Opinion

Mero Baze: Si po justifikon Berisha, garën e pandershme të Bashës në PD

7 Qershor 2021, 19:47| Përditesimi: 7 Qershor 2021, 19:49

  • Share

E vetmja “rezervë” e fortë e Berishës për fushatën brenda Partisë Demokratike, është fakti që gara u afrua më 13 qershor, ndërkohë që duhet të shtyhej, pas atyre shumë problemeve. Në dukje është një kritikë e drejtë.

Por në fjalinë pasuese, Berisha shpreh habinë se si ranë dakord gjithë konkurrentët me këtë gjë. “Kjo mu duk e çuditshme”, tha ai.

E gjitha është një manipulim i pacipë i situatës. Të tre kandidatët në garë përballë Bashës, nuk kanë pranuar afrimin e  datës së garës më 13 qershor. Të tre kanë kërkuar shtyrjen e datës së zgjedhjeve edhe përtej 22 korrikut.

Thjesht Lulzim Basha nuk i ka pyetur dhe nuk ka respektuar asnjë kërkesë të tyre, as shtyrjen e zgjedhjeve, as akses në listën e votuesve të PD-së, as përfaqësues në komisione etj.

Dhe Sali Berisha e di këtë. Ai e di që rivalët kanë kërkuar të shtyhet dita e zgjedhjeve, e di që kanë kërkuar listën, e di që kanë kërkuar përfaqësues, por Basha nuk i ka pyetur. E ka bërë fakt të kryer datën 13 qershor.

Mirë që e ka bërë, por tani duhet të dëgjosh dhe Berishën, që ta noterizojë këtë arrogancë, si vendim të përbashkët të gjithë kandidatëve, “nga i cili ai ka mbetur i çuditur”.

Është i njëjti stil me të cilin ai ka mbrojtur zgjedhjet e Bashës më 2017, përballë Eduard Selamit. Procesi ishte skandaloz edhe formalisht, me njerëz që votonin nga 20 herë, dhe Eduad Selami ishte i izoluar nga strukturat e partisë.

Pas votimit, Berisha ka takuar Eduard Selamin dhe i ka thënë: “Ke përgjegjësi nëse nuk denoncon vjedhjen e votave. Kjo është thikë pas shpine për Partinë Demokratike”.

Eduard Selami denoncoi në Kuvend të PD-së, manipulimin e procesit dhe rastet flagrante të vjedhjes së votave, me shpresë që PD do mbante qëndrim. Por as PD, as  Berisha, nuk u ndjenë më. Thjesht Berisha donte t’i kujtonte Lulzim Bashës se votat i vodhe, por “ke fat që më ke mua që hesht”.

Është e qartë se Berisha është edhe në këtë farsë me Lulzim Bashën dhe po përpiqet t’i legjitimojë atij farsën.

Ndryshe nga herët e tjera, këtë herë ka një arsye më të madhe. Kandidatët e tjerë janë shprehur rreth vendimit të SHBA ndaj Berishës dhe kanë mbajtur anën e SHBA, duke shpresuar që Berisha do ta përballojë këtë betejë privatisht. D.m.th nuk do të jetë pjesë e PD-së.

Berisha nga ana e vet ngeli duke thënë se ai është ndëshkuar se është pjesë e PD-së. Vetëm Lulzim Basha nuk ka folur për këtë çështje. Ai i ka dhënë më shumë siguri Berishës në këto momente, që nuk do marrë qëndrim pas vendimit të SHBA. Dhe deri më 13 qershor do jetë kështu.

Në shtator pastaj pritet të shikojmë, nëse Berisha do të jetë votuesi i fundit i zhgënjyer nga Lulzim Basha, apo i pari që Lulzim Basha nuk do gënjejë në jetë.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?