Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Opinion

Mero Baze: Përse Berisha do një alibi 'amerikane' për humbjen e Bashës?

14 Maj 2021, 19:16| Përditesimi: 14 Maj 2021, 19:20

  • Share

Televizioni i djalit të Sali Berishës, i ka rekomanduar dje Lulzim Bashës të injorojë kontaktet dhe këshillat e diplomatëve Perëndimorë, kryesisht atyre amerikanë, duke i fajësuar ata për dështimet e opozitës radikale të Lulzim Bashës. “Berishët” fajësojnë SHBA-të dhe Bashkimin Europian se ndikuan negativisht në injorimin e djegies së mandateve nga opozita dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, duke mbështetur mbajtjen e tyre pa opozitën.

Arsyetimi i “berishëve” tani pas humbjes së 25 prillit, është në të vërtetë një përpjekje për t’i dhënë Bashës një alibi, për humbjen, e cila në të vërtetë është më e keqe se humbja.

Por Lulzim Basha po përpiqet të gjejë vetë alibitë që i duhen. Për shembull, diku akuzon “patronazhistët” e PS, diku për blerje votash, diku aleancën Basha- Doshi( Rakipin e ka hequr). Pra nuk është se nuk po bën përpjekje për të gjetur alibi.

Kjo alibia që i ofrojnë “berishët” është me e keqja e mundshme, pasi është alibi e ofruar me kusht. “Berishët” po ja ofrojnë këtë alibi me kushtin se nëse e bën këtë akt, e mbështesin dhe ata, nëse jo, atëhere ai do të quhet humbës.

Pra “gijotina” drejt së cilës po e çojnë “berishët”, Bashën, është që, nëse do të qëndrojë në krye të PD tani e tutje duhet të jetë një profil anti-amerikan dhe anti-BE. Nëse jo, atëhere ai akuzohet se ka qenë palë me ta në dështimin e PD.

Natyrisht Lulzim Basha as ka ndërmend të dëgjojë “berishët” në këtë mes. Ai nuk është se ka ndonjë rrezik real nga Berisha dhe mbështetësit  e vet, pasi ata siç e thonë dhe vetë janë “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë” me të, pasi bashkë i kanë marrë gjithë vendimet.

Ose së paku ata nuk kanë guxuar ta kundërshtojnë Bashën.

Ndaj tani Basha do të vazhdojë me alibitë e veta që të fyejnë inteligjencën, por je i detyruar t’i dëgjosh.

Përpjekja e “berishëve” për t’i imponuar Bashës një alibi amerikane për humbjen e radhës, se gjoja SHBA e mori më qafë opozitën se nuk mbështeti bojkotin, ose se tani po njeh zgjedhjet, nuk besoj se do ta tundojë Bashën.

Për atë ka rëndësi që Berisha po vret mendjen si të justifikojë humbjen e tij, dhe jo dëshira e Berishës që ta bëjë Bashën palë në konfliktin e tij dhe të Ilir Metës me SHBA. Atë le ta zgjidhin vetë. Rëndësi ka që Bashës i qajnë hallin si humbës. Pak rëndësi ka që ata e duan aleat të dëshpëruar kundër amerikanëve.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?