Ka një paradoks me gjithë mbështetësit e Sali Berishës në raport me Lulzim Bashën, lidhur me përgjegjësitë e Bashës dhe Berishës në këto tetë vite. Në shumicë të gjithë kanë qenë mbështetës fanatikë të Lulzim Bashës në këto tetë vite, këshillues dhe nxitës të veprimeve radikale të tij, mbështetës të djegies së mandateve dhe bojkotit të zgjedhjeve, dhe gjithë marrëzive që ka bërë opozita këto tetë vite.
Asnjëherë nuk kanë qenë qoftë dhe për një minutë dyshues të spastrimeve të PD dhe mungesës së demokracisë, asnjëherë nuk kanë qenë në anën e atyre që janë përjashtuar nga PD, gjithmonë kanë qenë mbështetës të akuzave se çdo kritik i Bashës është shërbëtor i Edi Ramës etj.
Kjo në të vërtetë është fryma e Berishës në politikën shqiptare, por që ata e përcillnin si mbështetës të Bashës.
Për tetë vite mes Bashës dhe Berishës ka pasur vetëm ujëra të qeta dhe po këta mbështetës publik të Berishës sot, mbronin tezën se Basha ishte i pavarur nga Berisha dhe PD kishte një kryetar që i merrte vetë vendimet.
Tani fare papritur, kur një ditë shtatori Lulzim Basha duhet të zgjidhte mes Berishës dhe SHBA , dhe zgjodhi SHBA, të gjithë mbështetësit e Bashës u bën me Berishën dhe e akuzojnë atë për gjera që e kane këshilluar publikisht t’i bëjë dhe për shëmtira te demokracisë brenda PD, për te cilat nuk kane ngritur kurrë zërin..
Dhe nuk mjafton kjo, që u bënë me Berishën, por na akuzojnë ne që nuk kemi qenë as me Bashën, as me Berishën, se tani jemi me Bashën.
Pra këtyre nuk u mjafton që duan të ndajnë PD mes Bashës dhe Berishës, por duan të ndajnë gjithë shoqërinë mes Bashës e Berishës, a thua se po ha meraku pjesën tjetër të shoqërisë se kush do të fitojë prej tyre. Kjo është ana komike e tyre, pasi mendojnë që gjithë shoqëria shqiptare duhet të jetojë me hallet e Sali Berishës.
Por i gjithë ky debat dhe sidomos të gjithë këta që na janë shitur si mbështetës të Bashës, si mbështetës të një kryetari të pavarur të PD, si legjitimues të veprimeve radikale që shkatërruan PD dhe opozitën, si frymëzues të revolucionit të molotovit dhe djegies së mandateve, në momentin që Basha bëri divorc me Berishën shkuan të gjithë me Berishën.
Kjo tregon se këta paskan qenë të gjithë me Berishën, dhe më shumë se kushdo të tjetër e kanë trajtuar Lulzim Bashën si kukull që duhet t’i shërbente Berishës, këta janë më të pasinqertë me demokratët, pasi këta kanë tentuar të shesin aktet e Berishës si vepra të Bashës.
Këta “kriptoberishistë”, siç do t’i quante vetë Berisha, e paskan trajtuar për 8 vite si kukull Lulzim Bashën dhe sapo ai bëri divorc me Berishën, ata u bën me Berishën.
Pra çdo akuzë e të tjerëve që kanë qenë kritik me PD dhe kanë pas krye-akuzë që “PD e drejton Berisha dhe Basha ishte kukull”, rezulton që është e drejtë, pasi vetë mbështetësit më të mëdhenj të Berishës, sot pranojnë që Berisha është kryetari i partisë dhe Basha nuk mund ta shiste atë se ai ka qenë i emëruar i Berishës.
Pra mënyra se si mbështetësit e Berishës e mbrojnë atë sot përballë Bashes, tregon se ata kanë qenë gjithmonë me Berishën. Me Bashën paskan qene vetëm se ai ishte me Berishën.
Kjo është dhe e vetmja pikë që ne biem dakord, por së pari duhet të kërkojnë falje që na kane gënjyer tetë vite duke u hequr sikur ishin me Bashën, duke pasur parasysh Berishen, çka ne ua kemi thënë, por nuk e kanë pranuar.
Se dyti, meqë të gjithë qenkan me Berishën dhe të gjithë e kanë konsideruar Berishën kryetar, atëherë pse i bien më qafë Lulzim Bashës për çfarë ka ndodhur, se ato vetë i kanë bërë. Dhe se treti, meqë i kane bërë të gjitha vetë, bashkë me Berishën, dhe meqë shumica e mbështetësve publik të Berishës janë njerëz të paguar nga Sorosi në këtë vend, pse nuk e akuzojnë Sorosin që ka futur në qorrsokak Berishën, por e akuzojnë se ka futur Bashën?
Mendo që dhe Fatos Lubonja që të nxirrte sytë për Bashën dy muaj më parë, tani thotë që Berisha është i ndershëm dhe kjo është punë e Sorosit. Të njëjtën gjë thotë dhe Bejtja, Meço, Krasta etj. Fatos Lubonja që nga viti 1991, çdo para që ka marrë si gazetar, përveç honorarëve nga oligarkët, i ka marrë nga Sorosi. Shumica e gazetarëve të familjes Berisha kanë qenë për vite të tëra në borderonë e Sorosit në Tiranë.
Unë ndoshta jam i vetmi gazetar në Shqipëri për tridhjetë vjet që nuk kam marre ndonjë donacion prej Sorosit, qoftë dhe biletë udhëtimi, pasi nuk kam aplikuar, i vetëdijshëm që nuk më japin ndihmë, se nuk isha i majtë.
Të gjithë njerëzit e Sorosit sot janë me Berishën, përveç Lulzim Bashës. Dhe kjo është e vetmja gjë që më bën të besoj se këtë trazirë në PD e ka bërë Sorosi. Por duke mbështetur Berishën.
Faleminderit sjoku Ramist. I ke ra ne koke.
PërgjigjuE ke qa Mero!
Përgjigju