Presidenca

Mero Baze: Presidentin që do të njohim nesër 

2 Qershor 2022, 20:15| Përditesimi: 2 Qershor 2022, 20:17

  • Share

Socialistët kanë njoftuar se të premten në mbasdite do të mblidhen për emrin e presidentit të ri të propozuar tanimë nga shumica në pushtet, pas dështimit për t’u ulur në negociata me opozitën e përçarë, rreth një emri konsesual. Edi Rama ka bërë atë që bën gjithnjë më mirë në raste të tilla, duke e kyçur në mendjen e vet emrin e kandidatit të mundshëm, njësoj siç bën kur formon kabinetet e Qeverisë.

Edhe pse procesi i presidentit, pavarësisht se do të jetë me votat e socialistëve, është një proces që e tejkalon përgjegjësinë partiake, duket se ai nuk ka shumë dëshirë t’i çlirojë nga emocionet kandidatët e shumtë rrotull tij, që kanë bërë gati kostumet në pritje të ndonjë telefoni.

Por përtej vesit të kryeministrit rreth këtij procesi, meqë presidenti mbetet të zgjidhet nga shumica socialiste, profili i tij ka nevojë të përfaqësojë jo më socialistët, por disa nga kauzat e kësaj periudhe.

Kauza më e rëndësishme e Shqipërisë, për të cilën ka një mbështetje ndërkombëtare, është reforma në drejtësi. Si e tillë, ajo meriton një president që ta mbështesë atë. 

Deri më sot, Shqipëria në mënyrë anormale, kauzën më të rëndësishme të saj, e kishte në konflikt me presidentin e Republikës, i cili ka pesë vjet që përpiqet ta minojë atë çdo ditë, në disa raste dhe duke shfytyruar solemnitetin e institucionit.

Jo të gjitha mangësitë e reformës në drejtësi kanë ardhur nga beteja kundër saj e Ilir Metës, por ama të gjitha betejat e Ilir Metës janë kundër saj. Dhe kjo duhet korrigjuar me profilin e një kandidati, që është mbështetës pa rezerva i kësaj reforme.

Kauza e dytë më e rëndësishme në Shqipëri, është beteja me atë pjesë të klasës politike që po dizajnohet nga SHBA dh partnerët perëndimorë si “non grata” dhe që po përpiqen të marrin peng të ardhmen e Shqipërisë, përmes mekanizmave politikë dhe lidhjeve me krimin e organizuar.

Presidenti i ri duhet të jetë dikush që duke u ngjitur në shkallët e Presidencës, t’ua bëj të qartë të gjithëve, se ai institucion nuk është më strehë as si vizitorë, e atyre që janë në atë listë dhe rrethit të tyre të influencës.

Shqipëria ka nevojë të demonstrojë tanimë një besnikëri institucionale ndaj SHBA dhe Bashkimit Europian në këtë pikë dhe jo të krijojë dy standarde, një standard politik që e mbështet dhe një standard institucional si presidenti në detyrë apo kryetari i një çete opozitare, që e sfidon.

Kauza e tretë e rëndësishme e presidentit të ri, është depolitizimi i atij institucioni. Prej vitit 2012, me të ndjerin Bujar Nishani e në vazhdim me Ilir Metën, ky institucion është bërë shtojcë banale e politikës së ditës. Ne kemi parë presidentë që zihen me roje godinash, apo roje parku nga Liqeni, për shkak të një nevojë të çetës opozitare të tyre dhe akoma më keq, presidentë që kanë tentuar të ndërhyjnë politikisht në sovranitetin e Parlamentit dhe vendimmarrjen e Qeverisë së votuar.

Edhe më e rëndë është kjo situatë kur tentojnë të bëjnë politikë të brendshme me tema të nxehta të politikës së jashtme, duke u kthyer në minë me sahat për vendin.

Presidenti i ri, që pritet ta mësojmë prej nesër e në vazhdim, duhet së paku të bëjë të ndjehen keq kundërshtarët e reformës në drejtësi, personat “non grata” dhe partizanët e përdorimit të institucionit të presidentit si seksion partie i Bllokut. 

Dhe për ta bërë këtë, natyrisht që na duhet një emër që ka një integritet publik të njohur dhe të provuar përtej raporteve me shumicën në pushtet. Edi Rama është i lirë ta mbajë sekret deri nesër në mbrëmje, por nuk është aq i lirë të zhgënjejë shqiptarët pasi ta thotë.  

E.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Rasim: 03/06/2022 00:27

    E njohim qe dje. Quhet Edi Rama.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?