Barrikadat në veri

Mero Baze: Në veri ka kryengritje kundër rendit kushtetues të Kosovës, jo prishje rendi

25 Dhjetor 2022, 21:08| Përditesimi: 25 Dhjetor 2022, 21:11

  • Share

U bënë gati dy javë që barrikadat mbajnë të bllokuar Veriun e Kosovës dhe akoma më keq mbajnë gjallë tensionin mes serbëve dhe shqiptarëve, në kulmin e interesimit ndërkombëtar për të shkuar drejt bisedimeve përfundimtare Kosovë-Serbi. 

Eshtë koha të përkujtojmë se barrikadat pasuan daljen nga institucionet e serbëve të Veriut të Kosovës, dorëzimin e mandateve të deputetëve, dorëheqjen e gjykatave dhe prokurorëve si dhe forcave të policisë. Praktikisht rënien e Republikës në veri të Kosovës 

Arsyetimi i largimit, ishte këmbëngulja e qeverisë së Kosovës për të zbatuar vendimin për targat e vjetra të veturave në Veri të Kosovës që nuk janë legjitime.  Tensionet u rindezën më pas me përpjekjet e qeverisë së Kosovës për të zhvilluar zgjedhje pas braktisjes së Kuvendit nga deputetet e listës serbe. 

Si përfundim zgjedhjet u shtynë, vendosja e targave u shty, dhe të vetmet që kanë mbetur janë barrikadat.  Por a mund të hiqen ato me forcë? 

Natyrisht që nuk është çështja tek pamundësia për një plan ushtarak për ti hequr, por tek padobia e një lufte të re, e cila nuk është prioritet i Kosovës. Paralajmërimet e Kurtit se nëse KFOR nuk i heq ato, do t'i heqë qeveria e tij, janë dhe më banale.

KFOR nuk e ka problem të hapë rrugën dhe të heqë barrikadat. KFOR nuk heq dot arsyet përse janë vendosur barrikadat dhe ato arsye duhet t'i heqë politika, dhe jo ushtria. Kështu siç logjikon qeveria Kosovës, i bie që ajo ka detyre të krijojë tension në veri dhe të vendosen barrikada, kurse KFOR ka detyrë të heqë barrikadat që ata t'i rivendosin përsëri. 

Tensioni në veri dhe barrikadat në rrugë janë bilanci më i keq politik i qeverisë Kurti. Ato janë plotësisht të dirigjuara nga Beogradi, duke gjetur arsyetim në vendime kryekëput adoleshentësh, që shikojnë veten në pasqyrë dhe trimërohen, por kur dalin në rrugë kërkojnë ndihmë. 

Dalja e serbëve nga institucionet, dhe barrikadat në rrugë janë praktikisht kryengritje e serbëve në veri të Kosovës. Janë kryengritje kundër rendit kushtetues në Kosovë, dhe refuzim i thellë politik i Republikës së Kosovës. Kjo nuk është një çështje që zgjidhet me autoblinda. Askush në botë, nuk i ka zgjidhur dot kështu. As Milosheviçi nuk e zgjidhi dot me tanke çështjen e Kosovës. Me tanke e humbi.  

Ndaj është papërgjegjësi e madhe që ta shikosh situatën në veri si prishje rendi që mund të ndreqet me ndërhyrjet e policisë apo ushtrisë. Në veri të Kosovës është prishur rendi kushtetues i Kosovës, i cili bazohet tek harmonia dhe integrimi i pakicës serbe në Republikën e Kosovës.  

Nuk ka asnjë dyshim për vullnetin e Beogradit që ta pengojë këtë integrim. Por Beogradi do ta kishte të vështirë ta krijonte këtë gjendje, qeveritaret shqiptar të Kosovës, që injoruan këshillat e SHBA dhe BE që të shtyhej për një vit çështjet e dorës së dytë si targat dhe të harxhoheshin energji tek Marrëveshja kryesore e propozuar nga Franca dhe Gjermania.

Tani edhe çështjet i shtyn zvarrë dhe bisedimet kanë ngelur, edhe veriu po kthehet në një gangrenë që do të përdoret si presion gjatë gjithë bisedimeve. E vetmja gjë krenare ka mbetur ajo që 24 orë nuk pyetën, as për SHBA, as për BE dhe siç duket as për Kosovën. 

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Arbërori: 26/12/2022 12:14

    Këtë kryengritje e mbron edhe Tirana zyrtare me në krye Edvin shkjaun shqipfolës…!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?