Këshilltarët e Bashkisë Himarë

Mero Baze: Përse në Himarë opozitarët bojkotuan Berishën dhe Metën?

29 Mars, 21:40| Përditesimi: 29 Mars, 21:44

  • Share

Votimi për kryetarin e përkohshëm të Bashkisë së Himarës brenda Këshillit Bashkiak, zbuloi se Fredi Beleri gëzon mbështetjen e 19 për qind të të zgjedhurve, ndërsa pjesa tjetër e këshilltarëve të opozitës dhanë votën për kryetaren e re.

Votimi duhet lexuar jo aq si një gjest patriotik i koordinuar, pasi realisht nuk është ashtu. Vendimi është një braktisje e politikës së krerëve opozitarë nga vet opozita.

Dhe ka disa arsye

E para, është se këshilltarët e opozitës që jetojnë në Himarë i kanë marrë votat për hallet e tyre dhe komunitetit të tyre, dhe jo për “Agimin e Artë”. “Agimi i Artë” është hall dhe për vet Greqinë, e jo më Himarën.

Duke u identifikuar me politikën e “Agimit të Artë”, Beleri ka ngritur stekën e konfliktit politik mes Shqipërisë dhe Greqisë përtej etikës diplomatike dhe e ka kthyer në një betejë gjelash, ku Greqia mendon se Shqipëria duhet të ulë kokën, ndërsa Shqipëria mendon se Beleri duhet të ulë kokën para drejtësisë dhe shqiptarëve, të cilët e njohin më shumë si të akuzuar për vrasje, se sa të akuzuar për vjedhje votash.

Duke u ngritur debati në këtë nivel, këshilltarët e opozitës rrezikonin të humbisnin funksionin e tyre kryesor, atë të përfaqësimit të halleve të atyre që i kanë zgjedhur, pasi ata nuk kanë fuqi të ndërhyjnë në konfliktin Rama- Micotaqis për shkak të Belerit. Atyre u duhet një kryetar bashkie dhe jo një konflikt për shkak të bashkisë.

Dhe kjo është një arsye themelore përse ata nuk imituan Berishën dhe Metën në votimin e tyre, dhe pse ata dy- tre tipa agresivë që inskenojnë dhunë dhe tension, janë të izoluar realisht.

Një tjetër arsye përse këshilltarët e opozitës nuk ndoqën qëndrimet e Berishës dhe Metës, është dhe fakti që ata e shikojnë qëndrimin e tyre në funksion të betejës kundër Edi Ramës, që nuk ka lidhje me Himarën, por me betejën e tyre për pushtet.

Në Himarë beteja për pushtet ka mbaruar. Votuesit ja kanë besuar pushtetin Partinë Socialiste me shumicë dërmuese në këshill, ndërsa Beleri ka marër mandatin e diskutueshëm për kryetar me 19 vota më shumë. Dhe ashtu siç Berisha e Meta kanë objektivat e tyre në pazarin me Greqinë, dhe këshilltarët e tyre kanë objektivat e veta në votimin për Bashkinë.

Së fundmi, por me shumë rendësi, është dhe fakti që çdo këshilltar shqiptar ka votuar kundër Belerit. Kjo nuk është bërë në emër të patriotizmit apo ndonjë marrëveshje folklorike nacionaliste, por votimi ka ndarë interesin e Greqisë nga interesi i Shqipërisë në këtë histori.

Katër këshilltarë aty (19 përqind e Këshillit) janë gati të mbrojnë interesin e Greqisë, 17 këshilltarë apo 81 përqind e Këshillit, janë gati të mbrojnë interesin e Shqipërisë. 

Dhe kjo ndarje është shkaktuar pikërisht nga provokimi nacionalist dhe në disa raste racist i përfaqësuesit të “Agimit te Artë”, Fredi Beleri, ndaj mënyrë se si kërkon të dalë nga ky proces, duke pasur kundër Bashkimin Evropian, SHBA dhe natyrisht drejtësinë shqiptare.

Të vetmit aleatë që ka në këtë histori janë Berisha dhe Meta. Por ata janë tashmë njëri majë penxheres, e tjetri drejt shtatë penxhereve.

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?