Foto ilustruese

Mero Baze: Nevoja për një standard hetimi për nëpunësit e zakonshëm të shtetit

9 Dhjetor 2023, 19:17| Përditesimi: 9 Dhjetor 2023, 22:55

  • Share

Materiali i zgjeruar i SPAK, së paku ai që është paraqitur në Gjykatë, rreth marrjes nën hetim për 15 persona që kanë lidhje me procedurat e inceneratorit të Tiranës, duket se i ka gjetur ata të dyshuar për shkak se janë pjesë e procedurave për miratimin e kontratës. Në shumicë kemi të bëjmë me persona që janë anëtarë të Komisionit të tenderit në hallka të ndryshme të procesit dhe që kategorizohet si shpërdorim detyre. 

Për dy prej zyrtarëve, njëri prej të cilëve është në pension, është dhënë masa dënim me burg, edhe pse ai nuk ka asgjë në dorë të prish prova apo anulojë nënshkrimet e veta. 

Sidoqoftë pa paragjykuar hetimin e thelluar të SPAK, fushata për hetimin e korrupsionit, që shpesh prek zyrtarë të mesëm që janë aty për shkak të detyrës ka nevojë për një politikë penale që krijon siguri për një nëpunës kur pranon një detyrë ku dhe duhet të firmos. 

Përveçse një stil I tillë ndëshkimi fut në ngërç administratën dhe mund të gjendemi para fenomenit që nuk do të pranojë më njeri të shkojë në zyrat e shtetit, futja paraprakisht në burg, e njerëzve pa asnjë peshë në proces, sic është pensionisti Namik Simixhi, e bën dhe frustruese një detyrë në zyrat e shtetit shqiptar. 

Nuk është rasti I parë. Në Bulqizë ndërsa u arrestua Kryetari i Bashkisë dhe brenda ditës u çuan në burg dhe 12 zyrtarë të tjerë të bashkisë, duke kyçur praktikisht zyrat.  
Gati dy vjet më parë u arrestuan thuajse gjithë anëtarët e komisionit të tenderit të uniformave të policisë dhe pastaj gjatë procesit u pa që u arrestuan kot dhe shumë prej tyre dolën të pafajshëm, ndërkohë që u traumatizuan. 

Njësoj me gjykimin ndaj një tenderi në TVSh ku u dënua Drejtori Thoma Gëllci, dhe u morën në burg anëtarët të Komisionit të Tenderit. Nuk dua ta paragjykoj rastin në fjalë, por marrja praktikisht nën hetim e gjithë anëtarëve të Komisionit, lë shijen e një fushate ndëshkimore. 

Një nëpunës shteti mund të gaboj me dashje për arsye korruptive, mund të gaboj pa dashje mund të gaboj dhe nga padija. Ndaj duhet hetuar mirë para se ta arrestosh ta futësh në burg e pastaj të shikosh mos gjen diçka rrugës. 

Se njësoj gabon dhe një prokuror kur arreston njerëz kot, dhe ata fitojnë pafajësinë, por ne akoma nuk kemi sistem ndëshkimi për burgosjen e kot të një qytetari, pasi ai padit shtetin dhe dëmshpërblehet nga shteti.  

Ndaj duhet një standard i unifikuar se kur një zyrtar I shtetit duhet të arrestohet paraprakisht e kur duhet të hetohet në gjendje të lirë për shkak të detyrës. 
Në disa vende të tjera të rajonit, kryesisht në Rumani dhe Kroaci, fushata të tilla ndëshkuese mbi administratën sollën kriza të forta për vende pune në administratë duke futur shtetin në kufijtë e kolapsit. 

Edhe në Shqipëri ka filluar. Në disa dikastere qendrore përfshi dhe Ministri, ka pasur dorëheqje nga poste ku kërkohet të angazhohesh si komisioner në një tender apo që ke një përgjegjësi për të certifikuar një proces prokurimi apo nënshkrim kontrate. 

Kjo ndodh se ata shikojnë fatin e kolegëve të tyre, për të cilët e dinë që nuk janë fajtorë. 

Hetimi I inceneratorëve është një nga aksionet më të rëndësishme të SPAK, I cili ka prekur nivelet më të larta politike në vend dhe për këtë meriton përgëzim.  
Dhe do të ishte një rast I mirë, që ky hetim të mos bëj bashkë, personat që kanë kapur shtetin, dhe vet shtetarët e kapur prej tyre, me zyrtarët e administratës, që janë aty për të kryer procedura për të cilat marrin rrogën.  

Futja në të njëjtin thes, e këtyre dy kategorive, mund të na shpëtoj nga kapja e shtetit, por mund të na lërë dhe pa shtet fare.  

Pasi nëse një ish ministër si Fatmir Mediu, gjykohet I lirë edhe pse akuzohet për 26 të vrarë, (dhe në këtë rast jam me Fatmir Mediun, edhe pse jam një denoncues i përhershëm i tij dhe ortakut të tij Shkëlzen Berisha), kurse një nëpunës si Namik Simixhiu, inxhinier I vjetër në pension futet në burg, se ka qenë anëtar komisioni në një tender, atëherë për ministër dhe mund të gjeni ndonjë kandidat në këtë vend, por për anëtar komisioni zor se u vjen më njeri.  /Tema/

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?