Ilir Meta

Mero Baze: Pse u mendua dy javë Ilir Meta për protestën?

29 Nëntor 2022, 19:13| Përditesimi: 29 Nëntor 2022, 19:15

  • Share

Ilir Meta më në fund pranoi se do t’i bashkohet protestës së Berishës më 6 dhjetor, në ditën që në Tiranë do të jenë gjithë udhëheqësit kryesorë të Evropës. Për të dhënë pëlqimin e tij ju deshën së paku dy javë.

Çfarë ndodhi këto dy javë dhe përse Ilir Metës ju desh të mendohej?

Problemi më i rëndësishëm është se këto dy javë nuk ndodhi asgjë për Ilir Metën, ndaj dhe ai do të marrë pjesë në protestë.

Në stilin e tij prej sekseri, Ilir Meta priti të forconte kredencialet e tij tek ambasadorët e Perëndimit në Tiranë, me shpresë se ata do ta thërrisnin për kafe dhe do ta këshillonin të mos merrte pjesë në protestë.

Me këtë rast, ai do të rriste pazarin tek Berisha, do të dukej më i rëndësishëm, do të dukej një lider që ka lidhje me Perëndimin dhe si i tillë, do tregonte dhe maturi për të mos marrë pjesë në protestë.

Njësoj tentoi të keqpërdorë pas ikjes nga Presidenca një takim formal pune me Ambasadën e SHBA në Tiranë duke e lënë Berishën pa protestë nga gushti deri më 12 nëntor.

Por këtë radhë nuk pati fat. Asnjë ambasador i Perëndimit nuk e ftoi për kafe. Askush nuk u takua me të formalisht, që së paku të kishte mundësi të spekulonte se ka marrë porosi nga disa njerëz të rëndësishëm nga Evropa, të mos dalë në protestë.

Nuk e kanë bërë këtë, e para se nuk kanë asnjë shqetësim nga protesta dhe e dyta, se nuk kanë asnjë pune me Ilir Metën. Kjo e dyta i dhëmb më shumë.

Të vetmit që e takuan në këtë periudhë pritje, ishin disa deputetë të Mongolisë që i sollën një dekoratë nga presidenti i atjeshëm, që ja kishte taksur qysh kur ishte president, por nuk kishte gjetur njeri t'ia dërgonte.

Pas kësaj periudhe pa bereqet, në pritje të ndonjë pazari nga Evropa, më në fund vendosi t’i bashkohet protestës.

Ndryshe nga aleatët e tjerë të Berishës që vazhdojnë të thonë se nuk i ka pyetur askush dhe nuk do marrin pjesë, ai pasi priti gjatë, pasi u mendua, pasi shpresoi se do të merrte ndonjë sinjal, më në fund vendosi t’i bashkohet protestës i dëshpëruar dhe i zhgënjyer, që nuk pati mundësi për pazar.  Së paku të mos humbasë Berishën, se Perëndimin e ka humbur.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?