Sali Berisha dhe Ilir Meta

Mero Baze: Përse “Foltorja” po e quan fyerje për Berishën vendosjen e emrit të Metës?

20 Prill 2023, 19:11| Përditesimi: 20 Prill 2023, 19:15

  • Share

Zëdhënësja e Sali Berishës reagoi sot ndaj vendimit të djeshëm të KAS në KQZ, mbi vendosjen e emrit të Ilir Metës si drejtues i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, duke e quajtur vendimin “një përpjekje për të minimizuar staturën e drejtuesit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, z.Sali Berisha...".

Deklarata nuk lë shumë vend për hamëndësim. Sali Berisha dhe mbështetësit e tij e quajnë as më shumë, as më pak, por thjesht një përpjekje për të fyer Berishën dhe për t’i ulur atij staturën në public, duke vendosur emrin e Ilir Metës.

Reagimi është i sinqertë dhe i besueshëm për të gjithë ata që e dëgjojnë. Në perceptimin e të gjithëve, vërtet Berisha është më i rëndësishëm dhe më i fortë si politikan se Ilir Meta.

Por zgjidhja që ka bërë KAS është ligjore dhe jo politike. Vendimet që merren aty, nuk merren në bazë të performancës politike, por në bazë të certifikimit juridik.

Por nga ana tjetër deklarata e zëdhënëses së PD lë për të dëshiruar sa i përket lojalitetit që Meta ka treguar me Berishën në gjithë këtë histori.

Së pari, Meta pranoi të mos nxjerrë kandidatë në zgjedhje por të mbështesë kandidatët e Sali Berishës të nxjerrë nga procesi i primareve. Vetëm në katër qytete Meta ka infiltruar kandidatët e tij, çka përbën një shenjë të fortë lojaliteti me Berishën.

Së dyti, Meta nuk hezitoi të bëjë koalicion me Berishën kur ai mbeti pa vulë dhe pa legjitimitet politik, duke sakrifikuar listën e këshilltarëve bashkiakë që kishte përgatitur për zgjedhje, sipas kontratës fillestare me Berishën.

Ndërsa aleatët e tjerë Duka, Mediu dhe Shehi, ruajtën listat e tyre dhe po mbështesin kandidatët e Berishës, Meta përgjysmoi dhe listat e këshilltarëve bashkiakë me të.

Së treti, Meta ndryshe nga aleatët e tjerë, ka marrë qëndrim kundër SHBA dhe çdo aleati perëndimor që sulmon Berishën, përfshi dhe Britaninë e Madhe. Ai ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj sanksioneve që janë vendosur nga SHBA dhe Britania e Madhe kundër Berishës dhe familjes së tij si familje e korruptuar, duke rrezikuar shumë nga reputacioni i tij, edhe ashtu i njollosur rëndë nga skandalet e veta.

Praktikisht Meta është aleati jo vetëm më besnik i Berishës, por dhe njeriu që nuk ka komplekse të njehësohet me të.

Edhe në procesin e kontestimit që KAS pati ndaj fletës së votimit, Meta u tregua shumë luajal. Ai pranoi të mos kishte emrin e vet dhe më pas të vendoste dhe emrin e Berishës. Thjesht nuk ja doli dot për shkak të korrektësisë ligjore të KAS.

Tani Berisha ka plot arsye të ndjehet i zemëruar me KAS, të ndjehet mirënjohës ndaj Celibashit, por jo të ndjehet i fyer se Meta ka zëvendësuar emrin e tij në fletë të votimit. Ky është një proces ligjor që Berisha ja ka ditur fundin qysh kurse e ka nisur shkatërrimin e PD. Thjesht ka besuar më shumë se ç’duhet tek fuqia dhe pushteti i tij. 

Tani të paktën të bëjë kujdes të mos fyejë të vetmin njeri që i ka qëndruar besnik në këtë histori. Ilir Meta/j.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?