Sali Berisha

Opinion

Mero Baze: Pse Berishët po ‘krahasojnë’ gabimet e SHBA me ato të Berishës

21 Gusht 2021, 20:30| Përditesimi: 21 Gusht 2021, 20:38

  • Share

Sali Berisha ka dy postime në 24 orët e fundit, përmes të cilave kërkon të tregojë se SHBA ka çuar dëm sakrificën e shqiptarëve për Afganistanin, dhe se po tërhiqet me turp.

Postimi i parë është një përkujtim për Feti Voglin, një ushtarak shqiptar i vrarë në Afganistan, në kohën që Berisha ishte kryeministër, dhe postimi i dytë, një avion i tejmbushur ushtarak, me rreth 800 vetë në bord, për të treguar tërheqjen në disfatë.

Nuk do t’ia vlente t’i përmendje postimet sikur ato të mos udhëhiqnin një shpresë të re që ka lindur tek ai dhe mbështetësit e tij, se fale gabimeve të SHBA, edhe Berisha është në “Listë të zezë” të tyre.

Kjo frymë në fakt është kthyer në një lloj ideologjie të re që mban gjallë fuqinë e bjerrur politike të Berishës në PD. Tani nuk ka më argumente të tipit “na sillni fakte” apo “do të fitojë gjyqin në Francë”.

Pasi u bindën se vendimi për Berishën është marrë nga raportet e sugjeruara për Departamentin e Shtetit nga agjencitë e sigurisë në SHBA, tani beteja e re e Berishëve është përqendruar tek gabimet e SHBA.

Dhe meqë ajo që po ndodh në Kabul, po trondit botën dhe po përjetohet si një disfatë e madhe e SHBA, shpresa për Berishët është që dhe ata të përfshihen në këtë “rishikim gabimesh”.

Nuk është se duan të shpëtojnë prej ndëshkimit prej kësaj. Nuk kanë shpresë as tek ndonjë tërheqje të SHBA-së.

Tani për tani duan të justifikojnë rezistencën e tyre kundër SHBA, duke u justifikuar se po i rezistojnë një gabimi të SHBA, dhe jo një vendimi të saj. Madje për këtë Berisha po u kujton se “ka derdh dhe gjak shqiptari” për gabimet e tyre.

E gjitha bëhet që më 12 shtator, presioni të mos jetë i madh kur ai të hyjë në Parlament, duke i paraprirë me një fushatë ku po “krahasohen” gabimet e SHBA me ato të Berishës.

Dhe sipas Berishëve, është SHBA që duhet jetë në “Listë të zezë”. Nuk janë të parët që e kanë thënë këtë. Talibanët e kanë thënë që kur janë krijuar.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?