Fatos Nano

Mero Baze: Sikur socialistët të vajtonin për 'Babën'

12 Qershor 2023, 20:07| Përditesimi: 12 Qershor 2023, 20:11

  • Share

Socialistët shqiptarë kujtojnë sot 32 vjetorin e shndërrimit të Partisë së Punës së Shqipërisë, organizatës politike që sundoi gati gjysmë shekulli Shqipërinë brenda regjimit komunist, në një organizate të re politike, e cila u reformua nga viti në vit, duke u bërë sërish një forcë dominuese në Shqipëri.

Kam qenë si gazetar në sallën ku zhvillohej Kongresi i ndryshimit dhe kam parë nga afër histerinë e nostalgjikëve të Enver Hoxhës ndaj Dritero Agollit, i cili guxoi ta sulmojë atë nga tribuna e Kongresit dhe të bëjë thirrje për reformim të partisë dhe përballje me demokracinë si forcë perëndimore.

Për një moment mendova se ajo parti do vdiste bashkë me Enver Hoxhën.

Por nuk ndodhi ashtu.

Udhëheqësi i ri i socialistëve, Fatos Nano, arriti ta shkëpusë menjëherë elitën e vjetër të Partisë së Punës nga Partia Socialiste. Ekipi i parë i Fatos Nanos në krye të Partisë Socialiste ishin një duzinë profesorësh dhe intelektualësh të rinj, që nuk i lidhte asgjë me komunizmin dhe diktaturën. 

Duke shtuar dhe historinë e tij personale, burgosjen politike nga Sali Berisha dhe përballimin që i bëri procesit të vështirë të ndryshimit të partisë, ai arriti jo vetëm të pranohej si lider i Partisë Socialiste, por dhe të kishte fuqinë e ndryshimit në atë parti, duke e reformuar plotësisht. 

Në vjeshtën e vitit 1999, ai e futi partinë e Enver Hoxhës në një garë të vërtetë politike, dhe u përball vet si rival me Pandeli Majkon, duke fituar për pak vota. Edhe pse shumëkush e injoron, ajo është ngjarja më e rëndësishme në historinë e Partisë Socialiste, pasi riktheu votën dhe garën brenda partisë, si një element kryesor, duke e reformuar atë tërësisht si parti demokratike dhe perëndimore. 

Nuk ndodhte e njëjta gjë në kampin përballë. Partia Demokratike e krijuar si parti e njerëzve të lire, kishte përfunduar në dorë të Sali Berishës, i cili ndërkohë që socialistët zgjidhnin me pak vota diferencë Fatos Nanon, ai përjashtonte çdokënd që dilte kundër tij.

Momenti i dytë historik i Partisë Socialiste lidhet me ikjen e Fatos Nanos pasi humbi zgjedhjet më 2005. Asnjë socialist nuk dëgjova të thotë se pas Fatos Nanos nuk ka tjetër dhe nuk kemi kë të zgjedhim. Zgjodhën me guxim një rival real të tij, një kundërshtar prej vitesh brenda partisë dhe ja dolën përsëri të ringrihen, të rikthehen në pushtet dhe tani të shndërrohen në një makineri të frikshme elektorale, e cila vazhdon të ketë më shumë vota se gjithë të tjerët së bashku.

Sfida reale e tyre tani nuk është më kundërshtari, por ngjyrat, debatet dhe identiteti politik i tyre.

Socialistët e sotëm shqiptarë jo vetëm që nuk kanë asgjë të përbashkët me ish- komunistët, por në fakt pak nga pak nuk kanë asgjë të përbashkët dhe me ish- socialistët.

Duke qenë një parti me ndikim mbi gjithë pushtetet, rreziku që ka sot Partia Socialiste është të zëvendësojë debatet politike me luftën e klaneve në pushtet, të zëvendësojë udhëheqësit e zgjedhur me vota reale të PS, me njerëz pragmatistë që u intereson pushteti personal, dhe mbi të gjitha të harrojnë se fuqia e një organizate politike është bashkimi rreth një identiteti politik, dhe jo vetëm elektoral.

Socialistët e sotëm dinë mrekullisht të bëhen bashkë për të fituar dhe kjo i bën ata fitues të përjetshëm, por jo doemos socialistë të përhershëm. Korrupsioni, lufta e klaneve dhe mbi të gjitha mungesa e meritokracisë në katapultimet në pushtet, mund të kthehen në kancer të kësaj organizate ende të frikshme nga përmasat sukseset dhe fuqia ndikuese mbi fatin e vendit. 

E vetmja shpresë për ta është që të ruajnë së paku traditën e mos humbjes së fillit, kur Edi Rama të ikë nga drejtimi i saj e të thonë siç thonë demokratët pas 32 vitesh, që “nuk kemi tjetër veç Saliut”.

Nëse nuk i kap kjo sëmundje, çdo sëmundje tjetër shërohet. Kjo të vdes, siç po vdes Partinë Demokratike . Uroj që socialistët të mos vajtojnë kurrë për "Babën", siç nisën të vajtojnë më 1991.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ke të drejtë: 12/06/2023 20:36

    Po iku Rama nuk i bohet vonë njeriu. Por as socialistët s'kanë dikë prandaj kanë ngelur tek Rama. Ka vite që nuk e kundërshon njeri Ramën brenda partisë... Si do dalë tash një nga hiçi t'a kundërshtojë sot? Nuk e ha populli kollaj. Po e pergatisin brezin tjetër por ju kthehet në bumerang se shqiptarët ikin

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?