SHBA dhe Bashkimi Evropian i kanë rekomanduar qeverisë shqiptare të bëjë përpjekje më serioze në gjithëpërshirjen e opozitës në Komisionin Antikorrupsion për të realizuar paketën kushtetuese, që i hapin rrugë një thellimi të betejës kundër korrupsionit.
Shqetësimi i aleatëve perëndimorë në këtë pikë, është serioz dhe kjo nënkupton se ata duan që të bëhet kjo reformë, dhe jo të mos bëhet. Bashkimi i opozitës në këtë nismë, nënkupton se ka shanse të bëhet dhe duhet bërë, kurse bojkoti i opozitës thjesht e dështon këtë nisëm.
Pra kur bëhet fjalë për shqetësimin që opozita duhet të marrë pjesë në Komision, bëhet fjalë që SHBA dhe BE duan që kjo gjë të bëhet, dhe jo të mos bëhet. Çdo koment tjetër është alogjik.
Sa i përket shqetësimit të dytë, që kjo reformë të ketë parim themelor pakthyeshmërinë e Reformës në Drejtësi dhe mbështetjen mbi arritjet e saj, natyrisht që është një shqetësim serioz që vjen pasi opozita t’i bashkohet kësaj nisme.
Se vetëm kur opozita t’i bashkohet kësaj nisme, ky rrezik mund të shfaqet. Nëse opozita qëndron jashtë, nuk jemi fare në kushtet e mundësinë për anulimin e Reformës në Drejtësi, se jemi larg votave për të.
Dhe për të garantuar këtë gjë, duhet një mekanizëm kontrolli të një pakice të artë, që nuk e lejon këtë.
Pakicë e artë në Kuvend nga radhët e opozitës që mund të shërbejë si garant, është PD e Lulzim Bashës dhe deputetë të tjerë të opozitës që janë formalisht me Berishën, por janë mbështetës të Reformës në Drejtësi. Pra çdo gjë tjetër, përveç Berishës dhe Metes.
Nëse ka dyshime për PS se mund të anulojë Reformën në Drejtësi, ky dyshim bazohet vetëm mbi faktin se mos Rama e bën këtë reformë vetëm me atë pjesë të opozitës që është kundër Reformës në Drejtësi.
Kjo nuk ndodh as politikisht dhe as praktikisht, pasi një aleancë e Ramës me Berishën në këtë pikë çon dëm gjithë investimin e derisotëm të saj që i ka dhënë Shqipërisë një standard të ri drejtësie dhe i ka hapur rrugën e integrimit evropian.
Çdo bashkim tjetër opozitar me PS, vetëm se e garanton Reformën në Drejtësi dhe rrit sigurinë që ajo nuk do preket, por do thellohet.
Ndaj duhen ndarë qartë dy shqetësimet.
Shqetësimi i pare, që opozita duhet të marrë pjesë doemos është shqetësim që kjo reformë duhet bërë. Nëse opozita e bojkoton s’ka arsye për t’u shqetësuar për prekje të Reformës në Drejtësi, se nuk ka si ta prekë pasi nuk i ka votat.
Prandaj ose duhet të ankohemi me të drejtë, pse nuk përfshihet opozita, ose duhet të frikësohemi po u bashkua dhe Berisha me ta, pasi ai bashkohet vetëm kundër Reformës. Opsionet e tjera nuk ekzistojnë.
Ruajeni Reformën vetëm nëse bëhen bashkë viktimat e saj./TemA