Mero Baze: Një opozitë që e do drejtësinë si “videomontazhet” e Salianjit

2 Mars, 08:04| Përditesimi: 2 Mars, 08:05

  • Share

Më në fund u pranua që ka një plan për të përdorur amnistinë që të shpëtojë nga gjykimi deputeti Ervin Salianji. Portali i familjes Berisha ka akuzuar sot socialistët se kanë koordinuar me Gjykatën e Apelit në Tiranë, që të zhvillohet një seancë më 15 mars, me qëllim që të mos digjen afatet e vendosura nga amnistia për deputetin Salianji.

Shqetësimi që ngre tani portali i Berishës, është se mbajtja e një seance më 15 mars, e bën të pamundur të përfitojë nga amnistia ende e pamiratuar, deputetin Salianji. Drafti i PS vendoste afat për dënimet qe uleshin ose faleshin, të ishin bërë të ekzekutueshme deri në 31 janar 2024! Me sa duket ata shpresonin që votimi i amnistisë të shtyhej, me shpresë që ta kapnin afatin.

Gjykimi në Apel i deputetit Ervin Salianji është shtyrë mbi një vit e ca, nën presionin e hapur të Partisë Demokratike, e cila në këtë rast për turp është e bashkuar në sallën e gjyqit ku gjykohet Salianji, duke protestuar ndaj gjykimit të tij.

Ervin Salianji është dënuar me një vit burg nga Gjykata e Shkallës së Parë se ka inskenuar një video kundër ish- ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, lidhur me historinë e vëllait të tij, i cili kishte probleme me drejtësinë në Itali.

Për aq sa ishte e vërtetë historia e vëllait të Xhafajt, drejtësia bëri punën e saj, por Ervin Salianji shpiku fakte dhe u përpoq të krijojë institucionin e lajmeve të rreme si një mekanizëm politik në Shqipëri.

Por gjyqi ndaj Salianjit dhe sidomos zvarritja e tij, tregon dy plagë të rënda të politikës opozitare në Shqipëri.

E para, që është më e rënda, është se ata duan të institucionalizojnë faktet e rrema si mekanizëm të luftës politike. Ky do të jetë fundi i politikës shqiptare. Edhe kështu Sali Berisha e ka ngritur “në art” luftën politike me qytetarin digital dhe shpikje mendjesh të sëmura, por së paku ai ua lë burimin në dorë njerëzve anonimë.

Ervin Salianji ka marrë vet përsipër montimin e fakteve dhe është përpjekur të përdorë drejtësinë me fakte të sajuara ndaj kundërshtarëve politik.

Ndaj ky proces nuk duhet parë thjesht si ndëshkimi i një deputeti periferik, që kërkon të bëjë protagonistin herë si bandit, herë si shpifës, e herë si i fortë. Ndëshkimi i tij ligjor, është një standard që duhet vendosur për të mos institucionalizuar faktet e rrema si instrumente të luftës politike.

Plaga e dytë e rëndë që zbulon gjyqi ndaj Salianjit është se shantazhi mbi drejtësinë ende po funksion. SPAK dhe Gjykata Speciale duket se nuk janë në një gjatësi vale dhe në të njëjtin standard si gjykatat e tjera.

Fakti që ky gjyq shtyhet vazhdimisht me arsye banale, apo dhe më keq, fakti që salla mbushet me deputetë solidarë ndaj një mashtrimi tregon se opozita nuk e pranon ende standardin e drejtësisë, kur prek atë. Ajo edhe drejtësinë e do si videot e Salianjit, kundër armikut, por jo edhe për veten e saj.

Dhe kjo është një arsye më shumë pse ai gjyq duhet bërë dhe pse ky precedent nuk duhet amnistuar.

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Besi: 02/03/2024 08:39

    i doli boja edhe amnistise o Mero. Me mire te shfrytezohen denimet alternative edukuese se te perdoren vendimet e gjykatave si qytetaret digjital te babaleve te vendit se te isha ne vendin e Fatmir Xhafaj do e coja ne referendum cdo lloj aminstie dhe te shprehet populli per veprat ne kodiin penal. Referendumet per cfare tjeter do ishin te dobishme ne mos per te mbeshtetur vlerat e nje kombi qe refuzon te quhet babale apo i dhunshem me cfaredo motivacioni digjital ne tranzicionin demokratik te nje vendi

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?