Tom Doshi dhe Sali Berisha

Opinion

Mero Baze: Për të ardhmen e dyshes Berisha – Doshi

21 Qershor 2021, 21:04| Përditesimi: 21 Qershor 2021, 21:11

  • Share

Sali Berisha dhe Tom Doshi kanë tanimë të dy të njëjtin status në listën e zezë të SHBA. Krahasuar me Doshin, që ka akuza për lidhje kriminale, Sali Berisha ka një epitaf të rëndë që mban brenda krimin, mos ndëshkimin, minimin e demokracisë, korrupsionin dhe betejën kundër drejtësisë. Ai aktualisht është personaliteti më i rëndësishëm politikë në botë i gjallë, që është në atë listë.

Në fillim të fushatës elektorale, Partia Demokratike këmbënguli përmes një arsyetimi ligjor nga Hegla Vukaj se një personi që është në listën e zezë të SHBA, nuk i takon mandati I deputetit. Arsyetimi bazohej tek një nen i ligjit të dekriminalizimit që e konsideronte mos lejimin për të shkuar në SHBA si zbim nga ai vend dhe fakte të tjera.

KQZ nuk u bind nga arsyetimi i PD dhe e lejoi Tom Doshin të kandidonte. Ditën që zgjedhjet mbaruan ai deklaroi dorëzimin e mandatit të deputetit. Edhe pse ishte një deklaratë që dukej sikur kishte të bënte me zgjedhjet e 25 Prillit në fakt ajo ishte një deklaratë që kishte vlerë ligjore për mandatin e deputetit që Doshi kishte marrë më 2017.

Mandatin e zgjedhjeve të 25 Prillit ai nuk e ka marrë akoma dhe nuk dimë nëse do ta marrë apo nuk do ta pranojë.

Ashtu siç u duk më 26 prill herët në mëngjes kur ai deklaroi dorëheqjen, nënkuptohej se ai po largohej përfundimisht nga parlamenti.

Por tani situata ka ndryshuar..

Një njeri më i rëndësishëm se Tom Doshi në politikë dhe në ndikimin e tij në tranzicionin e 30 viteve në Shqipëri, Sali Berisha është në atë listë me akuza shumë herë më të rënda ku përshihet minimi i demokracisë, shantazhi mbi sistemin e drejtësisë dhe përftimet e paligjshme të tij dhe familjes së tij nga pushteti. Dhe çudia është jo vetëm që nuk deklaron tërheqjen nga mandati i deputetit, por premton dy herë më shumë luftë kundër SHBA pas këtij vendimi.

Partia Demokratike e cila duhet të merrte qëndrim publik ndaj Berishës po hesht dhe po sillet si një fëmijët i frikësuar prej tij, duke i thënë të bëj çfarë të dëshiroj ai.

Në këto kushte, Tom Doshi e ka më të lehtë ta rishikoj vendimin e tij për tërheqje nga mandati i deputetit, duke e interpretuar atë si tërheqje nga ish-mandati i deputetit dhe të shkoj në parlament bashkë me Berishën.

Natyrisht që ky është një zhvillim regresiv dhe një karshillëk i hapur ndaj SHBA, por është një karshillëk i frymëzuar nga Sali Berisha dhe Partia Demokratike, e cila gjithë ditën flet për “regjimin Rama-Doshi” por 24 orë punon për të ardhmen e dyshes Berisha- Doshi.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?