Sali Berisha

Mero Baze: Një elektorat që ka vetëm numra, akoma pa emër dhe pa fytyrë

17 Janar 2023, 20:03| Përditesimi: 17 Janar 2023, 20:05

  • Share

Nga të gjitha sondazhet e deritanishme për Tiranën, bie në sy se brenda opozitës ka një elektorat nga 8 deri 10 për qind kundër Berishës, edhe pse janë të papërfaqësuar ende me një kandidat.

Formalisht i përkasin grupimit të PD zyrtare drejtuar nga Alibeaj, por realisht ai është një elektorat anti Berishë brenda opozitës, që mund të ketë shifra edhe më të mëdha nëse qartësohet lidershipi i PD zyrtare dhe strategjia e saj për këto zgjedhje. Mbi të gjitha, nëse ata kanë një kandidat serioz për Tiranën.

Kam parë disa opinione të përcipta rreth rëndësisë që ka përfaqësimi me kandidat për këtë elektorat në Tiranë.

Një teori është që Berishës i duhet fusha e lirë që të humbasë dhe të mos ketë kë të fajësojë më pas.

Berisha është e sigurtë që humbet edhe nëse kandidojnë rivalët e tij në opozitë, edhe nëse rrijnë në shtëpi.

Ndryshimi është se ai do duket sikur do marrë disa vota më shumë në mënyrë të padrejtë, që prapë nuk i bëjnë punë.

Dhe pas humbjes, ata që nuk kanë kandiduar nuk kanë çfarë llogarie t’i kërkojnë, se ai nuk i konsideron as tani e jo më pas zgjedhjeve. Pra është një qëndrim pa vlerë.

Thjesht i lënë fushën bosh Berishës për t’u dukur pak më i fortë se sa është në të vërtetë.

Opinioni tjetër për të kandiduar dikë sa për të pasur një emër është po aq i gabuar.

Një kandidat në Tiranë që ende nuk ka emër dhe fytyrë, por vetëm si opsion dhe ka rreth 10 për qind të elektoratit në dispozicion, është një mundësi unike që një figurë e rëndësishme politike e opozitës, nga ata që e kanë ndarë mendjen që do jenë në betejë me Sali Berishën në afatgjatë, duhet të vërë emrin. 

Të kesh dhjetë për qind në dispozicion pa filluar gara, në një situatë të tillë politike në Tiranë, dhe ta shpërdorosh duke vënë emra të listës së dytë, është marrëzi. 

Sot vendimtar në politikën shqiptare do të jetë ajo figurë e opozitës që ka dhjetë për qind vota jashtë Berishës.

Ajo mund të ulë në gjunjë dhe Berishën dhe Ramën. Dhe ta lësh këtë mundësi për njerëz anonimë, sa për t’u dukur sikur po bën garë, është marrëzi.

Ajo është një ofertë që publiku e ruan për ata emra që beson se janë vërtet afatgjatë në politikë dhe jo ata që duan të dalin në TV si kandidatë. 

Është betejë për ata që duan të mbeten në politikë, jo ata që duan të marrin rrogën si politikanë.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?