnë veten duke mbajtur arkivolin e tij në krah e kështu me radhë. 

Ismail Kadareja padyshim meriton nderimin më të lart në raport me çdo personalitet kulturor politik dhe intelektual të Shqipërisë. Ai është formuesi i identitetit perëndimor të kombit shqiptar, babai modern i gjuhës shqipe dhe kontribuuesi më i madh i mbijetesës dhe modernizimit të saj dhe padiskutim ikona e Shqipërisë në botë. 

Problemi është se Shqipëria nuk është gati të ndahet menjëherë prej tij.  
As Naim Frashëri nuk u nda menjëherë me Shqipërinë. Ai u varros pesë herë, dhe siç e thotë aq bukur Petrit Ruka, Shqipëria nuk donte të ndahej aq shpejt me të. 

Ndarja e Shqipërisë me Ismail Kadarenë nuk do të jetë një proces dy ditorë zie kombëtare apo një ceremoni familjare. Ato janë pjesë e traditës familjare shqiptare. Shteti shqiptar dhe personalitet botërore që duan të ndahen me Kadarenë do të marrin kohën e tyre dhe do të ketë një protokoll të gjatë që do të nderoj Ismail Kadarenë, historinë e tij dhe natyrisht banesën e tij të re. 

Ajo që është e bukur dhe shndritshme këto dy ditë është që shqiptarët ndjehen shumë herë më të bashkuar rreth figurës së Ismail Kadaresë duke e konsideruar atë një krenari kombëtare. Balta e lirisë që është përpjekur të ndot figurën e tij, thjesht ka prodhuar më shumë lule në kurorat që shqiptarët po i vendosin atij këto dy ditë. 

Shqipëria ka provuar këto dy ditë se po i dhemb thellë ikja e njeriut më të madh të saj dhe kjo është një vetëdije e lart kombëtare që na bën të mendojmë përtej plot dyshimeve që kemi shpesh për shoqërinë tonë,  se e kemi merituar Ismail Kadarenë.  

Dhe ky nderim nuk mbyllet sot. Sot ai fillon. / Tema

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?