Paralajmërimi i ri i opozitës, për protestë më 10 korrik, nuk duhet të habisë askënd. Edhe pse “fitimtarët” zakonisht festojnë dhe nuk protestojnë, Berisha dhe Basha kanë nisur një cikël të ri protestash, të cilat duan të mbajnë larg zërat që mund t’i kërkojnë Lulzim Bashës të ikë nga kreu i partisë.
Pas katastrofës së pritshme elektorale të 30 qershorit, të cilën Basha, as e ndali dot, as e bllokoi dot, tani po fut Partinë Demokratike, në një cikël të mërzitshëm trazirash, të cilat nuk kanë më moton “Rama ik”, por “Basha rri”.
Problemi kryesor që ka Lulzim Basha në këtë moment, është që të mos i lërë hapësirë kritike askujt brenda PD, për t’u marrë me të, por nën tezën e Leninit, për “revolucion permanent”, t’u kërkojë demokratëve, të dalin në rrugë për të vazhduar protestat.
Kjo është e vetmja mënyrë që çdokush që ngre zërin në parti, “t’i tregojnë vendin”, se je me Edi Ramën dhe jo me protestat kundër tij.
Është një shkollë e vjetër e Berishës. Në gjithë humbjet e tij, sapo dëgjoheshin pëshpërimat e para për përgjegjësinë e humbjes, ai urdhëronte protesta qesharake, nga ato të lodhurat me 1000 vetë, që shanin zakonisht Ambasadën amerikane dhe ODIHR-in që u kishte shkaktuar humbjen.
Është ekzaktësisht e njëjta skenë, i njëjti skenar, i njëjti skenarist. Dhe sa herë humbet PD, ka gjithnjë një armik, SHBA dhe OSBE.
Në këtë aspekt, protesta e 10 korrikut, dhe të tjera që do ta pasojnë, janë një recetë për të mbajtur larg kritikët e Bashës brenda partisë, një recetë për të shmangur analizën e “revolucionit” dhe një përpjekje për të maskuar shpartallimin, nën shpresën se ditë më të mira do të vijnë.
Po ta shikosh dhe qëndrimin ndaj zgjedhjeve, i vetmi element që Basha i njeh si legjitim këtij procesi, është rezultati i “Bindjes Demokratike”, kundërshtarëve të tij.
Pra, ky njeri që thotë se 30 qershori ishte farsë, se votat nuk u numëruan, se votat u shtuan etj, broçkulla si këto, thotë që “Bindja Demokratike” doli dobët se ka marrë rreth 30 mijë vota.
Pra vëmendja e tij, është pikërisht tek rivalët e tij. Ky njeri që nuk njeh asgjë nga 30 qershori, njeh si të rregullt rezultatin e “Bindjes”, pasi i duhet t’u tregojë të vetëve, se rivalët e tij kanë dalë dobët, edhe pse me këtë gjest në fakt ka njohur gjithë 30 qershorin dhe ka hedhur në kosh gjithë akuzat paranojake dhe të liga, se Edi Rama do t’i japë mandate “Bindjes”, apo do krijojë opozitë fallco.
Tani që zgjedhjet mbaruan, tani që Basha nuk bëri dot asgjë nga ato që u premtoi demokratëve, tani që Basha dogji mandatet e listës së parë, por nuk frenoi dot mandatet e listës rezervë, tani që Basha tha se 30 qershori, nuk do të jetë ditë zgjedhjesh, nuk do lejohet, nuk do pranohet, nuk do njihet, dhe tashmë e lejoi, e pranoi dhe po e njeh vende- vende, atje ku i intereson, atij i duhet doemos një alibi e re për të mos u rrëzuar.
Ndaj mos i merrni seriozisht protestat e reja. Nuk kanë të bëjnë më me zbimin e Edi Ramës. Kanë të bëjnë me frikën se mos lëvizja “Rama ik”, kthehet në lëvizje “Basha ik”.
Dhe për këtë duhet të torturohen ca militantë ende në diellin e korrikut, që të bërtasin të parët “Basha rri”, para atyre që po bëhen gati të thonë “Basha ik”.