Tom Doshi dhe ish-kryeministri Sali Berisha

Mero Baze: Përse Berisha po i bie në gjunjë Tom Doshit?

15 Shkurt 2022, 19:31| Përditesimi: 15 Shkurt 2022, 19:33

  • Share

Sali Berisha I ka shkelur syrin Tom Doshit në Shkodër, duke deklaruar se “ai është lule përballë Ramës”. Nuk është se nuk e ka llogaritur efektin e asaj deklarate. E di që pas kësaj atë do ta akuzojnë se po bashkon përpjekjet me politikan që kanë të njëjtin status përballë SHBA. E di që do ta përflasin për një aleancë të fshehte me të, edhe pse mund të mos jetë e vërtet. Por Berishës nuk I intereson kjo e vërtet. 

Atij i intereson diversioni në elektorat. Për të krijuar idenë se Doshin e ka me vete në betejën elektorale në Shkodër, ai ka zgjedhur mënyrën më popullore për të bërë zhurmë me këtë mesazh. Pra ai do që ne çdo orë e çast të themi që ka një aleancë të “Non gratave” në këtë fushatë elektorale. Ky në të vërtetë është dhe i vetmi qëllim i kësaj fushate të pjesshme elektorale. 

Sali Berisha ka hyrë në zgjedhje për të dëshmuar se ekziston një Shqipëri tjetër sfiduese ndaj SHBA. Kjo Shqipëri sipas tij nuk njeh tabu dhe krah politik, por duhet të bashkohet rreth qëndrimit ndaj SHBA. 

Pra në thelb të fushatës së tij nuk është të jesh I majte apo I djathtë, të jesh, por të jesh pro apo kundër SHBA. Ajo që ka thënë për Tom Doshin, nuk ka aq shumë lidhje me ndonjë pazar apo aleancë me Tom Doshin, por me krijimin e perceptimit se ata që janë kundër SHBA duhet të bashkohen rreth tij. 

Tom Doshi nuk është formalisht në garë në Shkodër. Mbështetësit e tij, të cilët nuk kanë kandidatë, dhe që mendohet të jenë më afër socialistëve, janë tani target I Sali Berishës, duke u lavdëruar liderin e tyre. 

Duke e konsideruar kët betejë si jetë a vdekje për mbijetesën e tij politike kundër SHBA, Sali Berisha nuk është duke kërkuar thjehst vota për kandidatët e tij, por po kërkon një bazë të re elektorale në Shqipëri, e cila duhet të orientohet drejt “sovranitetit” kundër SHBA dhe krijimit të një vetëdije që për një bazë elektorale antiamerikane në Shqipëri . 

Nuk ka rëndësi nëse Doshi e pret mirë apo keq këtë deklaratë, nëse e sulmon Berishën apo hesht pas kësaj. E rëndësishme për Berishën është të krijoj idenë se janë bashkë në këtë betejë. 

Ai po e bën këtë gjë jo vetëm në Shkodër por kudo, në Durrës në Vorë në Lushnjë dhe Dibër. Duke qenë qiraxhi në shtëpinë e Ilir Metës, dhe duke pasur të qartë të ardhmen e tyre të përbashkët, ai nuk po kërkon kryetar bashkie më 6 Mars, por mbijetesë politike për të hedhur rrënjët e një partie të re antiamerikane.  

Këtu ka llogaritur dhe ndonjë reagim të pritshëm nga SHBA kundër tij. Edhe kjo i intereson të duket që është në një front lufte serioz. 

Është kjo arsyeja që ai lavdëroi Tom Doshin. Nuk I intereson qëndrimi I tij as angazhimi I tij real në këtë fushatë. I intereson të merret vesh përse ka dal në rrugë në pleqëri dhe përse po përpiqet të shmang fitoren e PD në gjashtë bashkitë. Është duke kërkuar mëshirë nga shqiptarët që të mos e lënë në duart e SHBA, pasi mendon, se vet shqiptarëve ua ka pirë lëngun dhe nuk I bëjnë gjë. 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?