Mero Baze: Përse nuk ekziston turizmi patriotik?

17 Korrik, 19:32| Përditesimi: 17 Korrik, 19:34

  • Share

Ka një debat paradoksal të mediave afër qeverisë së Kosovës rreth fundit të turizmit patriotik në Shqipëri nga Kosova. Ideja e tyre është se tani Shqipëria po bëhet më e shtrenjtë dhe shqiptarët e Kosovës dhe më gjerë nuk vijnë më t’i japin lekë Shqipërisë, por shkojnë në Greqi, Mal të Zi, Turqi etj.

Akoma më groteske është kjo propaganda e Vetëvendosjes se tani kosovarët nuk po vijnë më në Shqipëri dhe Shqipëria po merr fund.

E para, kosovarët i ke cep më cep, nga veriu në jug, natyrisht ata që janë pushues tradicional në Shqipëri dhe nuk janë duke dëgjuar Albinin si guidë turistike se ku do pushojnë. Është e vërtetë që sivjet ata kanë mundësi të shkojnë dhe në Greqi, se nuk kanë nevojë për viza, por kjo është mirë për ata, se kualifikohen si turistë dhe e prekin vetë me dorë lehtësisht çmimet dhe mundësinë për një turizëm më të lirë.

Kjo nuk e dëmton turizmin në Shqipëri, pasi vet shqiptarët e Shqipërisë udhëtojnë në çdo vend të rajonit për turizëm, kurse këtu vijnë nga çdo vend i botës.

Turizmi ynë nuk është i kufizuar në tregun rajonal. Ka qenë i tillë kur ishim të mbyllur, por hapja nuk na ka dëmtuar, por na ka bërë lider në rajon për turizmin. Aeroporti i Tiranës është i pari i Ballkanit dhe ai natyrisht nuk është vetëm për të sjellë turistë, por dhe për të nxjerrë nga Shqipëria. Por kjo na bën vend më të zhvilluar, jo më të varfër.

I vetmi turist që refuzon Shqipërinë është Albin Kurti. Edhe kryeministrja e Italisë që ka plazhet më të bukur në botë, zgjodhi Shqipërinë për pushime, si gjest miqësie, kurse Albini zgjedh rregullisht Greqinë. Madje dhe ministrat e tij vijnë fshehurazi prej tij.

Greqia është vend me traditë në turizëm dhe ja vlen të shkosh, por Albini nuk shkon se i shijon turizmi, por se i shijon urrejtja për Shqipërinë. Dhe aty ka mjaftueshëm urrejtje ndaj nesh, që ai të ndjehet mirë.

Por një kryeministër mban përgjegjësi dhe për simbolikën e akteve të tij. Ibrahim Rugova i ka pas bërë pushimet në Shqipëri deri në vitin 1996, derisa u prish me Berishën. Më pas Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj e gjithë udhëheqësit e tjerë, jo vetëm simbolikisht, por dhe fizikisht, janë pas zhvendosur në Shqipëri për pushime. Madje duke pasur dhe banesat e tyre këtu.

Për ta bërë edhe më qesharake betejën e tij kundër turizmit në Shqipëri, seç torturon dhe disa militantë të Vetëvendosjes, të cilët i fut çdo mëngjes në një liqen artificial në Mitrovicë, duke i ruajtur me policë vetëm të tregojë që ka dhe ai një pellg ujë dhe është i pavarur nga Shqipëria.

Shqipëria nuk ka pasur kurrë “turizëm patriotik” dhe as që ka. Është quajtur ashtu se shumica e turistëve kanë qenë nga rajoni. 

Shqiptaret nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, madje dhe Serbia, nuk vijnë në Shqipëri për patriotizëm, por për pragmatizëm. Dhe mirë bëjnë. Vijnë se është më lirë se në vendet e tjera dhe e kanë afër.

Vet fakti që Vetëvendosja dhe Kurti tani thonë që turizmi në Shqipëri do marrë fund se ata nuk do vijnë në Shqipëri, tregon se nuk ka qenë patriotizmi, por pragmatizmi ai që i ka sjellë në Shqipëri. Se po të ishte turizëm patriotik, patriotët janë njerëz që sakrifikojnë dhe vijnë dhe kur është keq. 

Kontributi më i madh patriotik për Shqipërinë nga Kosova do të ishte që Kosova të bëhej një vend sa më i pasur. Ashtu do kishin mundësinë për më shumë turizëm tek ne dhe në rajon.

Por fatkeqësisht kryeministri i Kosovës zgjohet çdo mëngjes dhe jep kushtrim për luftë, duke zbuar nga vendi çdo investitor, duke e futur shoqërinë nën një presion piskologjik të panevojshëm dhe natyrisht duke mos lejuar të afrohet asnjë investitor i huaj.

Kështu siç po varfërohet Kosova, ku aktualisht investitorët më të mëdhenj janë organizatorët e dasmave dhe synetllëqeve me rastin e kthimit të diasporës për pushime, natyrisht do ketë më pak njerëz që shkojnë për turizëm.

Investitorët e tjerë të Kosovës janë të gjithë në Shqipëri, jo vetëm për plazh, por dhe për biznes.

Kështu që mos u shqetësoni nga këta që janë të mërzitur me turizmin në Shqipëri. Secili e ka atë pellgun e vet ku zhytet, e përbaltet pa i prishur asnjë punë Shqipërisë.

Shqipëria natyrisht do fillojë të bëhet më e shtrenjtë dhe më cilësore, por jo për inat të shqiptarëve në rajon, por për shkak të ritmit të zhvillimit. Ka dhjetëra mijëra shqiptarë të Shqipërisë që nuk shkojnë dot në plazhet e vendit të tyre apo nuk bëjnë turizëm se nuk kanë mundësi. Ndaj mes të tjerash, turizmi është një armë kundër varfërisë. 

Dhe në fakt kjo është beteja e vetme patriotike e Shqipërisë dhe Kosovës. Të zhdukin varfërinë nga shoqëria shqiptare, se shqiptarët e varfër, nuk bëhen dot as patriotë, as turistë. Dokrat e tjera për turizëm patriotik nuk vlejnë.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Po mër po: 18/07/2024 08:29

    Shqipëria me e shtrenjtë dhe më cilësore!?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?